Kulturë

Shyqri Nimani – mjeshtër i grafikës, sinonim i pasionit për të bukurën

“Emri i artit sot është dizajni, sepse gjendet në çdo pore të veprimtarisë së njeriut. Në çdo hapësirë gjithçka është e dizajnuar, asgjë nuk ka dalë nga vetë natyra”, do të thoshte Shqyri Nimani. Emri i tij sot e përherë është i lidhur me artin e Kosovës dhe popullit i la shumë. Sepse një gjë ishte krejt e qartë për të: “Populli e do të bukurën kur edhe e krijon”. Artisti shumëdimensional, bartës i jetës artistike në vend dhe njëri prej zërave më unikë, ndër të tjera edhe kaligraf i Deklaratës së Pavarësisë, shkruar në pergamenë, vdiq të enjten në moshën 82-vjeçare

Ka qenë gati si një lloj maksime e tij se secili duhet të lërë diçka për gjeneratat që vijnë pas. E, Shyqri Nimani ia ka lënë artit të Kosovës thesarin e çmueshëm të tij jo vetëm si krijues, por edhe si udhëheqës institucionesh, nismëtar në themelim të tyre, si studiues e si profesor në edukim gjeneratash të tëra. Mbi të gjitha, shembullin e një artisti në kuptimin e plotë të fjalës. Në të gjallë qe enciklopedi e kulturës, elegant në botën e pakufishme të tij, maestro në art.

Njëri prej artistëve më të shquar shqiptarë, pionier i grafikës në këto anë, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme nëpërmjet veprave e logove të institucioneve qendrore të Kosovës, ka vdekur të enjten. Ai ishte 82-vjeçar. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë familja Nimani.

Artisti shumëdimensional ka qenë bartës i jetës artistike në vend dhe njëri prej zërave më unikë, ndër të tjera edhe kaligraf i Deklaratës së Pavarësisë, shkruar në pergamenë.

U lind më 6 maj të vitit 1941 në Shkodër. Kreu studimet në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd më 1967, ku përfundoi edhe studimet pasuniversitare. Për shumë vjet ishte mësimdhënës i dizajnit grafik në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Për një dekadë ishte drejtori i parë i Galerisë së Arteve të Kosovës, prej vitit 1979.

Sipas biografisë së tij në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, krijimtaria e tij artistike përfshin pllakatin, ilustrimet, logot, përgatitjen grafike të librit, si dhe të gjitha disiplinat e aplikueshme në grafikë.

Rrugëtimi i Nimanit qe i bujshëm. Në vitet 1976-1978 qëndroi për hulumtim artistik në Japoni dhe më pas bëri udhëtime studimore në Angli, Francë, Itali, Shqipëri, Rusi, Spanjë, Greqi, ShBA, Singapor e të tjera.

“Realizoi ekspozita personale: Cavtat (1971), Tokio (1978), Beograd (1971, 1975) si dhe mori pjesë në shumë ekspozita kolektive në vend dhe jashtë, në vendet e rajonit dhe më gjerë. Është fitues i disa çmimeve: për logon e Galerisë së Arteve të Kosovës (1976), për logon e Universitetit të Prishtinës, (1979) për logon e hotelit Grand Hotel Prishtina, për logon e kompanisë së sigurimeve “Kosova” (1975), pastaj i çmimit të Shoqatës së Artistëve Aplikativë të Kosovës (1974) Çmimin vjetor në Sallonin e Tetorit në Beograd për logon e RTV-Prishtina (1970) e të tjera”, shkruhet në biografi.

Sot gjurmët e artit të tij janë ngado. Emri i tij, i patejkalueshëm në historinë e re të Kosovës e të shqiptarëve. Njashtu është kujtuar në ditëvdekjen e tij, nga ata që e njohën e punuan me të, sikurse edhe nga zyrtarët më të lartë të shtetit.

Lamtumira e fundit do të t’i jepet të premten në Prishtinë, në orën 17:00. Paraprakisht, homazhet dhe mbledhja komemorative do të mbahen në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Kozmopolit e frymëzues gjeneratash

Si figurë qenësore të fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë si fushëveprim, ku ka qenë edhe bartës i proceseve të ngritjes profesionale e arsimore të gjeneratave të reja të kësaj fushe në vend, e ka kujtuar Shyqri Nimanin kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një telegram ngushëllimi.

