Fitimi i një trofeu me Mallorcan do të thoshte shumë për sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi.
Muriqi është shndërruar në një prej të pëlqyerve për tifozët e Mallorcas, falë pasionit dhe përkushtimit që tregon në çdo ndeshje.
30 gola e ndajnë sulmuesin e Kosovës që të bëhet realizatori më i mirë në histori të Mallorcas.
Rekordin për gola të shënuar e mban legjenda Samuel Eto’o. Ai ka shënuar 70 gola në 162 ndeshje.
Ndërkohë sulmuesi nga Prizreni ka 40 gola në 127 paraqitje.
31-vjeçari Muriqi është duke e zhvilluar edicionin e katërt të plotë te klubi elitar spanjoll. Luajti edhe në gjysmën e edicionit 2021/22 si i huazuar nga Lazio.
Pas i përfundoi huazimi, Mallorca vendosi që ta blinte kartonin e Muriqit për tetë milionë euro.
Së fundi, reprezentuesi i Kosovës e vazhdoi kontratën deri në vitin 2029.
Sulmuesi shtatlartë ishte i ftuar në emisionin “Jugam a Fora de Joc” dhe foli për shumë gjëra që kanë të bëjnë me Mallorcan.
Ai ka treguar për vështirësitë që kishte te skuadra e Lazios dhe si e mori vendimin që të transferohej në Spanjë.
“Kur isha te Lazio, më telefonoi Ortells dhe e refuzova ofertën. Vuajta shumë në Itali dhe kur isha në formë të mirë fizike, Sarri nuk më kishte në planet e tij.
Ortells më telefonoi sërish, dhe fillova të kërkoj informacione për Mallorcan, pastaj pranova. Nuk e mora familjen me vete, sepse mendova se do të ishte vetëm për katër muaj. Erdha për katër muaj, dhe tani jam këtu gati pesë vjet. Dua të fitoj një trofe me Mallorcan dhe pothuajse ia dolëm para dy vjetësh në Kupën e Mbretit, sepse La Liga është shumë e vështirë. Do të doja të fitoja një trofe dhe që të mos e harroja. Për mua do të ishte një ëndërr e bërë realitet”, u shpreh Muriqi.
"Pirati" mendon që t’i jap fund karrierës si futbollist te Mallorca. Ndërsa shpreson që pas karrierës si futbollistë të hap edhe biznese në qytetin e Mallorcas.
Ai është bindshëm golashënuesi më i mirë te Përfaqësuesja e Kosovës.
Me Kosovën ka 32 gola në 64 ndeshjet e luajtura.
“E kam rinovuar kontratën time me Mallorcan dhe plani është ta përfundoj atë dhe të dal në pension këtu. Kur të dal në pension, shpresoj të hap biznese në Mallorca dhe të jem në gjendje të vij këtu dhe të flas për klubin dhe ekipin”.
Muriqi e ka nisur shumë mirë edicionin 2025/26. Në nëntë ndeshje ka shënuar pesë gola. Ai ka kohë që është sulmuesi kryesor i Mallorcas.
Ka shënuar gol në edicionin aktual ndaj gjigantëve të futbollit spanjoll si Real Madrid e Atletico Madrid. Forma e mirë e Muriqit aktualisht nuk po del të jetë e mjaftueshme për Mallorcan.
Mallorca pas dhjetë ndeshjeve të luajtura ka dy fitore, tri barazime dhe pesë humbje. Nuk është në momentin më të mirë. Ka nëntë pikë në pozitën e 16-të.