Shyqri Nimani u lind në Shkodër më 6 maj 1941. Shkollën e Mesme të Artit e kreu në Pejë me sukses të shkëlqyeshëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd në vitin 1967, me notën maksimale 10, në seksionin e përgatitjes së librit. Studimet pasuniversitare i kreu më 1969 në të njëjtën akademi. Ka qenë profesor ordinar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës deri në pensionim.
Në vitet 1976 -1978 ka qëndruar në Japoni si bursist i Qeverisë japoneze për hulumtim artistik. Në vitet 1979-1989 ka qenë drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës. Ka qenë dekan i Fakultetit të Arteve nga viti 1991-1994. Merret me pikturë, grafikë, dizajn dhe me disiplina të tjera të arteve pamore. Ka botuar monografi për artin mesjetar dhe bashkëkohor shqiptar. Ka përkthyer edhe libra nga gjuhë të huaja. Ka ligjëruar në Akademinë e Arteve në Tiranë (Shqipëri), në Universitetin e Tetovës (Maqedoni) dhe tani e dhjetë vjet në Universitetin AAB (Fushë-Kosovë), ku është dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe të Arteve. Ka kaligrafuar Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 2008. Ka bërë udhëtime studimore në shumë vende të botës. Nga viti 1969 e deri më 2010 ka fituar shumë shpërblime dhe mirënjohje kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka hapur dhjetëra ekspozita personale dhe qindra grupore në vend dhe në botë. Është autor i disa monografive.
-------
Poezia. A është poezia apo muzika mbretëreshë e artit? Unë do të thosha se janë të dyja. Ato mbajnë kurora të arta mbi kokë. Besoj se kishte të drejtë japonezi Ki no Tsurayuki (884-946), kur pohonte para më shumë se një mijë vjetëve se “Poezia kishte lindur që kur Qielli ishte ndarë nga Toka”. Andaj, poezia ka një histori të gjatë që daton nga epika sumeriane e Gilgameshit e deri te epika homeriane “Iliada dhe Odisea”. Poezia, për më tepër, gjatë rrugëtimit të saj të gjatë tashmë ka zhvilluar trajta shumë të veçanta, siç është soneti (i cili në shek. XIII u standardizua në katërmbëdhjetë rreshta me rimë dhe strukturë të logjikshme). Njëra nga trajtat më të veçanta, pa dyshim, është trevargu shtatëmbëdhjetërrokëshi i haikut japonez. Ndërkaq, pas kthimit nga Japonia, ku qëndrova për dy vjet dhe pasi që studiova veprat e poetëve Matsuo Basho (1644-1694) dhe Yosa Buson (1716-1783), si dhe të piktorëve Kitagawa Utamaro (1753-1806), Katsushika Hokusai (1760-1849) dhe Utagawa Hiroshige (1797-1858), përktheva dhe ilustrova për botim librin bilingual në shqip dhe japonisht: “HAIKU POEZI JAPONEZE” (“Rilindja”, Prishtinë, 1984), sipas librit të Daniel Buckanan: “One Hundred Famous Haiku”. Edhe pse përgjithësisht mendohet se unë jam shqiptari i parë që i ka ofruar kombit poezinë haiku (1970) – unë mendoj se mbase shumë kohë më parë poetët dhe shkollarët e mëdhenj shqiptarë si Jeronim de Rada (1814-1903), Atë Gjergj Fishta (1871-1940), Fan Noli (1882-1965) apo Faik Konica (1875-1942) mund të kenë sjellë kumte mbi haikun japonez.
Muzika. Unë kam konstatuar që moti se muzika është arti më depërtues në psikën e njeriut. Këtë e kam ndier gjatë 20 vjetëve të mia të preokupimit me muzikë si kantautor. Çdo zhanër i muzikës ka vlerat e veta. Dikush, madje, ka thënë se muzika, jo seksi, e bën të ringjallet! Muzika është forma më e pastër e artit... prandaj poetët e vërtetë kërkojnë të shprehin universin nëpërmjet muzikës... Këngëtari ka gjithçka brenda vetes. Muzika është arti i të menduarit me tinguj. Të dëgjuarit është më i fuqishëm sesa të shikuarit, mendojnë disa. Nëse muzika është ushqimi i dashurisë, kënaqu me të! Kjo është fuqia e dëgjimit dhe efekti më i thellë në zemër. Piktori pikturon shëmbëllesat e tij në pëlhurë, ndërsa muzikantët pikturojnë shëmbëllesat e tyre në heshtje. Nëse mbreti e do muzikën, atëherë vendi do të ndihet mirë. “Pa muzikë jeta do të ishte një gabim”, ka thënë Friedrich Nietzsche. “Ai që këndon i largon gjithandej hallet e tij”, ka pohuar Cervantes. Rezonancat muzikore janë ato që ndjenjave u pëlqejnë më së shumti.