“Si figurë kozmopolite, ishte nxitësi dhe organizatori kryesor në themelimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe të koleksionit të saj. Autor i shumë veprave mbi dizajnin grafik, tipografinë dhe artin në përgjithësi. Në mesin e shumë kontributeve dhe veprave, profesor Nimani do të mbahet në mend edhe si kaligrafi i deklaratës origjinale të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, që është nënshkruar më 17 Shkurt 2008”, ka shkruar ndër të tjera kryeministri Kurti.

Pasioni me të cilin fliste për artin ka qenë i përhershëm në diskursin e Nimanit. Pikërisht edhe këtë ia kanë veçuar ata që e njohën, bashkëpunuan apo e takuan. Ia ka veçuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka quajtur “intelektual të jashtëzakonshëm, pasioni dhe përkushtimi i të cilit frymëzoi studentë të panumërt”.

“Veprimtaria e tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe besimit të palëkundur në fuqinë transformuese të artit e të kulturës”, ka shkruar presidentja Osmani.

“Mjeshtër i arteve të bukura”, ka qenë njëri prej cilësimeve që ia ka dhënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Do ta kujtojmë si një nga emrat më kulmorë të artit në vendin tonë, që la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike”, ka shkruar ministri Çeku. Ka veçuar disa prej veprave prej krijimtarisë së bujshme të Nimanit.

“Teksa kujtojmë vetëm disa nga veprat e tij, si dorëshkrimin e artë në aktin themeltar të shtetit tonë, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, krijimin e logos identifikuese të Grand Hotelit, KosovaFilmit, deri te simboli i Universitetit të Prishtinës, e themi me gjithë zemër se prof. Nimani me meritë të plotë e të padiskutueshme ka zënë një vend nderi në listën e gjatë të krijuesve dhe studiuesve të kohës sonë”, ka shkruar Çeku. Ministrja e Arsimit, Arbëria Nagavci, ndër të tjera, ka njohur kontributin e tij edhe në institucionet arsimore.

“Me përkushtim e vullnet të madh profesor Nimani ia kushtoi jetën artit, kulturës, shkencës dhe arsimit, për t’i lënë historisë së Kosovës vepra të mëdha. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë duke bartur njohuritë dhe përvojën e vet tek studentët”, ka shkruar ministrja Nagavci.

Veprimtaria e Nimanit lidhet ngushtësisht edhe me Galerinë e Arteve të Kosovës, më pas Galeria Kombëtare e Kosovës. Qe njëri prej themeltarëve të saj e drejtori i parë i institucionit më të lartë të artit pamor në vend.

“Gjatë kësaj kohe në galeri është ndërtuar dhe pasuruar fondi i Galerisë dhe janë realizuar mbi 160 ekspozita”, ka shkruar Galeria Kombëtare e Kosovës, duke veçuar edhe veprat studimore të Nimanit. “Onufri dhe piktorë të tjerë mesjetarë shqiptarë” më 1987, “Arti bashkëkohor i Kosovës” më 1988, “Përgatitja e librit” më 1990, “10×10 – Ars Longa Vita Brevis” më 1994; “Trojet shqiptare në harta dhe stema” më 1997; “Arnavud – Artistët Shqiptarë në Perandorinë Osmane” më 2003, “Gurë të Mozaikut Shqiptar” më 2011; “Mehmet Ali Pasha” më 2012; “Artistët Shqiptarë Gjatë Renesancës Italiane”, janë disa prej veprave studimore që mbajnë vulën e Nimanit. Pasioni i tij për artin nuk zbehej kurrë. Për të punoi deri në frymën e fundit. Sepse jetonte për artin. E arti jetonte me të.

Artisti shumëdimensional që s’ndalej kurrë

Skulptori Luan Mulliqi ka thënë se Shyqri Nimani ishte prej disenjatorëve të parë grafikë, në fushën e dizajnit ka dhënë një kontribut të veçantë.

“Pastaj me hapjen e Galerisë ishte drejtori i parë i saj. Qëndroi aty gati një dekadë. Ishte njëkohësisht edhe pedagog në Fakultetin e Arteve. Edhe aty për gati katër dekada. Por, më së shumti do të mbahet mend për krijimtarinë e tij në fushën e dizajnit grafik”, ka thënë Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili për një dekadë deri më 2007 ka qenë drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës.

“Ishte prej artistëve më të informuar në lidhje me ecurinë e artit botëror në tërësi, por edhe artit shqiptar në veçanti”, ka thënë Mulliqi.

