Thënia e disenjatorit kanadez, Robert Peters se “dizajni krijon kulturë, kultura formëson vlera, e vlerat përcaktojnë të ardhmen” merr disa kuptime në ekspozitën retrospektive të Shyqri Nimanit. Përderisa nëpërmjet dizajneve e veprave të tij ia ka prezantuar botës vlerat e kulturës e trashëgimisë shqiptare, krijimtarija e tij gjysmëshekullore vjen si dëshmi për vlerat e këtij artisti dhe rrugën që ka shtruar për të ardhmen e artit
Prishtinë, 7 shtator 2016 – Një imazh që merr formë nga drita e projektorit, në anën e majtë të hyrjes së Galerisë Kombëtare të Kosovës, është një prej paralajmërimeve se ekspozita është punë e një artisti poliedrik. Disenjatori Shyqri Nimani në këtë imazh paraqitet me kitarë. Dikur ai ka kënduar e ka shkruar edhe tekste. Por këtë pjesë në ekspozitën retrospektive e ka mbuluar vetëm nëpërmjet një pamjeje. Pullat postare, librat, pikturat, posterët e veprat e tjera të Nimanit, janë pjesë e ekspozitës, “Një jetë në dizajn”, që është hapur mbrëmjen e së mërkurës. Posterët, që për Nimanin bëjnë pjesë në punët më të rëndësishme të krijimtarisë së tij, paraqesin përvjetorë të figurave të mëdha të artit, ngjarje historike, shenjtëreshën shqiptare, Nënë Terezën. Por ka edhe prej tyre që thumbojnë politikën.
Pullat postare, të cilat Kosova i ka futur në qarkullim pas luftës së fundit, kanë shtetitur nëpër botë me dizajnin e Nimanit. Në radhë të parë trashëgimia kulturore e Kosovës është shndërruar “ambasador” nëpërmjet këtyre pullave. E librat e Nimanit në anglisht e shqip janë adresa e parë për historinë e artit shqiptar. Logot me të cilat identifikohen institucionet shtetërore, si Teatri Kombëtar, “KosovaFilmi”, Universiteti i Prishtinës e Galeria Kombëtare e Arteve po ashtu mbajnë vulën e Nimanit. Të gjitha këto së bashku janë pjesë e mozaikut artistik në ekspozitën retrospektive të Nimanit.
Të pranishmit kanë veçuar rolin e tij, që nëpërmjet artit ka folur për trashëgiminë kulturore e të vërtetën shqiptare. Por Nimani nuk është ndalur me kaq. Ka paraqitur edhe realitetin e Kosovës së ditëve të sotme. Në një pjatë të rregulluar me delikatesë zë vend një peshk i gati për servim. Krahas këtij posteri zë vend një tjetër me peshkun gjysmë të ngrënë. E i treti paraqet vetëm skeletin e peshkut me mbishkrimin: “Shitja e pasurive të Kosovës”. Kësisoj vepra paraqet shtetin si një fosil që ka dalë jashtë përdorimit. Janë mbi 30 pulla postare, ku paraqiten eksponate e figura reprezentative të Kosovës. Artefakti më reprezentativ i Kosovës, “Hyjnesha në fron”, ka qarkulluar nëpër botë në pullën postare të punuar nga Nimani, në vitin 2001, në kohën kur ky eksponat po qëndronte në Beograd. E ajo që cilësohet primadonë e tetarit kosovar, Melihate Ajeti, nëpërmjet pullës postare të Nimanit ka dëshmuar traditën skenike të Kosovës. Vetë Nimani ka thënë se nuk është e lehtë që për ekspozitën retrospektive të përzgjidhen punimet e një krijimtarie më të gjatë se gjysmë shekulli.
“Vërtet artisti duhet ta hapë një ekspozitë retrospektive për ta bërë një përmbledhje të rrugëtimit të gjatë. Ma merr mendja që mosha 70 apo 75-vjeçare është më e mira. Mund të jem i kënaqur me ditën e parë. Me komentet që mora do të thotë se njerëzit janë të kënaqur”, ka thënë disenjatori i parë i Kosovës. Nimani ka thënë se kurrë nuk ka menduar për shpërblimet.
