Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Tri festivale të Kosovës në Samitin e Asociacionit Evropian të Festivaleve

Tri festivale të Kosovës në Samitin e Asociacionit Evropian të Festivaleve

Asociacioni Evropian i Festivaleve është themeluar në vitin 1952 dhe sot lidh mbi njëqind festivale dhe organizata kulturore nga rreth 40 shtete të Evropës dhe më gjerë

Midis pjesëmarrësve në samitin që po mbahet në Budva të Malit të Zi janë festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur “PrizrenFest”, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” si dhe festivali ndërkombëtar i muzikës “ReMusica”. Samiti i EFA-s, që njihet si Samiti i Festivaleve të Artit, konsiderohet si një nga takimet më të rëndësishme për komunitetin e festivaleve artistike në Evropë

Festivale të rëndësishme të Kosovës po marrin pjesë në Samitin e Asociacionit Evropian të Festivaleve, një prej platformave më të rëndësishme kulturore në Evropë. Midis pjesëmarrësve në samitin që po mbahet në Budva të Malit të Zi janë festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur “PrizrenFest”, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” si dhe festivali ndërkombëtar i muzikës “ReMusica”. 

Samiti i EFA-s, që njihet si Samiti i Festivaleve të Artit, konsiderohet si një nga takimet më të rëndësishme për komunitetin e festivaleve artistike në Evropë. Sivjet  po mbahet nga 16 deri më 19 maj në Budva, e aty nuk mungon zëri artistik nga Kosova. Tri festivale anëtare nga Kosova në këtë institucion kanë marrë pjesë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bashkë me ta, nën organizimin e EFA-s dhe festivalit “Theatre City Budva”, janë mbledhur mbi 250 përfaqësues festivalesh, institucione kulturore dhe partnerë ndërkombëtarë. Në fokus të diskutimeve është roli i festivaleve në shoqëri, bashkëpunimet ndërkufitare, politikat kulturore, qëndrueshmëria dhe mbështetja për artistët e rinj. 

Pjesëmarrja e festivaleve kosovare në këtë samit dëshmon pozicionimin përherë e më të fuqishëm të skenës kulturore të Kosovës në rrjetet evropiane të artit dhe kulturës. “DokuFest”, i themeluar në vitin 2002 në Prizren, është sot një prej festivaleve më të njohura të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Evropën Juglindore. Festivali ka fituar status ndërkombëtar duke u bërë festival kualifikues për BAFTA dhe për Akademinë Evropiane të Filmit, ndërsa çdo verë e shndërron qendrën historike të Prizrenit në një hapësirë të madhe të kinemasë dhe dialogut kulturor. 

Ndërkohë “ReMusica”, festivali i muzikës bashkëkohore i themeluar po ashtu në vitin 2002 nga kompozitori Rafet Rudi dhe artistë të tjerë kosovarë, tashmë është pjesë aktive e rrjeteve të EFA-s.

Festivali është shndërruar në një prej platformave më të rëndësishme për muzikën klasike dhe bashkëkohore në rajon, duke sjellë artistë ndërkombëtarë dhe duke promovuar krijimtarinë vendore. 

Edhe “PrizrenFest”, festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur, prej vitesh ka ndërtuar ura bashkëpunimi me rrjetet kulturore evropiane përmes programeve artistike, shkëmbimeve ndërkombëtare dhe pjesëmarrjes në iniciativa të ndryshme kulturore rajonale e evropiane. 

Valtida Shukriu po e përfaqëson këtë festival në samitin e EFA-s. Ka thënë se qëllimi i pjesëmarrjes është promovimi i qytetit dhe krijimi i bashkëpunimeve me organizata e artistë ndërkombëtarë. 

“Vazhdimisht bëhen lidhje, partneritete për fondet e EU, rrjetëzim i artistëve edhe burimeve njerëzore. Stafet tona angazhohen të punojnë për ta dhe stafet e tyre vijnë te ne. Temat në të cilat unë kam marrë pjesë në diskutim ka qenë bashkëpunimi rajonal i festivaleve dhe sfidat e bashkëpunimit e fondeve të BE-së”, është shprehur ajo në një përgjigje me shkrim për KOHËN. 

Ka thënë se është “përfaqësim i diplomacisë kulturore”. 

Përfaqësimi i këtyre festivaleve në samitin e EFA-s konsiderohet i rëndësishëm edhe për krijimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare, për zhvillimin e projekteve të përbashkëta artistike dhe për fuqizimin e pozitës së Kosovës në hartën kulturore evropiane. 

Asociacioni Evropian i Festivaleve është themeluar në vitin 1952 dhe sot lidh mbi njëqind festivale dhe organizata kulturore nga rreth 40 shtete të Evropës dhe më gjerë. Organizata vepron si një rrjet ndërkombëtar bashkëpunimi për festivalet e muzikës, teatrit, filmit, vallëzimit, arteve pamore dhe disiplinave të tjera artistike. Përmes programeve të saj, EFA promovon shkëmbimin kulturor, zhvillimin e audiencave dhe mbështetjen për artistët emergjentë.

Në atë që vlerësohet si ombrellë e festivaleve evropiane dhe më gjerë, “DokuFesti”, “Anibari” e “ReMusica” nga Kosova u janë bashkuar mbi njëqind ngjarjeve më të mëdha evropiane nga 40 vende të ndryshme, në maj të vitit të kaluar. Vendimi u mor pikërisht në Samitin e Festivaleve të Artit që u mbajt në Edinburg të Skocisë. 

Sa u përket festivaleve nga Kosova që janë anëtare në EFA, janë edhe festivali ndërkombëtar i pianos “Chopin Fest” e festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur “Prizren Fest”. Anëtar është edhe “Skupi Kamerfest” që organizohet nga violinistja e shquar, Sihana Badivuku, ndërsa nga Shqipëria nuk është asnjë festival i anëtarësuar. 

Asociacioni i Festivaleve Evropiane është komunitet i madh i festivaleve artistike. Ai bashkon individë dhe organizata për të shkëmbyer, krijuar dhe vepruar, siç përshkruhet në prezantimin e tyre. 

“Festivalet janë platforma fantastike për t’u lidhur dhe për t’u angazhuar me artistë dhe audiencë nga gjithë sferat e jetës brenda lokaliteteve dhe territoreve të tyre. Si një aleancë festivalesh, qytetesh dhe rajonesh, e akorduar me botën e sotme, EFA inkurajon debatin, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e njohurive mbi tema të rëndësishme artistike dhe shoqërore”, shkruhet në të dhënat për EFA-n. 
EFA është një nga shoqatat më të rëndësishme dhe më me ndikim jo vetëm në Evropë, por edhe më botë.