Pikërisht në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ekspozita “Rishikime” e Violeta Xhaferit, e hapur pak orë pas lajmit për vdekjen e artistit të shquar, i është kushtuar atij dhe kujtimit për të.

“Jam e sigurt që prej të gjithëve këtu askush nuk e ka njohur më mirë se unë, sepse ne jemi gati një gjeneratë. Ai ka qenë artist me kulturë të lartë. Është kujdesur vazhdimisht kur ka pasur të hapte ndonjë ekspozitë, çdoherë më ka ftuar. Madje kur nuk kam mundur unë, ai ka ardhur e i ka marrë punimet e mia dhe i ka bartur për në shtetin ku do të prezantoheshin. Njëmend më ka tronditur vdekja e tij”, ka thënë Xhaferi në hapjen e ekspozitës së saj, ku publikut i prezantohet me opusin e krijimtarisë përgjatë një gjysmëshekulli.

Aty ka qenë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili është zotuar se artisti do të kujtohet përherë.

“Do të angazhohemi që vepra dhe trashëgimia e tij të ruhen, të promovohen dhe të kultivohen me përkushtim institucional. Do të sigurohemi që krijimtaria e tij të mbetet edhe më tutje udhërrëfyes për brezat e ardhshëm, siç ka qenë deri tani”, ka thënë ministri Çeku.

Dhe ka jo pak arsye për këtë. Kontributi i tij njihej kaherë. Si udhërrëfyes, po se po.

Grafisti Zeni Ballazhi, me profesion të njëjtë si profesor Nimani, ia shpeshtonte takimet. I fundit qe në Gjakovë, ku si ekspertë u ishte kërkuar mendim profesional për logon e Komunës.

“Aty u njohëm edhe një tjetër herë. Janë të tepërta veprat, të cilat ai i ka lënë. Mendoj se Shyqriu ka lënë gjurmë artistike pas të cilave gjeneratat e reja do të kenë mundësi frymëzimi qoftë edhe të hulumtimit të gjithë punës së tij që ka bërë deri tani. Ai ka një hulumtim goxha të madh rreth punës finale për të cilën unë kam bërë edhe disa monografi. Nëpërmjet të gjitha këtyre që ka lënë pas, ne dhe të tjerët që do të vijnë pas nesh do të kenë mundësinë të njohin kulturën e këtij vendi që është më se e nevojshme sot”, ka thënë Ballazhi për KOHËN.

Arta Agani, dikur studente e tij, më pas kolege, ka thënë se vdekja e profesorit Shyqri Nimani është humbje e madhe për kulturën kosovare.

“Vlerat e tij janë të pakufishme, ndërsa ne që jemi ish-studentë dhe kolegë profesionalë të tij nuk mund të anashkalojmë faktin se ai e solli dizajnin grafik në Kosovë. Po ashtu e themeloi GKK-në, ndërsa shumica e veprave që janë në koleksion, janë aty falë ndërmarrësisë dhe ingjenuitetit të tij”, ka thënë Agani, ish-drejtoreshë e GKK-së, në një deklaratë për KOHËN.

Për të, Nimani mund të quhet njëri prej artistëve të parë interdisiplinar dhe dhuntinë e ka shprehur në forma të ndryshme.

“Jo vetëm se ka bërë histori, por edhe se deri në momentet e fundit të jetës ka qenë aktiv duke krijuar dhe shkruar libra. Veçantia e tij ka qenë se kurrë nuk është dorëzuar dhe kurrë nuk ka thënë: ‘Mjaft’. Ka qenë i shtytur gjithmonë për të kontribuar në maksimum, i shtytur nga dhuntia e tij artistike”, ka thënë Agani në një deklaratë për KOHËN.

Se ai nuk mjaftohej me art e ka konfirmuar edhe piktorja Zake Prelvukaj. E ftuar në “Express” të KTV-së, ka kujtuar se në bisedat e fundit me familjarë të Nimanit i kanë treguar se profesori po përmendte “një libër të ri, krejt ndryshe prej atyre që ka punuar deri më tash”.

Prelvukaj do të punësohej në Fakultetin e Arteve në vitet ’90, kur Nimani qe dekan i Fakultetit. Ka kujtuar takimin e parë dhe të fundit me artistin. U takuan në shtëpinë ku ishte bartur Fakulteti pas masave të dhunshme, aty ku Prelvukaj nisi mbajtjen e ligjëratave. Gjeti përkrahjen e paçmueshme prej tij. I fundit qe ai si anëtarë të Këshillit Drejtues të GKK-së dhe një kafe më pas.

