Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Vatra” – thelbi i jetës muzikore, shembull i raporteve shqiptaro-amerikane

Historia e ardhjes së vullnetarëve shqiptaro-amerikanë në vitin 1920 për të nxitur ndjenja entuziaste besimi dhe frymë atdhetare në popull, pas rikonfirmimit të pavarësisë me Kongresin e Lushnjës, është ajo që ka në thelb libri “Banda kombëtare ‘Vatra’, një histori unike shqiptaro-amerikane”, i akademikut Vasil Tole, i përuruar të premten në Tiranë. Botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, kjo vepër monografike, siç shkruan autori, merr në shtjellim se si “Vatra” u bë pjesë e historisë së luftës së Vlorës me kurajën e saj për të inkurajuar shpirtin luftarak popullor ballë për ballë me rrezikun, me repertorin e këngëve marshe, që mobilizonin ndërgjegjen atdhetare. Shembull është kënga “Vlora-Vlora”, që u krijua nga drejtuesi i kësaj bande, Thoma Nasi, me tekst të poetit Ali Asllani, që i dha identitet kësaj lufte. Por jo vetëm kaq. Sjell historinë e “Vatrës” prej viteve ’20 të shekullit të kaluar e deri në ditët e sotme dhe rolin e saj në institucionalizimin e muzikës pranë institucioneve të shtetit shqiptar.

“Kontributin e Thoma Nasit si krijues e drejtues i formacionit muzikor, i bandës ‘Vatra’, dhe dirigjenti dhe ideatori i orkestrës së parë simfonike shqiptare të krijuar në Korçë. Banda Kombëtare ‘Vatra’ është interpretuesja e parë zyrtare e himnit kombëtar. Ajo ka interpretuar të gjitha këngët e njohura patriotike, si: ‘Dua më shumë mëmëdhenë’ apo ‘Eja mblidhemi këtu-këtu’”, ka thënë Tole, raportojnë mediat shqiptare. Bazuar në dokumente arkivore, që shpalosen për herë të parë, “Banda muzikore ‘Vatra’...” sjell edhe të tjera dëshmi. Tek përmbledh historinë e bandës, që u bë presidenciale e mandej mbretërore, që mblodhi trashëgiminë folklorike dhe nxiti mësimin e muzikës në shkolla, hidhet poshtë edhe viti i themelimit të Filarmonisë së parë shqiptare. “Deri më sot dinim që Filarmonia e parë u krijua më 1950, por në fakt jo, u krijua më 1924”, ka thënë akademiku Tole.

Autori i këtij studimi ka marrë në vështrim lidhjet dhe dallimet midis bandës muzikore “Vatra” dhe shoqatës atdhetare “Vatra”, duke gjetur rastin të theksojë rolin e shqiptaro-amerikanëve në jetën e Shqipërisë shtetërore, ndryshimet që i solli në rrjedhat e historisë kombëtare shfaqja e interesimit amerikan për çështjen shqiptare me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe sidomos me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve më 1922.

Siç shkruhet për të, monografia është në të njëjtën kohë edhe histori e themelimit dhe e rrugëtimit të gjatë njëqindvjeçar të bandës muzikore shtetërore, krijuar mbi bazën e bandës “Vatra”, me një vendim të Qeverisë së Sulejman Delvinës.