Me homazhe e kujtime, të premten në Prishtinë i është dhënë lamtumira e fundit grafistit e profesorit të shquar, Shyqri Nimani. Është çmuar si pjesëtar i një brezi rilindësish të dytë, personalitet emri i të cilit nuk ndahet dot prej historisë së artit të Kosovës. Asaj i dha art e identitet. Gravoi vepra e logo. Me veprën e tij ia gravoi emrin vetes në historinë e këtij vendi
Teksa njerëzit në rend qetas i afrohen e ndalen një grimë para arkivolit mbuluar me të kuqe, rrethuar me kurora lulesh, kur përmendet emri i Shyqri Nimanit, imazhet e veprave të tij vijnë varg në kujtesë. Sepse janë ngado. Kur vështrohet portreti i tij – në posterin e madh bardhezi vendosur në foajenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë – nuk është një foto krejt e rëndomtë e tij. Është mbase fotoja që ia vijëzon krejt figurën e tij, buzëqeshjen, elegancën, harenë e mirësinë. Për ata që ia njohin kontributin, nuk është vetëm imazhi, por emri që nuk ndahet dot prej historisë së artit të Kosovës. Asaj i dha art e identitet. Dhe kjo ka qenë mënyra se si është kujtuar Nimani, të premten në ditën kur iu dha lamtumira e fundit. Grafisti i njohur, themeltari e udhëheqësi i institucioneve kulturore, studiuesi e kantautori avangard, vdiq të enjten në moshën 82-vjeçare. U varros të premten në varrezat e Prishtinë në “Arbëri”.
Të shumtë kanë qenë ata që kanë bërë homazhe në nderim të tij. Në mesin e tyre, zyrtarë të lartë të shtetit, miq e kolegë të shumtë. Të shumta kanë qenë kujtimet e vlerësimet për veprën e tij.
Homazhet kanë pasuar me mbledhjen komemorative në amfiteatrin e ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Ka qenë Alban Nimani, i biri i artistit e vetë artist, ai që e ka marrë i pari fjalën. Ka thënë se koha me të është e vetmja gjë që i mbetet peng.
“Kur po të humbka prindi qenka një fazë në të cilën po kalojka njeriu, një fazë e pjekurisë më të madhe që nuk e kalon në asnjë moment të jetës. E vetmja gjë që të vjen keq më së shumti është pse nuk ke kaluar më shumë kohë, sepse ne të gjithë jemi të zënë duke i ndërtuar kështjellat tona”, është Nimani.
Kështjella arti ka ngritur Shyqri Nimani përgjatë një karriere prej mbi gjashtë dekadash. Aso që shndërrohen në monumente e nuk shemben dot. Në historinë e re të Kosovës do të mbahet në mend edhe si kaligrafisti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në pergamenë, e cila mbrohet si monument, por monumental është kontributi i tij në jo pak disiplina të artit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se emri i Nimanit do të jetojë aq sa edhe shteti. Sipas saj, Nimani është ndarë vetëm fizikisht dhe se kjo ndarje kuptohet se kontributi i tij për artin ka qenë shtytës i institucioneve.
“Sot kur përkulemi para arkëmortit të tij, është e vështirë ta pranojmë se me këtë akt ne po e pranojmë ndarjen prej nesh të këtij njeriu kaq të dashur për të gjithë. Por ky është fati i njerëzimit prej se ekziston bota. Profesor Shyqa, siç e quanin të gjithë, do ta gjejë paqen në botën e përtejme duke e marrë me vete dashurinë e njerëzve të cilët patën fatin ta njihnin, ta kishin në familje e duke na lënë veprën e jashtëzakonshme artistike, pasionin e madh për artin, kujtimin e pasosur si njeri, e ëndrrën”, ka thënë presidentja Osmani.
Presidentja Osmani më tej ka thënë se vepra dhe kontributi për artin mbesin dëshmi kohe në kaligrafinë e Deklaratës së Pavarësisë.
“Pikërisht në këtë ndarje ne kuptojmë se ai, vepra e tij, personaliteti i jashtëzakonshëm, kontributi për artin, përfshirë edhe organizimin e jetës artistike, duke qenë shtytës i madh i krijimit të institucionit të Galerisë Kombëtare e fondeve të saj, të gjitha këto nuk na ndajnë. Na mbajnë të lidhur përjetësisht me të. Ato nguliten thellësisht në kujtesën tonë e veprimin tonë, përjetësohen brenda nesh duke përjetësuar atë në kujtimin për profesorin tonë”, ka thënë presidentja Osmani.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se lajmi për ndarjen nga jeta ka qenë befasues pasi komunikimet e fundit i kishin për projektet që Nimani i kishte në plan.
“Komunikimi i kohëve të fundit me profesorin ishte për punët që po i bënte, këtë na konfirmuan shumë njerëz, miq e kolegë të tij me të cilët kam komunikuar nga dje e deri sot. Disa për organizimin e një ekspozite në një festival të ardhshëm, disa për një komision të dizajnit të një logoje, disa të tjerë për botimin e radhës, pra ishte plot energji dhe takimet e mia të fundit me të ishin gjithmonë për projektet të cilat po i zhvillonte”, ka thënë ministri Çeku para të pranishmëve në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar.

Sipas ministrit Çeku, ai ishte “njeri i botës që e shihte me syrin e shqiptarit, personalitet poliedrik që ka lënë shumë gjurmë, me shumë stil, me shumë qetësi”.