“Ishim krejt femra. I kishte paguar kafet para nesh dhe na e dha nga një trëndafil. Ka qenë xhentëlmen i vërtetë”, ka kujtuar Prelvukaj.

Krejt në fund të postimit të saj, artisja Eliza Hoxha, njëherësh deputete, e ka falënderuar Shyqri Nimanin për “...trashëgiminë artistike që ia la këtij vendi”.

“Artistët gjithmonë më shumë japin se që marrin nga shoqëria ku i përkasin. Por, një në një milion ka fatin që me dorën e tij të gdhendë Deklaratën e Pavarësisë së vendit të tij. Ne e kishim fatin ta jetonim aktin e Shpalljen së Pavarësisë e profa Shyqri Nimani ta jetësojë përjetësisht atë si dokument”, ka shkruar Hoxha, teksa ka ngushëlluar artdashësit. E ata janë të shumtë, sepse shumëdimensional ishte arti i Nimanit e këtë e konfirmon edhe rrugëtimi i krijimtarisë së tij.

Qysh në fillet e karrierës u bë i njohur edhe si zë unik edhe në muzikë. Si kantautor, gjatë viteve ’60, ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar do të realizonte rreth 100 këngë në Radiotelevizionin e Prishtinës, teksa do të botonte tri albume me Jazz Orkestrën e Radiotelevizionit të Beogradit. Këngët si “Adriatiku”, “Ilirjana” dhe “Adriana”, të kënduara nga Nimani, dikur ishin në toplistat muzikore të ish-Jugosllavisë.

Ky kapitull i artit të tij do të rikthehej në skenë me koncertin “Nëpër gjemba drejt yjeve”, në dhjetor të vitit 2021, në 80-vjetorin e karrierës së Nimanit.

“Unë mendoj se sonte është thënë gjithçka që është dashur që të thuhej dhe është thënë në mënyrën më të bukur, e mënyrë më të bukur se muzika nuk ekziston. Unë jam marrë me 12 fusha të ndryshme dhe me arte, por dua ta pranojmë se muzika është arti i parë për arsye se depërton në shpirtin e njeriut dhe e ngashënjen. Dhe unë sa herë që e dëgjoj sot muzikën çlodhem nga puna ime”, kishte thënë ai në koncertin kur pjesëtare të gjeneratës së tanishme të skenës do të rikthenin disa prej këngëve të Nimanit.

“Populli e do të bukurën...”

Dhe me punën e tij për gjashtë dekada e sa, Shyqri Nimani ka lënë një thesar të çmuar të artit. Me të ka vulosur emrin e tij, njashtu siç ka bërë me kaligrafimin e Deklaratës së Pavarësisë, konceptimin e realizimin e logove që edhe sot mbesin ndër më të shquarat në vepra të tjera grafike e, mbi të gjitha, me krejt punën me të cilën ka përjetësuar të bukurën.

Sepse e bukura ishte pasioni i Shyqri Nimanit. Me pasion fliste për të dhe jetoi me të.

“Emri i artit sot është dizajni, sepse gjendet në çdo pore të veprimtarisë së njeriut. Në çdo hapësirë gjithçka është e dizajnuar, asgjë nuk ka dalë nga vetë natyra”, do të thoshte Shqyri Nimani në shkurtin e sivjetmë, në rrëfimin e tij jetësor në emisionin “ProX” në Kohavision. Emri i tij sot e përherë është i lidhur me artin e Kosovës dhe popullit i la shumë. Sepse një gjë ishte krejt e qartë për të. “Populli e do të bukurën kur edhe e krijon”, kishte thënë Nimani, elegant në intervistë, në jetë e në art. Edhe një tjetër gjë për maestron ishte krejt e kthjellët.

“Secili prej nesh duhet të lërë diçka, sikur gjeneratat e para që na kanë lënë vlera të jashtëzakonshme, të cilat shpesh dimë t’i ruajmë, por shpesh nuk dimë të sillemi mirë. Prandaj, duhet të kemi shumë kujdes për trashëgiminë dhe njerëzit që e meritojnë e janë në panteonin kombëtar shqiptar, të cilëve për shumë gjenerata me radhë nuk mund t’ua kthejmë borxhin që kemi ndaj tyre”, kishte thënë ai në dimrin e sivjetmë. Shyqri Nimani e ka të sigurt vendin në panteonin e artit shqiptar.