Kulturë

Kënga shqipe fsheh histori e tjetërsim në armë ideologjike

Java e Albanologjisë

“Kënga si rrëfim, tekst, performancë dhe praktikë social-kulturore”, ka qenë tema e seancave të Sesionit të Folkloristikës dhe Etnomuzikologjisë, të martën në ditën e dytë të “Javës së Albanologjisë”

Nëse kënga popullore ose folklori në përgjithësi kanë fuqi të shndërrohen në referencë të besueshme për ngjarje reale, është temë e qëmtuar edhe shkencërisht, por jo rrallë pikërisht kënga është tjetërsuar edhe në mjet propagande e në armë ideologjike. Shembujt janë kryesisht nga koha e komunizmit. Në ditën e dytë të “Javës së Albanologjisë” në Sesionin e Folkloristikës dhe Etnomuzikologjisë temë diskutimi shkencor, ka qenë edhe “Kam një lot, më pikon si ar” dhe tjetërsimi i titullit të saj në “Xhamadani vija-vija”

Kënga popullore shqipe fsheh histori reale, jo rrallë është shndërruar në dokumentim ngjarjesh nga e kaluara, por ka fuqinë edhe të shprehjes kulturore të identitetit kombëtar. Qëmtimi i këngëve të veçanta nga treva të ndryshme shqiptare, duke nxjerrë në pah dimensionet e tyre si tekst, performancë dhe simbolikë sociale, kanë qenë temë diskutimesh në ditën e dytë të edicionit të 16-të të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë” në Institutin Albanologjik të Prishtinës që i ka takuar sesionit të dytë – Folkloristikës dhe Etnomuzikologjisë me sy seanca. 

“Kënga si rrëfim, tekst, performancë dhe praktikë social-kulturore”, ka qenë tema e seancave. Në sallat e Institutit Albanologjik të Prishtinës sërish janë tubuar studiues dhe të dashamirë të folklorit, për të dëgjuar kumtesat e përmbledhura për këtë tematikë në konferencën që po i zhvillon punimet për pesë ditë prej 26 deri më 30 maj. 

Seancën e parë e ka hapur Arbnora Dushi, shefe e Degës së Folklorit në Institut, e cila për këtë edicion ka thënë se “Java e Albanologjisë” ka hyrë “në moshë tinejxheri” dhe se nuk janë më fillestarë. 
Tashmë me përvojë dhe me mundësi më të mira, sipas saj “kjo është një mundësi shumë e mirë, që ‘Java...’ po merr formë, profesionalizëm dhe kompetencë që të jetë sa më shumë përballë mundësive të prezantimeve të shkencës”. 

E, temë diskutimi shkencor, ka qenë edhe “Kam një lot, më pikon si ar” dhe tjetërsimi i titullit të saj në “Xhamadani vija-vija”.  

Drejtuar nga Vlorë Fetaj-Berisha dhe Albin Sadiku, seanca ka nisur me kumtesën “Kënga e Hanës: Një rrëfim tragjik i fatit të një vajze”, të Leontina Gega-Musës. Ajo ka treguar se bashkë me këtë këngë që është krijuar dhe kënduar nga rapsodi Rexhë Jelliqi, për tragjedinë ka edhe shfaqje teatrale e valle popullore. Pas saj kanë prezantuar kumtesat e tyre edhe Bekim Ramadani me temën “’Xhemilja’ në këngët lirike popullore shqiptare” dhe Olimbi Velaj me temën “Kënga e popullarizuar si formë e propagandës për mobilizimin e kontrollit të masave: Kënga ‘Në njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën’”. Sipas saj drapri e çekani janë përdorur për t’i personifikuar kazmën e pushkën në mobilizimin e kontrollit të masave, të cilat dallojnë nga turmat. “Sepse masat mund të kontrollohen, ndërsa turmat janë pa kokë. Mbaj mend që qysh kur isha në shkollën pedagogjike e dëgjonim këtë këngë, e cila tashmë ishte bërë e popullarizuar”, ka thënë Velaj. 

Elinda Dibra nga Shkodra ka prezantuar kumtesën e saj me temë “Kënga ‘Xhamadani vija-vija’ si tekst, kompozim dhe performancë”. Prezantimin ajo e ka zhvilluar në formë diskutimi me Zef Çobën, që është vetë kompozitori i këngës. Ai ka treguar “frustrimin” e vet për ngatërrimin e frazës së parë të refrenit “Xhamadani vija-vija”.

“Si çdo qytetar, me intuitë kam menduar se kufijtë politikë dallojnë prej kufijve etnikë dhe rrënjët tona shqiptare janë kudo ku është etnosi shqiptar, pikërisht për këtë edhe ‘revoltohem’ kur dëgjoj tituj pa kuptim ‘Xhamadani vija-vija’. ‘Në xhamadanin vija-vija’ është e drejta jonë, këtë e thotë kënga, është Kosova – është Shqipëria, është e drejta jonë”, ka thënë Çoba gjatë diskutimit për këngën e kompozuar.

