Në 60-vjetorin e themelimit, ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” ka mbledhur pararendësit e tij në kremte. Me koncert ka shfaqur imazhin e sotëm të institucionit. Me valle e këngë u është bërë homazh kontribuuesve të “Shotës” ndër vite.
Janë fiks gjashtë dekada të veprimtarisë profesionale të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, prej vitit 1964 kur nisi si ansambël profesionist. Por veprimtaria ishte më e hershme. Të hënën në mbrëmje, “Shota” ka ilustruar imazhin e vet. Valltarë, këngëtarë e instrumentistë kanë vënë në skenë këngët e vallet për pararendësit e tyre, me të cilat u është bërë homazh kontribuuesve të ansamblit.
Në të tjera rrethana e kushte ku puna e atyre që angazhoheshin bëhej vullnetarisht, ku grupet e këngëtarëve, instrumentistëve a valltarëve interpretonin skutave nën okupim, sikurse edhe jashtë vendit, 60 vjet pas, imazhi dallon fort. Por jo krejtësisht. Skenën e denjë për të interpretuar nuk e ka pas një çerekshekulli prej çlirimit. Kështu, koncerti u mbajt në një sallë dasmash në Çagllavicë ku pos interpretimit, organizimi qe edhe darkë solemne.
Qëndresa e sakrifica e heronjve është nderuar edhe me “Vallen e Drenicës” me koreografi të Xhemajli Berishës. Me këtë pikë koreografike është nderuar vepra e tij.
Të pranishëm kanë qenë kryeministri Albin Kurti, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e të tjerë zyrtarë.
Kurti e ka konsideruar ansamblin “Shota” si një prej thesareve më të çmuara të Kosovës.
“Duke marrë elementet e trashëgimisë shpirtërore e kulturore dhe duke i vënë në skenë, ‘Shota’ ka prekur zemrat e audiencave në çdo cep të botës. Kujtojmë me krenari vitin 1984 kur së bashku me Nexhmije Pagarushën përfaqësuan kulturën tonë në hapjen e lojërave olimpike dimërore në Sarajevë. Vitet 1985 dhe 1986 kur triumfuan në festivalet në Londër”.
Drejtori artistik i “Shotës”, Ylber Asllani, ka thënë se u kanë bërë homazhe figurave të shquara të kultivimit të traditës e kulturës shqiptare nëpërmjet veprave të tyre.
“Ne u munduam që përmes disa pikave artistike, në mënyrë kronologjike, t’u bëjmë homazh të gjithë atyre që kanë kontribuuar qofshin koreografë, këngëtarë, kompozitorë, orkestrues e të tjerë, prej të cilëve disa janë ende dhe disa jo fatkeqësisht. Por natyrisht edhe sikur ne t’i harrojmë, vepra e tyre nuk i lë që të harrohen. Ne jemi munduar të përfshijmë sa më shumë nga ta në këtë mbrëmje festive”, ka theksuar Asllani.
Në program ka qenë edhe “Vallja e Tropojës” që ka qenë tejet harmonike e energjike me frymë pozitive.
Të përvjelë e me rrjeta kanë hyrë në skenë valltarët. Kanë sjellë “Vallen e peshkatarit” të Haki Mulliqit.
Koreografi Mulliqi, i cili prej viteve ’80 ka dhënë kontributin e tij në ansambël, ka thënë se atë kohë, deri në vitin 1991 kishte kuptim komplet tjetër kur kultivoheshin dhe prezantoheshin vallet e kombësive në atë që quhej Ansambël Folkloristik i Kosovës. U është referuar viteve ’90 të veprimtarisë së ansamblit.
“Në vitin 1991, kjo është një periudhë për të cilën flas me shumë kënaqësi dhe nder e respektin më të madh, kur u ndamë. Kur hynë forcat, na dëbuan nga objekti dhe na pamundësuan punën. Ne nga Ansambli Folkloristik i Kosovës e bëmë ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve ‘Shota’. Atëherë ishte periudha kur ne grumbulluam artistë të rinj, një pjesë e madhe e të cilëve vazhdojnë të jenë edhe sot”, ka deklaruar Mulliqi.
Një nga 11 anëtarët e asaj gjenerate është valltarja Arta Mulliqi, pjesë e ansamblit që nga viti 1992 dhe vazhdon të sjellë lojën e saj me “Shotën”. E ka vlerësuar kohë të vështirë për ta mbajtur ansamblin gjallë.
“Viteve ’90 ka qenë bukur vështirë të mbahet ansambli. Falë asaj gjenerate që kanë qenë të shumtë, mirëpo prej asaj gjenerate jemi diku 11 veta që vazhdojmë me ansamblin. Normalisht që pjesa tjetër kanë dalë për të punuar, pasi ka qenë kohë shumë e vështirë. Nuk flasim për anën materiale të cilën nuk e kemi pasur asnjëherë për dhjetë vite me radhë, por na ka mbajtur krenaria për ta mbajtur gjallë ansamblin. Ajo na ka frymëzuar për të tejkaluar këtë situatë”, ka theksuar Mulliqi.
Ansamblin e mbajtën në jetë. E këtë e festuan më 15 shtator të vitit 1999 në Teatrin Kombëtar të Kosovës ku mbajtën koncertin e parë paslufte. Qe si simbol i ringritjes e i institucionit që nuk do të ndalej më së vepruari.
Këngëtarja Mirvete Haziri ka sjellë këngën “Për ty vuaj, për ty këndoj” që e kishte kënduar Nexhmije Pagarusha. Me të i është bërë homazh edhe Bilbilit të Kosovës.
Njëra prej valltareve të gjeneratës së parë të ansamblit, Hylkije Dibrani-Sadiku ka thënë se tani është gjendja shumë më e mirë me “Shotën” për aq kohë sa jehojnë kënga e vallja shqipe.
“Krejt ndryshe ka qenë. Me kufizime këngët e valleve, ndërsa sot është shumë mirë, këndon vetëm shqip. Në atë kohë e kemi pasur detyrë të luajmë edhe disa valle të ish-Jugosllavisë. Në vitin 1966, 58 vjet më parë, kam pasur paragjykime kur kam ardhur, sfida, por i kam kaluar të gjitha. Tash kushtet janë më të mira, në ansambël jehon vetëm kënga dhe vallja shqipe”, është shprehur Dibrani-Sadiku.
E tashmja e institucionit u është shfaqur të hënën mbrëma. Një prej atyre që e ndërtojnë është instrumentisti Gent Hoxha që luan instrumentet popullore si fyell e çifteli. Ai ka thënë se ishte kënaqësi që në këtë ngjarje të takojë pararendësit e gjeneratës së tij e të dëgjojë rrëfimet e tyre.
“Si anëtar i ri i ansamblit, me një përvojë relativisht të re, u frymëzova shumë duke parë, edhe pse kam dëgjuar më parë për kontributin në kohë goxha më të vështira, sesa ne veprojmë. Ne vetëm duhet të vazhdojmë ta kultivojmë këtë folklor të jashtëzakonshëm që e kemi. Të paktën vështirësitë e gjeneratave të mëhershme nuk i kemi”, ka deklaruar Hoxha.
Solistë të mbrëmjes kanë qenë tenori Liridon Sadriu, Riza Bytyçi, Mirvete Haziri, Saranda Alija, Samir Krasniqi e Majlinda Cikaqi.
Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” me këtë mbrëmje ka shënuar ngjarjen e fundit për sivjet. Vitin në ardhje e pret koncerti i parë me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.