Showbiz

Gjigantët e modës dhe yjet e kinemasë nderojnë “maestron” Giorgio Armani

Aktorja italiane, Sophia Loren dhe Gorgio Armani, në teatrin La Scala në Milano, dhjetor 2004

Aktorja italiane, Sophia Loren dhe Gorgio Armani, në teatrin La Scala në Milano, dhjetor 2004

Foto: Associated Press

Bota e modës dhe jo vetëm është duke i bërë homazhe Giorgio Armanit, i cili vdiq të enjten në moshën 91-vjeçare.

Mesazhe ngushëllimi dhe nderimi kanë dhënë disenjatorë, politikanë, aktorë dhe figura të njohura të kulturës pop, shumë prej tyre miq të Armanit dhe bartës të krijimeve të tij në tapetin e kuq.

Një grua duke dërguar lule te shtëpia e modës “Giorgio Armani” me mesazhin “Ciao Gorgio”. Fotografi nga Associated Press

Donatella Versace, e cila tashmë është bërë ambasadore e brendit “Versace” të themeluar nga i vëllai Gianni vetëm tri vjet pas lindjes së shtëpisë Armani në Milano, ka thënë për CNN se bota ka humbur një gjigand.

“Bota ka humbur një gjigant sot. Giorgio Armani ndryshoi historinë e modës. Ai përcaktoi stilin në mbarë botën për gjenerata dhe ishte gjeni i vërtetë, mjeshtër i klasit dhe elegancës. Do të na mungojë përjetë, por stili i tij është i përjetshëm”, ka thënë ajo.

Miuccia Prada dhe drejtori i brendit të saj Patrizio Bertelli, në një deklaratë të përbashkët për CNN e quajtën Armanin “maestro i njohur për elegancën dhe krijimtarinë, një protagonist i padiskutueshëm i modës italiane dhe ndërkombëtare”. Ndërsa bashkëdrejtori kreativ i brendit “Prada”, Raf Simons, e përshkroi si “vizionar, krijimtaria gjeniale e të cilit përcaktoi elegancën dhe sofistikimin në modë”.

Renzo Rosso, themelues i brendit “Diesel”, e quajti Armanin “ikonë të vërtetë”, ndërsa kompania “Zegna”, që në vitet 2000 pati sipërmarrje të përbashkët me Armanin, e falënderoi për “frymën dhe kulturën e ‘Made in Italy’ (krijuar në Itali) që solli në botë”.

Nga politika italiane nuk munguan mesazhet e ngrohta.

“Me elegancën, thjeshtësinë dhe krijimtarinë e tij, ai arriti t’i japë lavdi modës italiane dhe të frymëzojë mbarë botën. Ikonë, punëtor i palodhur, simbol i më të mirës që ka Italia”, ka shkruar kryeministrja Giorgia Meloni.


Presidenti Sergio Mattarella e cilësoi disenjatorin si “simbol të gjeniut italian në gjithë botën”. “Thjeshtësia e tij e sofistikuar, përkushtimi ndaj cilësisë dhe vëmendja ndaj detajeve frymëzuan dhe ndikuan breza të tërë disenjatorësh”, ka shtuar Mattarella.

Carlo Capasa, kryetar i Dhomës Kombëtare të Modës Italiane, kujtoi rolin vendimtar të Armanit në ngritjen e Javës së Modës në Milano në një ngjarje botërore që forcoi sistemin italian të modës.

Edhe yje të kinemasë e muzikës ndanë kujtime dhe mesazhe në rrjete sociale.

Aktorja Julia Roberts, e cila ka veshur kostum të krijuar nga ai për ta pranuar çmimin “Golden Globe”, ka publikuar një fotografi me Armanin.

“Një mik i vërtetë. Një legjendë”, ka shkruar Roberts krahas fotografisë.

Aktori, Leonardo DiCaprio, e ka kujtuar takimin e tyre të parë në Milano duke thënë se u mahnit nga gjenialiteti i tij.

