Arkeologët që po kryejnë gërmime në nekropolin e qytetit të vjetër Satala, në provincën verilindore të Gümüşhane në Turqi, kanë zbuluar një bust prej bronzi, 20 centimetra të gjatë, të perëndeshës egjiptiane “Isis”. Zbulimi u bë në varrezën që ndodhet menjëherë në veri të mureve romake, në një vend ku dikur ndodheshin selitë e Legjionit XV Apollinaris, në kufirin lindor të Perandorisë Romake.
Satala shërbente si një kamp i fortifikuar dhe një vendbanim civil që lidhte Anadollin me Kaukazin. Zbulimet e objekteve të mëdha prej bronzi në këtë zonë janë të rralla. Pjesa e fundit e ngjashme ishte koka e njohur e Afërditës së Satalës, e gjetur në vitet 1870 dhe që sot ruhet në Muzeun Britanik. Studiuesit treguan se busti i sapozbuluar i “Isisit” është portreti i parë prej bronzi i gjetur në atë zonë që nga ajo kohë.
Skulptura është thyer nga një bazament rrethor i formuar nga tri motive gjetheje në formë kaliksi, të mbështetura mbi tre këmbë. “Isisi” paraqitet e mbështjellë me një shall të lidhur në kraharor, ndërsa në anën e majtë të mbulesës së kokës ngrihen dy kallinj gruri, simbole të lashta të pjellorisë dhe begatisë. Pavarësisht se kishte qëndruar nën tokë për shekuj, në bust janë ruajtur gjurmë të imta të punimit, dhe konservatorët vlerësuan se metali është mjaftueshëm i qëndrueshëm për restaurim.
“Punimet e restaurimit janë në zhvillim, pas përfundimit, busti do të ekspozohet në Muzeun e Qytetit Gümüşhane”, tregoi arkeologia udhëheqëse Elif Yavuz Çakmur nga Universiteti Teknik i Detit të Zi. Ajo shtoi se laboratorët në Gümüşhane dhe Trabzon po kryejnë teste metalurgjike për të përcaktuar më saktë datimin. Analizat paraprake stilistike e vendosin bustin në periudhën e Perandorisë Romake, kur kultet egjiptiane kishin popullaritet të gjerë në gjithë botën romake.
“Ky zbulim është i rëndësishëm, sepse tregon larminë fetare të ushtarëve legjionarë”, tregoi Çakmur.
Ajo vuri në dukje se gërmimet e mëparshme në Satala kishin zbuluar vula dhe objekte votive greko-romake, por asgjë që lidhej me ndonjë perëndeshë lindore.
“Statuja e ‘Isisit’ pasqyron interesin e legjioneve romake për kulturat dhe besimet lindore”, ka thënë ajo.
Studiuesit besojnë se një bust i këtyre përmasave ka qenë me shumë gjasa vendosur mbi një altar brenda një faltoreje të kazermës ose në një orator të vogël shtëpiak që i përkiste ndonjë oficeri. Imazhe të tilla të lëvizshme të “Isisit” u përhapën gjerësisht pas shekullit të parë para erës sonë, ndërsa tregtarët, marinarët dhe ushtarët përhapnin kultin nga Aleksandria deri në garnizonet kufitare të Mesdheut.
Ekipet e konservimit po kryejnë aktualisht pastrimin mekanik dhe stabilizimin kimik të veprës. Pas përfundimit, busti prej bronzi do t’u bashkohet artefakteve helenistike dhe romake të rajonit në Muzeun e ri të Qytetit Gümüşhane, ku studiuesit shpresojnë se do të nxisë kërkime të mëtejshme shkencore dhe turizëm kulturor.