Valentino Garavani krijoi një nga markat më të qëndrueshme dhe të veçanta në modë, si dhe u bë i barabartë me klientët e tij të shoqërisë së lartë. Fustani i kuq ishte elementi karakteristik i Valentinos, pjesë e estetikës së tij që në fillim. Koleksioni i tij i parë përfshinte një fustan prej tyli të kuq të quajtur “Fiesta”. Nuanca e kuqe që ai përdori – një ngjyrë mes së kuqes së errët dhe asaj të lulëkuqes – është sot aq e popullarizuar, saqë njihet zyrtarisht nga autoriteti i ngjyrave Pantone
Valentino Garavani, disenjatori i shquar si pionier i glamurit italian me shtëpinë e modës që mban emrin e tij, ka vdekur në moshën 93-vjeçare.
“Valentino Garavani u nda nga jeta sot në rezidencën e tij romake, i rrethuar nga njerëzit më të dashur”, njoftoi fondacioni i tij në rrjetin social “Instagram”. “Valentino nuk ishte vetëm udhërrëfyes dhe frymëzim i vazhdueshëm për të gjithë ne, por një burim i vërtetë drite, krijimtarie dhe vizioni”, shkruhet më tej në njoftim.
Trupi i pajetë i disenjatorit do të vendoset për homazhe në selinë e fondacionit në Romë të mërkurën dhe të enjten, ndërsa funerali do të mbahet në kryeqytetin italian të premten, kanë njoftua mediat botërore.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, i bëri homazh duke shkruar në platformën “X”: “Valentino, mjeshtër i padiskutueshëm i stilit dhe elegancës dhe simbol i përjetshëm i modës së lartë italiane. Sot Italia humbi një legjendë, por trashëgimia e tij do të vazhdojë të frymëzojë brezat. Faleminderit për gjithçka”.
I njohur thjesht si Valentino, disenjatori shquhej për qasjen e tij luksoze dhe elegante ndaj modës, duke e bërë të adhurohet nga shumë personazhe të njohur. Ai themeloi shtëpinë e tij të modës në vitin 1959 dhe shpejt numëroi ikonat e bukurisë si, Sophia Loren dhe Elizabeth Taylor, ndër admirueset e tij. Dizajnoi rrobat e veshura nga Monica Vitti në filmin “La Notte” të Michelangelo Antonionit në vitin 1960, ndërsa Jackie Kennedy veshi krijimet e tij për disa vite. Ajo u martua me Aristotle Onassis në vitin 1968, duke veshur një fustan nusërie nga marka “Valentino”.
Fustani i kuq ishte elementi karakteristik i Valentinos, pjesë e estetikës së tij që në fillim. Koleksioni i tij i parë përfshinte një fustan prej tyli të kuq të quajtur “Fiesta”. Nuanca e kuqe që ai përdori – një ngjyrë mes së kuqes së errët dhe asaj të lulëkuqes – është sot aq e popullarizuar saqë njihet zyrtarisht nga autoriteti i ngjyrave Pantone.
Valentino ishte ikonë e modës për më shumë se 45 vjet, duke u pensionuar në vitin 2007 pas një sfilateje finale të modës “haute couture”, ku çdo modele shfaqejn në pasaelë e veshur me një fustan të kuq. Gjatë karrierës së tij, ai ishte gjithmonë në kontakt të drejtpërdrejtë me një rreth të grave elitare: modele si, Naomi Campbell dhe Claudia Schiffer, shiheshin shpesh të veshura me krijimet e tij jashtë pasarelës, ndërsa yje të filmit si: Julia Roberts, Laura Linney dhe Penélope Cruz, veshën dizajnet e tij në tapetin e kuq. Diana, Princesha e Uellsit, veshi krijimet e Valentinos në vitet pas shkurorëzimit nga Charlesi.
Në njëfarë mënyre, glamuri ishte i pranishëm në kreacionet e tij që në fillim. Disenjatori u lind në vitin 1932 në Voghera, një qytet pranë Milanos, dhe u pagëzua me emrin e aktorit Italian, Rudolph Valentino, nga nëna e tij. Përvojat e fëmijërisë ishin formuese për karrierën e tij të ardhshme. Ai më vonë tregoi se dashuria që kishte për ngjyrën e kuqe, vinte nga një vizitë në opera, duke parë shfaqjen “Carmen”.
