Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Theodore sjell mbrëmje magjike me dinamikën e tingujve

Prishtinë, 8 nëntor – Atmosfera e ngrohtë që krijohej nga reflektorët e kuq në skenë, bashkë me llambat e vogla përreth, dekorimet e një stili të vjetër i jepnin “Kino Armatës” një pamje magjike. Instrumentet e rekuizitat tjera e kompletonin atë. E në momentin që multi-instrumentisti grek bashkë me bendin e tij u ngjitën në skenë, e gjitha mori tjetër kuptim.

Theodore zuri vend para dy mikrofonave që kishte vendosur dhe me një shikim e tundje koke u dha shenjë shokëve të tij që të fillojnë performancën. Ata që tashmë e njihnin muzikën e tij, e dinin mirë se çfarë të prisnin. Por për ata që i dëgjuan për herë të parë qe përjetim magjik.

Theodore me zërin e tij hipnotik qysh në minutat e para bën publikun për vete. Duke qenë se ai studioi pianon deri në shkollë të mesme që nga mosha trevjeçare, e më pas studioi edhe për kompozim, këngët tingëllojnë origjinale. Ndikimi i klasikes vërehet qartë. Por aty gjen edhe diçka mes jazzit, elektronikës, rockut e muzikës minimaliste.

Në Prishtinë nuk erdhi krejt rastësisht. Më 2 nëntor Theodore lansoi albumin e tij të dytë, “Inner Dynamics”, me të cilin edhe ka nisur një turne nëpër Ballkan dhe më gjerë në Evropë /S. Klisurica

(gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)