Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Interpretuesi gjenial i dramës muzikore që peshon çdo notë

Duket sikur Dave Khrikuli e ka vënë çdo qelizë të tij në funksion të lojës. S’luan veç me gishtërinj. Është njëfarë lidhjeje organike me muzikën që krijon përshtypjen se përjeton një “trans” dhe s’merr vesh çfarë ndodh përreth

Duket sikur Dave Khrikuli e ka vënë çdo qelizë të tij në funksion të lojës. S’luan veç me gishtërinj. Është njëfarë lidhjeje organike me muzikën që krijon përshtypjen se përjeton një “trans” dhe s’merr vesh çfarë ndodh përreth

Ka zgjedhur që Chopini të jetë mbrëmja e tij në Prishtinë. Notat e interpretuara prej tij kanë tjetër peshë. Magjia që pianisti gjeorgjian, David Khrikuli, është në gjendje ta krijojë derisa luan, është e nivelit të një talenti që prek gjenialitetin. Dhe në këtë rast del në pah diçka: pianoja – të paktën ajo në sallë – është e pafuqishme përballë tij. S’mund t’ia përkrahë më lojën, pasi fuqia shprehëse e Khrikulit ia ka kaluar limitet

Secili koncert është njëfarë feste më vete. Por ndonjëri shkon përtej. Kjo vërehet ende pa nisur. E në rastin më të mirë, konfirmohet pas përfundimit. Të enjten mbrëma kanë ndodhur të dyja. Pak pa nisur koncerti i yllit aktual në ngritje, pianistit David Khrikuli, të pranishmit e kanë bërë temë atë.

“Ky është dashur ta fitojë garën, por në vend të saj ka fituar publikun...”, thotë një pianist i ri. I referohet njërës prej garave prestigjioze në nivel global ku Khrikuli ka qenë këtë vit. Duket se për këtë ekziston njëfarë dakordimi midis pianistëve vendas, e në bazë të reagimeve në platforma online, edhe më tej.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Publiku i kësaj mbrëmjeje në “Chopin Piano Fest” të Prishtinës kalon portretet e zakonshme. Të pranishmit janë muzikantë të ndryshëm, përfshirë pianistë të rinj e ata më në moshë që s’shihen shpesh në mbrëmje muzikore. Nejse, David Khrikuli, derisa bëhen krejt këto muhabete, është në pritje të daljes në skenë.

Pas përshëndetjes me publikun ai ulet përballë tasteve. E krijon marrëdhënien e tij me pianon dhe nis të luajë. Ka zgjedhur që për fillim të interpretojë “Polonaise fis-mol Op. 44” të Frédéric Chopinit. S’është një “Polonaise” tipike festive. Literatura muzikore e fut te veprat pak më të errëta, dramatike dhe shumë komplekse emocionalisht. Njëfarë deklarate krenarie me akorde të forta, por më e qetë dhe poetike. Duhet mjeshtri që të ofrohet drama me këtë vepër. David Khrikuli (25) veçse nis të lidhet me pianon. Shkon duke e forcuar këtë lidhje e po ashtu edhe virtuozitetin.

Më pas kalon te “3 Mazurkas, Op. 56” të të njëjtët kompozitorë, pasi ka zgjedhur që Chopini të jetë mbrëmja e tij në Prishtinë. Janë tri pjesë të shkurtra, secila me karakter dhe ngjyrë të ndryshme. Ato nuk janë thjesht valle, por janë miniatura poetike me shumë nuanca emocionale dhe ritmike. E, ngjyrimet që i nxjerr në tingull pianisti gjeorgjian janë të veçanta. Notat e interpretuara prej tij kanë tjetër peshë.

“Ai e ka të menduar secilën notë”, thotë një pianiste e re. Khrikuli vërtet e ka të studiuar secilin tingull. Lëvizjet e tij gjatë lojës dhe emocionaliteti që ia shpërfaq fytyra s’kanë të bëjë fare me ndonjë aktrim sa për t’u bërë më interesant. Duket sikur e ka vënë çdo qelizë të tij në funksion të lojës. S’luan veç me gishtërinj. Është njëfarë lidhjeje organike me muzikën që krijon përshtypjen se përjeton një “trans” dhe s’merr vesh çfarë ndodh përreth.