“Përkundër moshës, planet e tij afatgjate kanë qenë në atë që ai më së shumti ka kontribuuar. Jo vetëm arti, por të gjitha çështjet e rëndësishme publike që lidhen me kombin shqiptar, me shtetin e Kosovës dhe me komunitetin kulturor e artistik. Kështu do ta kujtoj, plot entuziazëm, plot zell, energji, një shqiptar i devotshëm”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se pionieri i grafikës kishte lindur për të qenë artist.
“Meqë hurpën e parë të ujit e piu në Shkodër, vendlindjen e gjithë atyre artistëve e shpirtrave krijues, Shyqri Nimani e paska pasur të përcaktuar qysh në lindje, që thirrjen jetësore ta ketë e të mos merret me tjetër gjë, por veç me art”, ka thënë kryetari Rama.
Emri i Shyqri Nimanit, njeriut me talente të panumërta, sipas tij, është gdhendur përgjithmonë në fushën e artit e të arteve.
“Shumëkush e njeh nëpërmjet veprave të mirënjohura grafike, si logoja ikonë e ‘Hotelit Grand’, simboli i Universitetit të Prishtinës, posteri i filmit ‘117’, pullat pioniere të Kosovës në kohën e UNMIK-ut, logoja e mrekullueshme e KosovaFilmit, faqosjet e ilustrimet e punuara me përpikëri për librin ‘Jesenin’ ose edhe kaligrafimi i tij i famshëm i Deklaratës sonë të Pavarësisë”, ka shtuar Rama. Kur ka përmbledhur një pjesë të aktiviteteve të Nimanit, ka theksuar se kontributet e tij shtrihen edhe larg e përtej sferës së dizajnit grafik e të kaligrafimit.
Bashkëpunëtori i Nimanit, historiani Jusuf Buxhovi, e ka konsideruar si brez të ri të rilindësve.
“Ai brez lirisht mund të them se ishte një brez që ndërlidhej me brezin e rilindësve tonë. Për këtë i kam parasysh dy-tre faktorë. I pari është se edhe Shyqri Nimani, edhe gjithë ai brez, bëri çmos në vitet ’70 e tutje, që vetëdijen tonë historike dhe identitetin e antikitetin ta bartë në krijimtari dhe si të tillë ajo të drejtohet te gjeneratat e ardhshme”, është shprehur Buxhovi. Ka bërë edhe një tjetër vlerësim.

“Grafisti Nimani i ka dhënë shpirt, identitet e art Kosovës”, ka thënë Buxhovi.
Tek është ndërlidhur me fjalën e presidentes Osmani, ka thënë se vepra e tij shkon përtej kaligrafisë së Deklaratës së Pavarësisë.
I pranishëm ka qenë edhe Lulzim Tafa, rektor në Kolegjin AAB, ku për një kohë profesor Nimani ishte i angazhuar.
“Për profesor Nimanin kam folur vazhdimisht dhe shpesh, por gjithmonë në raste të sukseseve, të gëzimeve. Kam folur në raste promovimi librash, të përvjetorëve të suksesit të tij, por asnjëherë nuk e kam menduar se do të flas në një rast kaq pikëllues”, ka thënë Tafa.
Shyqri Nimani u lind më 6 maj të vitit 1941 në Shkodër. Kreu studimet në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd më 1967, ku përfundoi edhe studimet pasuniversitare. Për shumë vjet ishte mësimdhënës i dizajnit grafik në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Për një dekadë ishte drejtori i parë i Galerisë së Arteve të Kosovës, prej vitit 1979. Sipas biografisë së tij në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, krijimtaria e tij artistike përfshin pllakatin, ilustrimet, logot, përgatitjen grafike të librit, si dhe të gjitha disiplinat e aplikueshme në grafikë.
Rrugëtimi i Nimanit qe i bujshëm. Në vitet 1976–1978 qëndroi për hulumtim artistik në Japoni dhe më pas bëri udhëtime studimore në Angli, Francë, Itali, Shqipëri, Rusi, Spanjë, Greqi, SHBA, Singapor e të tjera.
“Realizoi ekspozita personale: Cavtat (1971), Tokio (1978), Beograd (1971, 1975), si dhe mori pjesë në shumë ekspozita kolektive në vend dhe jashtë, në vendet e rajonit dhe më gjerë. Është fitues i disa çmimeve: për logon e Galerisë së Arteve të Kosovës (1976), për logon e Universitetit të Prishtinës, (1979) për logon e ‘Grand Hotel Prishtina’, për logon e kompanisë së sigurimeve ‘Kosova’ (1975), pastaj i çmimit të Shoqatës së Artistëve Aplikativë të Kosovës (1974), Çmimin vjetor në Sallonin e Tetorit në Beograd për logon e RTV-Prishtina (1970) e të tjera”, shkruhet në biografi.
Si kantautor, gjatë viteve ’60, ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar do të realizonte rreth 100 këngë në Radiotelevizionin e Prishtinës, teksa do të botonte tri albume me Jazz Orkestrën e Radiotelevizionit të Beogradit. Këngët si “Adriatiku”, “Ilirjana” dhe “Adriana”, të kënduara nga Nimani, dikur ishin në top-listat muzikore të ish-Jugosllavisë. Ka shumë më shumë kapituj biografia e tij. Shyqri Nimani gravoi vepra e logo. Me veprën e tij ia gravoi emrin vetes në historinë e këtij vendi.