“Isha i mahnitur nga krijimtaria dhe gjenialiteti i tij. Ai ishte një forcë legjendare që frymëzoi breza dhe trashëgimia e tij do të vazhdojë të ndikojë botën për vite të tëra”, ka thënë DiCaprio.

David dhe Victoria Beckham ndanë gjithashtu fotografi me disenjatorin. David shkroi se ai ishte “i sjellshëm, bujar, i përulur dhe një zotëri i vërtetë”.

Artisti Russell Crowe, ndërkohë, ka shkruar në rrjetin social X për “dashurinë e tij të gjatë me kostumet e Armanit që vazhdon edhe sot”.

Supermodelet Naomi Campbell dhe Cindy Crawford e kujtuan me mall. Campbell e ka quajtur ikonën “Perfeksionist në kuptimin më të plotë të fjalës”.

“Ishte nder të ecja për ty dhe mësova aq shumë vetëm duke qenë pranë teje”, ka shkruar Campbell.

Nga bota e medias, Suzy Menkes, ish-redaktore ndërkombëtare e prestigjiozes Vogue, shkroi një mesazh publik.

“Nuk mund ta besoj që na ke lënë. Ti ishe simbolik për një pjesë të Italisë më të butë, që shfaqej më pak”, thuhet në shkrimin e Menkes.

Samira Nasr, kryeredaktore e revistës së njohur të modës, Harper’s Bazaar, e ka përshkruar thjesht si “maestro”.

Ndërsa Edward Enninful, ish-kryeredaktor i Vogues në versionin britanik, ka shkruar se Armani ka besuar në të që nga vitet ’90.

“Që nga vitet ’90 ai gjithmonë ka besuar tek unë, më ka dhënë vend në tavolinë që nga dita e parë dhe më ka bërë të ndihem i vlerësuar. Ai më mësoi rëndësinë e sipërmarrjes, komunitetit dhe besimit në krijimtarinë time”, ka thënë Enninful.

Homazhe të njëpasnjëshme po bëhen në mediat ndërkombëtare si dhe në rrjete sociale për gjigandin tashmë të ndjerë, duke vlerësuar lartë jetën dhe veprën e tij.

“Giorgio Armani kishte një forcë dhe vizion aq të qartë të personalitetit, saqë e njihje menjëherë punën e tij, kudo që ta gjeje. Ai e kuptonte fuqinë, qëndrimin dhe elegancën po aq mirë sa kushdo tjetër në modë, dhe kuptonte edhe gratë: si donin ato të visheshin dhe çfarë mesazhi dëshironin të përcillnin teksa po afirmoheshin gjatë ngritjes së tij në vitet ’70, ’80 dhe më tej. Ai gjithashtu nuk e kufizoi veten vetëm në një fushë apo disiplinë, sepse e kuptonte që moda nuk mund të ekzistojë e izoluar. Për të, moda nuk ishte vetëm një gjë: ajo ishte edhe film, muzikë, sport, art, dizajn dhe arkitekturë, dhe ai la gjurmën e tij në të gjitha këto botë, e kudo që shkoi”, ka thënë Anna Wintour, drejtoresha e përmbajtjes së gjigandit të mediave të modës, Condé Nast.

Një tjetër emër i njohur për modën italiane, disenjatori Valentino, për Armanin ka thënë se nuk e ka konsideruar asnjëherë si rival dhe se i përulet besnikërisë që ai ka pasur ndaj stilit vet.

“Vajtoj për dikë që gjithmonë e kam konsideruar mik, kurrë rival. Mund vetëm të përulem para talentit të tij të jashtëzakonshëm, para ndryshimeve që solli në modë dhe, mbi të gjitha, para besnikërisë së tij të palëkundur ndaj një stili: atij të vetit”, ka shkruar në Instagram disenjatori italian i brendit “Valentino”.

“Armani Group” ka njoftuar se homazhet publike do të mbahen këtë fundjavë në Milano, ndërsa ceremonia e varrimit do të jetë private, sipas dëshirës së vetë stilistit.