“Në fillim një artisti të ri mund t’i japin shtytje, por më vonë jo. Nuk e di as sa logo i kam bërë. Por kryesoret janë në ekspozitë. Ndodh që në ndonjë konkurs nuk e marr shpërblimin. Por kjo nuk më shqetëson. Kam qenë në treshen më të mirë të Jugosllavisë për posterë”, ka thënë Nimani. Kur ka folur për posterët ka thënë se ata politikë zënë vend të veçantë. Një gomar të rraskapitur e kishte fotografuar në Durrës. E nëpërmjet ilustrimeve mbi shpinë i kishte ngarkuar pasuritë shqiptare. “Albanian Express” është mbishkrimi që i ka vënë në bisht si metaforë se pasuria shqiptare tashmë varet nga gomari.

“Posteri kërkon njohuri shumë të madhe. Katër vjet kam punuar për Teatrin e Beogradit. Edhe studentët duhet t’i mësojmë se duhet të shkojnë pas vlerave”, ka thënë Nimani. Fjalimin në hapje të ekspozitës e ka përmbyllur me një thënie të Nënë Terezës: “Ti jeton vetëm njëherë, por në qoftë se jeton siç duhet, jeton mjaftueshëm”.
Kuratori i ekspozitës Daniel Cosentino ka vlerësuar lart krijimtarinë e Nimanit, i njohur edhe për kaligrafinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në pergamenë por e cila nuk është përfshirë në ekspozitë. Në fjalën e tij në katalogun e ekspozitës Cosentino ka shkruar se gjatë krijimtarisë së tij Nimani iu përgjigj një peizazhi social dhe politik gjithnjë në ndryshim.
“Ngjarjet që çuan në Pavarësinë e Kosovës, pjesërisht e çuan Nimanin për të krijuar vepra, monografi dhe botime që kërkonin rritjen e dinjitetit mesjetar dhe politik të shqiptarëve”, ka shkruar Cosentino. Sipas tij Nimani ka dhënë kontribut të lartë në zhvillimin e Kosovës.
“Vepra e Nimanit shikohet si brenda ashtu edhe jashtë dhe është e informuar me udhëtimet ekstensive të tij”, ka shkruar kuratori Cosentino. Sipas tij të gjithë disenjatorët shpresojnë që të mbajnë gjallë një arritje sikurse ajo e Nmanit.
Piktorja Zake Prelvukaj ka thënë se profesori universitar, Nimani, është jo vetëm një artist, por edhe një studiues i jashtëzakonshëm i kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Sipas saj te arti i Shqyri Nimanit gjomonë baza janë faktet.
“Në çdo segment ai veçon faktet dhe gjërat tona. Ai mund të flasë për monedhat, emblemat e shumë gjëra të tjera. Për krejt çfarë ftel ai u vë vulë. Ekspozita e tij është një dëshmi e shekullit shqiptar”, ka thënë Prelvukaj.
Në hapje të ekspozitës, drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, tek ka folur për karrierën e gjatë të Nimanit, ka thënë se nuk bëhet fjalë për çfarëdo karriere.
“Por një karrierë e cila saktësisht e përfaqëson një artist të shekullit XXI. Një artist të shumë disiplinave, i cili pos që është disenjator, në radhë të parë është edhe autor këngësh, këngëtar, tekstshkrues, autor i shumë librave”, ka thënë Agani. Sipas saj Nimani qëndron krah për krah me artistët bashkëkohorë të botës që i takojnë një gjenerate që është ballafaquar me shumë sfida sidomos me ato të transicionit në shoqëri dhe përparimit të shpejtë të teknologjisë.
Katalogu i ekspozitës hapet me thënien e disenjatorit kanadez, Robert Peters: “Dizajni krijon kulturë. Kultura formëson vlera. Vlerat përcaktojnë të ardhmen”. E Nimani në dizajnët e tij ka paraqitur vlerat e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve e si njëri ndër themeluesit e Fakultetit të Arteve e si profesor ka ndikuar në përcaktimin e së ardhmes.
Ky tekst është botuar për herë të parë në “KOHA Ditore” më 7 shtator 2016. Ribotohet pa ndërhyrje