“Të gjitha gratë në lozha ishin kryesisht të veshura me të kuqe dhe përkuleshin përpara si barbaroza në ballkone. Ulëset dhe perdet ishin gjithashtu të kuqe… E kuptova se pas së bardhës dhe së zezës, nuk kishte ngjyrë më të bukur” deklaroi ai.
Valentino ishte nxënës i stilistëve të famshëm, Jean Dessès, Christian Dior dhe Guy Laroche, duke u zhvendosur në Paris si i ri. Në vitin 1959, në moshën 27-vjeçare, ai krijoi markën e tij me mbështetje financiare nga familja. Një vit më vonë u njoh me Giancarlo Giammetti, i cili u bë partneri i tij romantik dhe i biznesit, duke e shpëtuar fillimisht kompaninë nga falimentimi. Një koleksion krejtësisht i bardhë në vitin 1962 e solli atë në vëmendjen e botës së modës.
Edhe pse marrëdhënia e tyre romantike përfundoi në vitin 1972, Giammetti dhe Valentino, u kujdesën që marka “Valentino” të bëhej e njohur në mbarë botën. Në vitin 1998, ata e shitën kompaninë te konglomerati italian “HdP”, për rreth 300 milionë dollarë. Sot ajo është në pronësi të fondit të investimeve nga Katari, “Mayhoola”, ndërsa Kering posedon diku 30 për qind të aksioneve.
Nëse shtëpia e modës “Valentino” vishte të pasurit dhe të bukurit, Valentino dhe Giammetti jetonin dhe visheshin në të njëjtën mënyrë. Disenjatori i ndjerë shfaqej gjithmonë i veshur në mënyrë të përkryer, me kostum elegant. Karakterizohej edhe për ngjyrën e lëkurës, me një nxirje të theksuar.
Filmi i vitit 2008, “Valentino: The Last Emperor”, dokumentoi stilin e jetesës së tyre luksoze – duke shfaqur avionë privatë, pesë shtëpi, jahte si dhe përgatitjen e koleksionit të fundit të disenjatorit.
Jeta e Valentinos nuk ishte pa polemika. Në një intervistë me gazetaren Jessica Aitkenhead, ai u ankua për idenë e sjelljes së modeleve me masa të ndryshme trupore në pasarelë dhe për faktin se vizitorët e teatrove po visheshin tepër thjeshtë. Ai kujtoi tmerrin që kishte përjetuar kur pa një shikues në public të veshur me bluzë: “Jo, o Zot. Ishte një pamje jo shumë e pastër. Madje kishte veshur pantallona të shkurtra dhe shapka”.
Idetë e tij për bukurinë femërore ishin gjithashtu të debatueshme. Ai i tha televizionit “RTL” në vitin 2007: “Kur shoh dike, dhe për fat të keq ajo është e çliruar dhe vrapon me tuta sportive e pa asnjë grim… më vjen shumë keq. Për mua, gruaja është si një buqetë shumë, shumë e bukur lulesh. Ajo duhet gjithmonë të jetë sensacionale, gjithmonë të kënaqë syrin, të jetë e kuruar dhe e përkryer, të kënaqë burrin, dashnorin dhe njerëzit përreth. Sepse ne kemi lindur për t’u shfaqur gjithmonë në formën tonë më të mirë”.
Në vitin 2007, Alessandra Facchinetti u emërua drejtoreshë kreative e shtëpisë së famshme të modës, pas tërheqjes së Valentinos. Vetëm 12 muaj më vonë ajo u shkarkua dhe u zëvendësua nga Pierpaolo Piccioli dhe Maria Grazia Chiuri, si drejtorë kreativë të përbashkët. Pas largimit të Grazia Chiuri në vitin 2016, Piccioli u emërua drejtor i vetëm kreativ. Ai e mbajti këtë rol deri në vitin 2024, kur u njoftua se ish-stilisti i markës “Gucci”, Alessandro Michele, do ta merrte drejtimin e kompanisë.