Dizajni. Nga dita që kam hyrë në botën e dizajnit grafik, unë jam bërë pjesë e pandashme e kësaj fushe shumë të rëndësishme të veprimtarisë artistike. Dizajni grafik është proces i komunikimit vizual dhe i zgjidhjes së problemeve përmes tipografisë, hapësirës, imazhit dhe ngjyrës. Përdorimet e zakonshme të dizajnit grafik përfshijnë identitetin (logot dhe brendingun), publikimet (revistat, gazetat dhe librat), reklamat e shtypura, posterët, billbordët, grafikat e uebsajtit me elemente të tjera, shenjat dhe paketimet e produkteve. Kompozicioni dhe kumtesat metaforike janë nga karakteristikat më të rëndësishme të dizajnit grafik. Emërtimi Graphic Design për herë të parë u shfaq në shtyp në një ese të vitit 1922 nga William Addison Dwiggins, i cili ishte disenjator amerikan i librave në fillim të shekullit XX. Shenjëzimi në Underground-in e Londrës është shembull klasik i dizajnit të epokës moderne dhe të përdorimit të një typefacei të projektuar nga Edward Johnston në vitin 1916. Vlerësoj se konstatimi i disenjatorit kanadez, Robert L. Peters, esencialisht e formulon rolin e pazëvendësueshëm të dizajnit në shoqëritë bashkëkohore: DIZAJNI KRIJON KULTURË. KULTURA FORMËSON VLERA. VLERAT PËRCAKTOJNË TË ARDHMEN. (DESIGN CREATES CULTURE. CULTURE SHAPES VALUES. VALUES DETERMINE THE FUTURE).
Udhëpërshkrimet. Udhëpërshkrimi si trajtë specifike letrare është shumë pak i pranishëm në letërsinë shqiptare. Nga shtegtimet e mia nëpër shumë kontinente dhe shtete të planetit tonë, rëndom kam mbajtur shënime në formë ditari. Nga këto shënime kam krijuar udhëpërshkrimet, që janë botuar kohë pas kohe në shtypin shqiptar të Kosovës. Edhe disiplina e rëndësishme e udhëpërshkrimeve është njëra nga përkushtimet e mia të pandërprera. Historia, gjeografia dhe trashëgimia kulturore e vendeve të shumta që i kam vizituar më kanë impresionuar deri në mahnitje. Këto udhëpërshkrime pasqyrojnë disa nga përshtypjet e mia nga vizitat në këto shtete, të cilat kanë pasur karakter studimor: Angli, Francë, Itali, Shqipëri, BRSS, Spanjë, Greqi, Meksikë, Gjermani, Austri, Siri, ShBA, Japoni, Singapor, Hong Kong, Indi, Skandinavi (Finlandë, Suedi, Norvegji), Danimarkë, Turqi, Bullgari, Egjipt, Qipro, Belgjikë, Holandë, Rumani etj.
Trashëgimia. Angazhimi im në fushën e eseistikës së arteve figurative dhe të dizajnit (në formë skice, shqyrtimi, kritike apo eseje) daton që nga ditët studentore. Vargoi i subjekteve të trajtuara është i gjatë (qindra sosh) si në numër, ashtu edhe në kohë. Këto përpilime, që kulmojnë në dhjetëra monografi reprezentative, janë reflektime nga vizitat e bëra visareve të muzeve eminente botërore, shqyrtime mbi tendencat në artin bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe vlerësime të artit mijëravjeçar shqiptar. Përpilimi i monografive mbi trashëgiminë e arteve pamore shqiptare do të mbetet njëra nga devotshmëritë e mia më pasionante. ‘Onufri dhe Piktorë të Tjerë Mesjetarë Shqiptarë”, 1987; “Arti Bashkëkohor i Kosovës', 1988; “Përgatitja e Librit”, 1990; “Shqyrtime Artistike”, 1990; “10x10–Ars Longa Vita Brevis”, 1994; “Trojet Shqiptare në Harta dhe Stema” (shqip, anglisht, gjermanisht, 1997) – Kjo monografi është shpërblyer me rastin e 85-vjetorit të Republikës së Shqipërisë. “Arnavud–Artistët Shqiptarë në Perandorinë Osmane', 2003; “Gurë të Mozaikut Shqiptar”, 2011; “Mehmet Ali Pasha – Kapedani Shqiptar që ia Ktheu Dinjitetin Egjiptit”, 2012; “Rexhep Rakovica – Fotografi Pasionant i Prishtinës”, 2013; “Nëpër Gjemba Drejt Yjeve”, Autobiografi, 2016; “Albanese – Krijuesit Shqiptarë në Renesansën Italiane', (botohet më 2017); “Lufta e Kosovës – 78 Ditët e Bombardimeve të NATO-s”, (botohet më 2017).
