Afati ligjor për procedimin e buxhetit të vitit 2026 skadon në fund të këtij muaji. Por, në Qeverinë në detyrë nuk treguan se si do të veprojnë. Presidentja Vjosa Osmani synon t’i japë zgjidhje buxhetit, përpara se t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, nëse partitë nuk e propozojnë mandatarin e ri ose nëse mandatari dështon ta krijojë shumicën
Edhe tri ditë i ka afat ligjor Qeveria në detyrë për ta proceduar në Kuvend buxhetin për vitin 2026.
Bazuar në Ligjin për ekzekutivin, qeveria në dorëheqje e edhe ajo në detyrë nuk kanë të drejtë të sponsorizojnë ligje, por ndalesa nuk vlen për buxhetin.
Ndërkaq, gjatë së martës, as në Zyrën e Kryeministrit e as në Ministrinë e Financave nuk kanë treguar nëse do ta përcjellin atë në Kuvend.
Përgjigje për këtë nuk ka dhënë as ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kur është pyetur gjatë një aktiviteti.
Bazuar në procedurë, buxheti duhet të kalojë në disa komisione funksionale të Kuvendit, të cilat ende nuk janë formuar.
Kryesia do të mblidhet të enjten për të diskutuar edhe për komisionet.
Alarmi për bankrot të mundshëm të shtetit është dhënë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dështuar të dielën të sigurojë vota për mandatin e ri, ndërkaq oponentët e tij kanë thënë se nuk synojnë të bëjnë koalicion. Tek të dyja kampet politike është shprehur gatishmëri për zgjedhje të parakohshme.
E presidentja Vjosa Osmani synon t’i japë zgjidhje buxhetit, përpara se t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, nëse partitë nuk e propozojnë mandatarin e ri ose nëse mandatari dështon ta krijojë shumicën.
Sinjalet pozitive nga Presidenca dhe letra e OJQ-ve
Bekim Kupina, i cili është këshilltar për media i presidentes, ka thënë se Osmani do t’iu bëjë thirrje partive politike për kompromis në këtë pikë.
“Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencojë rëndësinë e miratimit të buxhetit për vitin 2026, si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit, si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit”, ka thënë Kupina.
Ai ka thënë se presidentja do t'i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Osmani aktualisht gjendet për vizitë në Arabinë Saudite.
Ndërkohë 21 organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar presidentes Osmani me letër publike, nga e cila kanë kërkuar ndërmjetësim mes partive politike për të shmangur krizën buxhetore.
Duke treguar pasojat e mosvotimit të tyre, në letrën drejtuar Osmanit është sugjeruar edhe ndjekja e rrugës ligjore që të mundësohet një gjë e tillë.
“Qeveria në detyrë të dorëzojë në Kuvend Projektligjin e buxhetit për vitin 2026, në përputhje me kompetencat që i jep Ligji për Qeverinë, si dhe në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që Kuvendi aktual ta miratojë një buxhet të rregullt për vitin e ardhshëm me procedurë të përshpejtuar. Ky është edhe opsioni më i mirë dhe më i sigurt, marrë parasysh se themelimi i institucioneve të reja mund të zvarritet për muaj të tërë, siç ndodhi gjatë këtij viti”, thuhet në letër.
Sipas tyre, qeveria e re, pas konstituimit, mund ta plotësojë dhe ndryshojë buxhetin dhe të përshtatë disa nga linjat sipas programit të saj.
Organizatat që kanë dorëzuar letrën: Instituti GAP, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), SHL-Kosova, Balkan Green Foundation (BGF), Community Building Mitrovica (CBM), Community Development Fund (CDF), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Activism Roots, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Kosova – Women 4 Women, EC Ma Ndryshe, YMCA Kosova, TOKA, Organization for Partnership, Engagement and Development (OPED), Advocacy Training and Resource Center (ATRC) dhe Prishtina Institute for Political Studies (PIPS).
Nëse ky opsion nuk realizohet, sipas këtyre organizatave, atëherë Kuvendi aktual të paktën duhet të votojë një zgjatje të buxhetit aktual deri në fund të muajit mars 2026, duke u bazuar në dispozitat e nenit 24 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, në mënyrë që të garantohen funksionimi bazik i shtetit dhe stabiliteti financiar deri në formimin e institucioneve të reja.
“Një hap i tillë, përveçse do të shmangte rrezikun e një krize buxhetore të paprecedentë, do të sillte edhe qetësi e siguri më të madhe për qytetarët, sidomos për ata dhe ato që varen nga pagat dhe transferet publike, duke i shpëtuar nga ndjenja e ankthit dhe pasigurisë ekonomike gjatë periudhës zgjedhore”, thuhet në letër.
Përveç buxhetit, ato kanë kërkuar të ratifikohet edhe Marrëveshja e Facilitetit, tashmë e negociuar dhe e nënshkruar nga Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës.
PDK-ja kundër që Qeveria në detyrë të iniciojë ligjin për buxhetin
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka dhënë sinjale se nuk do të mbështetet projektbuxheti, në rast se dërgohet nga qeveria në detyrë, e së cilës ia ka kontestuar të drejtën ta procedojë atë.
“Në nenin 31, paragrafi 2 të këtij ligji, i jepet e drejta Qeverisë në detyrë që t’i propozojë Kuvendit Projektligjin për buxhetin e shtetit, një dispozitë me anomali në vetvete, pasi buxheti është ligji më i rëndësishëm i një qeverie, përmes të cilit pasqyrohen politikat dhe prioritetet e saj zhvillimore në çdo sektor. Ndërkohë, në Rregulloren e Kuvendit, e miratuar po ashtu në vitin 2022 nga e njëjta shumicë parlamentare, nuk është përcaktuar asnjë procedurë se si duhet të shqyrtohet dhe miratohet Projektligji për buxhetin në raste kur qeveria është në detyrë”, ka thënë Shala.
Në mungesë të miratimit të buxhetit të ri, Komisioni parlamentar për buxhet ka të drejtë të autorizojë shpenzime për tre muajt e parë të vitit konform projeksioneve të buxhetit të vitit paraprak. Për themelimin e këtij komisioni dhe të tjerëve, Kryesia e Kuvendit do të zhvillojë konsultime të enjten.
Të dielën, Kuvendi ka votuar kundër formimit të Qeverisë Kurti 3. Tani radha është te presidentja që pritet të nisë konsultat për mandatarin e dytë, ose të çojë vendin në zgjedhje.
Dështimi për formimin e qeverisë së re ka nxitur shqetësime për funksionimin e shtetit vitin e ardhshëm. Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2026, sipas vlerësimeve të deputetëve dhe ekspertëve, mund të çojë në pezullim të pagesave publike dhe të investimeve kapitale.
Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina mbeten të vetmet vende të rajonit që akoma nuk kanë qenë në gjendje të përfitojnë asgjë nga Plani i Rritjes i BE-së në vlerë totale prej 6 miliardë eurosh.
Kosova ishte ndër vendet e para për të cilat Komisioni e pati aprovuar një agjendë të tillë qysh në vjeshtën e vitit të kaluar.