Mbrëmjen e së dielës, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ansamble tingujsh kanë formuar vepra që janë zbërthyer në aksion humanitar. Ka nisur me “Katër këngë dasmore dhe një valle” për klarinetë dhe piano nga Thoma Simaku. Astrit Mustafa në klarinetë i ka dhënë bukuri veprës me ngjyra të muzikës tradicionale shqiptare, teksa pianoja e ka mbajtur ritmin duke e thyer me një lloj ngjyrimi klasik
Muzika klasike tradicionale e krijimet bashkëkohore në atmosferë festive të fundvitit synojnë të ndriçojnë zemrat e fëmijëve me shpresë. Muzika është kthyer në kauzë për ndërgjegjësim e ndihmë të fëmijëve me kancer. Vjen si dhuratë nga organizata “Action for Health” dhe nga kasta e muzikantëve.
Mbrëmjen e së dielës, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ansamble tingujsh kanë formuar vepra që janë zbërthyer në aksion humanitar.
Ka nisur me “Katër këngë dasmore dhe një valle” për klarinetë dhe piano nga Thoma Simaku. Astrit Mustafa në klarinetë i ka dhënë bukuri veprës me ngjyra të muzikës tradicionale shqiptare, teksa pianoja e ka mbajtur ritmin duke e thyer me një lloj ngjyrimi klasik. Ka pasur kontraste midis tyre. Disa kanë qenë shumë më ritmike, me temp të shpejtë dhe ku klarineta e pianoja, në të cilën ka luajtur Iliriana Kuriu-Mustafa, kanë ngjarë të pavarura nga njëra-tjetra duke sjellë secili versionin e tyre të tregimit me këngë.
Klarinetisti Astrit Mustafa ka thënë se veprat e tyre janë zgjedhur asisoj që të jenë të pranueshme për publikun, por edhe duke iu përshtatur atmosferës festive të fundvitit.
“Karakteristikë e këtyre veprave është që të jenë të pranueshme për publikun. Ne kaherë nëpër koncerte përpiqemi t’i nxjerrim para publikut veprat e kompozitorëve tanë. Janë veprat e Thoma Simakut e të Vincent Gjinit. Janë të përzgjedhura për atmosferë festive, për të qenë atraktive për publikun, për t’u përshtatur e për të qenë më pranë publikut. Prandaj kanë qenë kaq të pranueshme”, ka thënë ai.
“Variacione në temë popullore” nga Vinçenc Gjini është sjellë mbi temën e këngës popullore “Laje ti moj goce”. Janë gjashtë variacione dhe secila është kapitull më vete.
"Clarinet Sonata in es-dur” për klarinetë dhe piano nga Felix Mendelssohn ka qenë si dialog romantik midis dy instrumenteve. Klarinetistit Mustafa i është bashkuar pianistja Nezahate Shala-Zeka. E kësaj të fundit pianistja Zana Badivuku-Basha për interpretimin e “Pranvera në Prishtinë” nga Musa Piperku, aranzhuar nga Kreshnik Aliçkaj.
Katër duar në piano kanë sjellë gjithë ngjyrat e kësaj vepre. Si ilustrime të peizazheve të kryeqytetit. Derisa njëra ka mbajtur ritmin dhe tjetra ka luajtur temën qendrore, këto role janë ndërruar shpesh. Ashtu ka ngjarë edhe në veprën “Dimri” nga Astor Piazzolla, e cila ka tingëlluar magjishëm në këtë formacion. Me gjithë ritmet e bukura, ka edhe anën virtuoze të cilën e shpërfaqin dy pianistet në dialog, në të njëjtin instrument e në sinkron perfekt për të njëjtat ritme.
Pianistja Nezahate Shala-Zeka ka thënë se loja në një formacion të tillë krijon më shumë mundësi të shprehjes.
“Loja në duet është gjithmonë shumë e dashur për çdo instrumentist, sepse ka më shumë mundësi të shprehjes. Mua më pëlqen shumë loja në duete e trio. Ky koncert, për vetë mesazhet e tij mendoj se ka qenë shumë I rëndësishëm, dedikuar fëmijëve me probleme shëndetësore. Jemi të kënaqur që kemi mundur sado pak të kontribuojmë me artin tonë për të mbledhur mjete në ndihmë të fëmijëve”, ka thënë ajo.
“Marshi i vogël vienez” nga Fritz Kreisler është sjellë në duet midis dy motrave, muzikante të shquara të skenës klasike, edhe përtej vendit. Violinistja Sihana Badivuku dhe pianistja Zana Badivuku kanë sjellë tingujt e prehtë të veprës. “Rozmarini i bukur”, po ashtu nga Kreisler, ka qenë plot finesa muzikore nga violina. “Valle hungareze no.2” nga Johannes Brahms ka qenë plot elemente tradicionale.
E dyshja Badivuku e kanë mbyllur koncertin me veprën e nënës së tyre, Pranvera Badivuku. “E kujtoj atë takim”, aranzhuar nga Kreshnik Aliçkaj për këtë formacion ka qenë tejet estetike në ritme.
Nezaqete Rukovci nga organizata “Action for Health” ka adresuar qëllimin dhe natyrën e koncertit. Ka thënë se synojnë të bëhen pjesë e historisë së të prekurve me kancer. Sëmundje me të cilën vetë ajo është sprovuar.
“Sot është dita e parë e dimrit, por e ngrohtë në zemrat tona për kauzën për të ndihmuar shëndetin. Në Klinikën Pediatrike në Repartin e Onkologjisë paraqiten çdo vit shumë raste. Ato nuk janë vetëm numra, por histori e secilit individ. Ne po bëhemi pjesë e kësaj historie të tyre për të ndihmuar në shërimin e tyre”, ka thënë ajo.
Programin e ka kuruar profesoresha e muzikës, Besa Luzha.
“Unë si profesoreshë e muzikës jam bashkëngjitur me kënaqësi duke ndihmuar me programin artistik, duke kontaktuar kolegët tanë dhe duke u treguar për organizimin më shumë si simbolikë dhe si një rast ku nëpërmjet artit mund të solidarizohemi për një çështje për të cilën shpesh flasim, por pa e provuar vetë nuk mund të kuptosh sfidat”, ka thënë ajo.
Vitin e kaluar organizata “Action for health” pati bashkëpunuar me Baletin Kombëtar të Kosovës për të sjellë shfaqjen “Hope” me koreografi të Sead Vuniqit në Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit.