Dikur kishte interpretuar si student këtu e më shumë se 40 vjet më parë, ende e kujton “Sallën e Kuqe”, prej atëherë ka shëtitur botën e ka arritur në skenat kulmore, e si mjeshtër i pianos Boris Kraleviq nga Mali i Zi është rikthyer në Prishtinë me një koncert recital në të cilin ka zbërthyer veprat klasike me një qasje krejt unike e moderne. Në leximin e tij, trashëgimia klasike muzikore merr jetë të re. “Solla Vjenën e re dhe të vjetër, Schoenberg dhe Schubert”, ka thënë ai për repertorin, por krejt koncerti është një magji më vete
Kontrastet estetike e historike janë përthyer në recitalin e pianistit malazias, Boris Kraleviq, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike “Chopin Piano Fest”. Rrëfimi muzikor erdhi nëpërmjet veprave të Arnold Schoenbergut dhe Franz Schubertit. Koncerti në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare u dallua për qasjen personale ndaj repertorit klasik.
Programi nisi me ciklin “Sechs kleine Klavierstücke (Six Little Piano Pieces), Op. 19” e 1911-s të kompozitorit austriak, Arnold Schoenberg. Janë gjashtë miniatura pianistike që konsiderohen ndër krijimet më përfaqësuese të periudhës së tij.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe gjuhë të përmbledhur muzikore dhe intensitet emocional, këto pjesë hapën koncertin me një atmosferë që ngjante në muzikë bashkëkohore me nota të vendosura larg njëra-tjetrës dhe vijnë si të shthurura.
Pas kësaj, Kraleviq kaloi tek universi i Franz Schubertit me “Katër Impromptu, D 899 (Op. 90)”. Publiku ka dëgjuar katër pjesët në tonalitete të ndryshme me tema midis lirizmit intim dhe shkëlqimit virtuoz. Dramatike e lirike ka qenë e para, virtuoze dhe energjike e dyta, poetike e treta, ndërsa ritmike e fundit.
Shumë emocionale ka qenë “Piano Sonata in A major, D 959”. Me strukturën e saj në katër kohë – nga energjia e “Allegro” te karakteri meditativ i “Andantino”, gjallëria e “Scherzo” dhe përmbyllja dinamike “Rondo: Allegretto–Presto” – sonata ka qenë si një lloj boshti muzikor i mbrëmjes, të enjten në recitalin e dytë me radhë për këtë edicion.
Për pianistin Krajleviq, kjo ka qenë hera e dytë në Prishtinë që ka performuar. Për të parën herë kishte qenë si student.
“Ishte në vitin 1984, hera e parë kur në garën e Federatës së Jugosllavisë kishte disiplinë të pianos, duetit. Dhe në atë kohë unë isha nxënës i Shkollës së Muzikës në Sarajevë në klasën e mësueses sime të mrekullueshme, profesoreshës Neda Stankoviq… Ndodhi që me kolegun tim të klasës të merrnim shumë çmime të para me pikë maksimale. Dhe për shkak të një rezultati kaq të mrekullueshëm, ne jemi nderuar të luajmë në ‘Sallën e Kuqe’ të ‘Boro Ramizit’. Pas kësaj, studiova dy vjet në Titograd, ajo ishte një kohë e mrekullueshme për mua, me profesor Konstantin Boginon, dhe pas një periudhe gati dhjetëvjeçare shkova për të studiuar në Konservatorin e Moskës ‘Çajkovski’ me profesorin legjendar Lev Nauma”, ka treguar ai.

Ka kujtuar karriget e kuqe në “Sallën e Kuqe”, e cila deri tash kishte imazhin e njëjtë edhe mbi katër dekada pas nga performanca e parë e tij në Prishtinë. Infrastruktura vazhdon të mbetet e njëjta, veç publiku ka ndryshuar.
“Më vjen shumë mirë që Prishtina është një qytet kaq modern dhe i gjallë, dhe më i rëndësishmja për mua, kjo audiencë e mrekullueshme, audiencë kaq e vëmendshme. Ju keni dëgjuar shumë koncerte, dhe ky nuk është repertori më i lehtë për t’u dëgjuar, por doja të rifreskoja pak publikun nga Chopini në këtë festival dedikuar tij kështu që solla, le të themi, Vjenën e re dhe të vjetër, Schoenberg dhe Schubert”, është shprehur pianisti malazias.
Kraljeviq konsiderohet ndër pianistët më të njohur të Malit të Zi. Ai është formuar fillimisht në Sarajevë dhe më pas ka vazhduar studimet në Titogradin e asaj kohe, sot Podgoricë, ndërsa një etapë vendimtare në zhvillimin e tij artistik ishte studimi në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë nën drejtimin e pianistit legjendar, Lev Naumov. Aktualisht jeton dhe vepron në Singapor, duke kombinuar aktivitetin koncertal me pedagogjinë.
21 maji, dita kur është mbajtur koncerti, shënon jubileun e dy dekadave Pavarësi të Malit të Zi. Në fjalën e saj, drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, e ka lidhur këtë mbrëmje me momentin historik të shtetit fqinj. Koncerti ka nisur edhe me intonimin e Himnit të Malit të Zi, dhe me fjalime, ndër të cilët edhe ai i ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.
“Uroj përzemërsisht 20-vjetorin e Pavarësisë së Malit të Zi. Veçmas që po festojmë me një mik të cilin e njohim prej mbi 40 vjetësh, pianistin Boris Kraleviq, një nga pianistët më të mirë të Malit të Zi, i cili jeton në Singapor dhe është shkolluar në Bashkimin Sovjetik, në Moskë”, ka thënë Lejla Pula.
Pianistja Lirika Pula e ka theksuar qasjen e veçantë të pianistit Boris Krajleviq ndaj repertorit.
“Pianisti sonte ishte i mrekullueshëm. Kisha kohë që doja ta dëgjoja, sepse kisha dëgjuar shumë për lojën e tij nga kolegët e mi, një nga ta që kishte studiuar me të. U kënaqa shumë me lojën e tij. Ishte komplet e veçantë. Një trajtim komplet ndryshe i veprave, por që është për t’u admiruar. Janë vepra që i dëgjojmë shpesh, por kur i dëgjojmë të ardhura me një koncept pak më ndryshe dhe me një trajtim të tillë siç e bëri ai, pra me dorën e majtë që e trajtoi shumë veçantë, nuk e la si dorë përcjellëse, por e bëri shumë aktive dhe shumë të bukur”, është shprehur ajo.
Recitali i Boris Kraljeviqit ka sjellë lexim bashkëkohor të veprave që vazhdojnë të mbeten pjesë e skenës së koncerteve të muzikës klasike.