Arsimi. Kosova pas rreth 60 vjetësh nën pushtimin serbojugosllav, me vonesë të madhe, më 1970, arriti ta themelonte Universitetin e saj. Unë jam i lumtur që dhashë kontributin tim për themelimin e Universitetit të Prishtinës dhe në kuadër të tij themeluam edhe Akademinë e Arteve – Katedrën e Dizajnit Grafik, të cilën e udhëhoqa nga fillimi. Pushtuesit e Kosovës nuk iu përmbajtën parimeve themelore të misionit të UNESCO-s (The United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization), e cila u themelua urgjentisht më 1945, si pasojë e një lufte të madhe dhe të tmerrshme botërore. Arsimimi, në kuptimin më të gjerë dhe më fisnik të kësaj fjale, është në zemër të këtij misioni. Për UNESCO-n, arsimi nuk është vetëm një e drejtë, e sanksionuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, ajo është gjithashtu qëllimi kryesor dhe aksion i vetëm i veprimit. Ky mision etik është me definicion të një misioni edukativ. Ky është themeli i vetëm mbi të cilin mund të vendoset një paqe e qëndrueshme mes kombeve dhe popujve. Arsimi është sine qua non (domosdoshmëri) për pjesëmarrje efektive në shoqërinë moderne. Për këtë arsye lufta kundër analfabetizmit dhe promovimi i arsimit për të gjithë janë përparësitë kryesore të UNESCO-s, sepse “edukimi i njerëzimit për drejtësi e liri dhe paqe janë të domosdoshme për dinjitetin e njeriut dhe përbëjnë një detyrë të shenjtë të cilën të gjitha kombet duhet ta përmbushin në frymën e ndihmës së ndërsjellë dhe të përkushtimit.” Ky mision është jetësor sot, siç ishte dje dhe do të jetë nesër.
Krijimtaria. Mua gjithnjë më ka magjepsur krijimtaria inventive dhe energjia titanike e njerëzve si Ibn-Sina, i njohur ndërkombëtarisht me emrin Avicena (emri i plotë: Ebu Ali el-Husein ibn Abdullah ibn el-Hasan ibn Ali ibn Sina), i cili ka lindur në Ceuta të Marokut rreth vitit 980 dhe ka vdekur më 1037. Ishte dijetar persian i cili konsiderohet si një nga mendimtarët dhe shkrimtarët më të shkëlqyer të periudhës së artë islamike. Përveç filozofisë dhe mjekësisë, opusi krijues i Avicenës përfshin shkrimet në astronomi, alkimi, gjeografi e gjeologji, psikologji, teologjinë islamike, logjikë, matematikë, fizikë dhe poezi. Nga 450 veprat e tij që janë të njohura, rreth 240 kanë mbijetuar, duke përfshirë 150 mbi filozofinë dhe 40 mbi mjekësinë. Veprat e tij më të famshme janë “Libri i Shërimit” (The Book of Healing) – një enciklopedi filozofike dhe shkencore dhe “Kanuni i Mjekësisë” (The Canon of Medicine) – një enciklopedi mjekësore e cila u bë tekst standard mjekësor në shumë universitete mesjetare dhe mbeti në përdorim deri në fund të vitit 1650. Në vitin 1973, Kanuni i Ibn Sinës mbi mjekësinë u ribotuan në New York. Ibn-Sina më fascinonte me guximin e tij hulumtues për tejkalimin e Rubikonit – të kuptonte se ku fillon dhe ku mbaron hapësira e pafund e Gjithësisë! Të eksperimentonte me elikësirët personalë për ringjalljen e njeriut pas vdekjes!