Elinda Dibra gjithashtu ka përmendur edhe interpretimin befasisht të saktë të Inteligjencës Artificiale për këtë këngë dhe ka treguar për ngatërrimin që shpesh i bëhet në popull një fraze brenda këngës.
“Titulli i kësaj kënge është ‘Kam një lot, më pikon si ar’, por nga publiku është e njohur si ‘Në xhamadanin vija-vija’ që shpeshherë ngatërrohet edhe “Xhamadani vija-vija”. Ne jemi sot në Prishtinë bashkë me profesor Zef Çobën, i cili është kompozitor i këngës dhe autor i tekstit është profesor Alfred Çapaliku, që të tre – bashkë me Shkurte Fejzën – na kanë dhënë një këngë që tashmë është kthyer në himn shpirtëror të të gjithë shqiptarëve në mbarë botën”, ka thënë Dibra për KOHËN pas përfundimit të seancës.

Ka theksuar se sa e rëndësishme është që të dihet saktë se kush janë autorët e këngës.

“Ideja është që – meqenëse kjo këngë duket sikur është këngë folklorike – që ta qartësojmë mirë publikun që këta të tre janë autorët e kësaj kënge dhe kjo këngë tashmë është bërë masive dhe vetë autorët, si profesor Alfredi, ashtu edhe profesor Zefi janë shumë të kënaqur që kjo këngë është bërë kaq e dashur për publikun shqiptar”, ka shtuar ajo në fund.

Pas saj ka prezantuar punimin e vet Arbnora Dushi me temën “Kënga dhe konteksti: Rikonfigurimi i figurës së Ganimete Tërbeshit në kontekste të ndryshme ideologjike”, duke treguar se si figura e Tërbeshit është pranuar në dy sisteme të ndryshme si pasojë e ideologjisë në periudhën komuniste dhe pas saj. Kristina Përkola ka folur për “Akordet e Kosovës” si trashëgimi, por edhe si harresë, duke qenë se sipas saj, Festivali i Këngës në RTK nuk i referohet drejtpërdrejt “Akordeve...”, por është trashëgimi që e bart mbi vete.

Edhe në seancën e dytë kanë vazhduar prezantimet e tyre Irena Gjoni, Izaim Murtezani, Vlorë Fetaj-Berisha, Albin Sadiku dhe Jesir Hoxha.

Për të gjitha këto kumtesa, shefja e Degës së Folklorit në Institutin Albanologjik, Arbnora Dushi, ka thënë se janë arritur synimet e pritura. Sipas saj, kjo ka qenë një mundësi e mirë që, përveç kumtesave të tyre, anëtarët kanë pasur mundësi edhe të diskutojnë e të njoftohen me anëtarë të rinj që sivjet kanë debutuar në këtë konferencë shkencore.

“Mendoj se ajo që kemi synuar të nxjerrim nga kjo konferencë, është e arritur dhe e suksesshme, sepse përveç prezantimit të secilit dhe sjelljes së aspekteve të veçanta të këngëve të veçanta nga zonat e ndryshme ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët ishte edhe ana e diskutimeve, e njoftimeve të anëtarëve të rinj që po na vijnë herë pas here dhe mendoj se ‘Java e Albanologjisë’ po e dëshmon veten përmes kësaj pune që po bëhet në vazhdimësi”, ka thënë Dushi për KOHËN në fund të programit të paraparë për ditën e dytë të “Javës...”.

Sipas saj, ajo që ka ndryshuar ndjeshëm këtë vit, është mënyra e qasjes: në vend të analizave teorike dhe krahasimtare që kanë karakterizuar edicionet e mëparshme, ky edicion ka sjellë kumtesa të bazuara në materiale konkrete burimore, shpesh të shoqëruara me video dhe performanca. Kjo ka bërë që prezantimet të jenë më të gjalla dhe më të afërta me publikun, duke e përmbysur traditën e zakonshme akademike në favor të një përvoje më të drejtpërdrejtë dhe më përfshirëse.

“Veçantia është që sivjet nuk kemi insistuar në aspekte teorike dhe krahasimtare, siç ka qenë kërkesa në vitet e kaluara: të përballen fenomene e koncepte dhe të bazohen në teori. Kësaj radhe kanë ardhur konkretisht me materiale burimore, secila temë ka sjellë diçka konkrete, të prezantuara me performanca e me video, që të jenë më praktike për pjesëmarrësit dhe për dëgjuesit e kumtesave që të njihemi me materialin burimor jo vetëm në aspektin analitik”, ka shtuar ajo më tej.

Të mërkurën do të prezantohen punimet e Sesionit të Letërsisë me temën bosht “Kritika letrare shqipe”. Më 29 maj do të shpalosen kumtesat e sesionit të Etnologjisë me temë “Kultura shqiptare dhe etnologjia urbane” e një ditë më pas Gjuhësia me temën “Për një leksikografi bashkëkohore”, kur edhe mbyll punimet “Java...”.