Roma u ndal të premten në mëngjes për të nderuar disenjatorin e ndjerë, Valentino Garavani.
Në orën 11:00, arkivoli i disenjatorit të madh të modës, i cili vdiq të hënën në moshën 93-vjeçare, hyri në Bazilikën “Santa Maria degli Angeli e dei Martiri”, i shoqëruar nga tingujt e “Lacrimosa” nga kompozitori i mirënjohur, Wolfgang Amadeus Mozart, ndërsa të ftuarit ishin tashmë të ulur në kishë.

Në hyrje të bazilikës ishte vendosur një shënim i shkruar me dorë, ku thuhej: “Po humbim lulen më të bukur”.
Në ceremoni morën pjesë Giancarlo Giammetti, krahu i djathtë i disenjatorit dhe shoku i tij i jetës, aktorja Anne Hathaway, drejtoresha e gjigantit "Conde Nast" Anna Wintour, disenjatori aktual i brendit "Valentino", Alessandro Michele, figura të tjera të njohura si Brunello Cucinelli, ish-disenjatori i "Valentinos", Pier Paolo Piccioli, ylli i modës italiane Donatella Versace, disenjatori Tom Ford, François-Henri Pinault, si dhe shumë aristokratë evropianë, përfshirë princin Pierre d’Arenberg.

Pas meshës, arkivoli u dërgua në varrezat Flaminio në Prima Porta, ku u varros pranë familjarëve të tij, ashtu siç kishte dëshiruar Valentino. Edhe Giammetti tashmë ka shprehur publikisht dëshirën që një ditë të prehet pranë tij.