Khrikuli ka një aurë të veten kur luan. Rikrijimi që ai ia bën Chopinit shtang gjithsecilin. Dhe kur shihet duke luajtur, nganjëherë duket sikur është në një botë paralele ku udhëtojnë veç ai e pianoja. Por e ka edhe publikun me vete dhe s’e lë asnjërin t’i ikë vëmendja

Pasi e ka marrë publikun me vete në udhëtimin unik, e përshëndet atë dhe futet te “Sonata Nr. 3 në h-mol Op. 58”. Përshkruhet si një nga veprat më të mëdha dhe më të avancuara për piano të Chopinit. Është një sonatë me katër kohë dhe kombinon teknikë shumë të lartë me thellësi emocionale. Para lojës së Khrikulit stepet gjithçka. Sa i përket pjesës së parë të koncertit, finalizimi me këtë vepër ka efekt shokues te publiku, sidomos te profesionistët. Krijon përshtypjen sikur kjo sonatë, kur s’luhet prej tij, s’është e plotë. Është i shpejtë, i lehtë, lozonjar, ashtu siç e kërkon një prej pjesëve të pianos që konsiderohet kryevepër e repertorit romantik. Magjia që pianisti është në gjendje ta krijojë derisa luan është e nivelit të një talenti që prek gjenialitetin. Dhe në këtë rast del në pah diçka: pianoja – të paktën ajo në sallë – është e pafuqishme përballë tij. S’mund ta përkrahë më lojën e tij, pasi fuqia shprehëse e Khrikulit ia ka kaluar limitet. Pafuqinë e pianos përballë lojës së tij e shprehin pianistët vendas në pushim e pas koncertit.

“Kohëve të fundit s’kam luajtur në ‘Kawai’ dhe kjo ishte e re. M’u duk sikur prodhuesit s’kanë bërë aq projektim kur e kanë punuar. Por e llogaris se gjithnjë duhet ta sfidoj veten dhe sot ishte një prej atyre ditëve. Mendoj se veprat që luajta vërtet treguan shumë aspekte të pianizmit”, thotë Khrikuli për KOHËN. Bëhet fjalë për pianon e re të kësaj salle që Ministria e Kulturës ia ka blerë së fundmi.

Pushimi midis dy pjesëve të koncertit kalon duke diskutuar për lojën e tij, sidomos për sonatën.

E pas 15 minutave kthehet në skenë për “Scherzo Nr. 1 h-mol Op. 20”, “Scherzo Nr. 2 b-mol Op. 31”, “Scherzo Nr. 3 cis-mol Op. 39”, “Scherzo Nr. 4 E-dur Op. 54”. Khrikuli është student i vitit të katërt në Spanjë. Studentët në këtë kohë luajnë ndonjë nga “Scherzot” dhe u duket sikur po bëjnë alamet mundimi, pasi këto vepra llogariten si tejet të rënda në repertorin pianistik. Por Khrikuli është tjetër shkollë. Shpejt e kthen publikun në botën e pianos pas pushimit dhe përmblidhet për të ofruar spektakël të vërtetë. Fuqia e tij shprehëse s’ka limit. Duket se pengesat – nëse ka pasur ndonjëherë – s’i njeh më. Zbërthehen tensioni, liria, dramatikja, rafinimi e energjia që përçojnë këto vepra. Khrikuli ka një aurë të veten kur luan. Rikrijimi që ai ia bën Chopinit shtang gjithsecilin. Dhe kur shihet duke luajtur, nganjëherë duket sikur është në një botë paralele ku udhëtojnë veç ai e pianoja. Por e ka edhe publikun me vete dhe s’e lë asnjërin t’i ikë vëmendja.

“As që i kam dëgjuar”, thotë ai kur pas koncertit e pyet dikush nëse ndonjëherë e ka shqetësuar ndonjë pëshpëritje eventuale nga publiku. Khrikuli s’merr vesh gjë tjetër pos muzikës kur është në piano. Ai e bën atë të këndojë dhe e dëgjon veç atë. Magjia që e fut ai në sallë s’është parë në atë ambient deri më tani. Ka diçka të lindur në të që nuk zbërthehet dot. Diçka në prag të mistikes.

Gjendja që ai e krijon mbërthen sallën dhe s’e lëshon lehtë as pas koncertit. E tash është koha kur ai ulet dhe pasi pushon pak, bën njëfarë muhabeti me veten. I flet vetes pas koncertit.

“Gjithnjë ka diçka që mund ta bësh më mirë. Një prej gjërave më të bukura të punës që bëj është se gjithmonë zhvillohesh në atë që bën si muzikant e si person. Ishte një koncert shumë i mirë. Gjithmonë ka diçka për të thënë dhe gjithmonë kam diçka për t’i thënë vetes”, thotë ai në prapaskenë, ku qëndron i ulur rreth dhjetë minuta pas koncertit. Kur flet për programin, tregon se ka vendosur të luajë vepra që e kënaqin duke i interpretuar.

“Është e natyrshme që gjithnjë e bëj këtë. Është e vështirë të gjesh diçka që s’të pëlqen te Chopini. Çdo gjë e tij është favorite e imja”, thotë Khrikuli. Anon te kompozitorët si Brahms, Prokofiev, Ravel e Beethoven. “Është diçka kësisoj: çkado që interpreton, në atë moment është kompozitori që është favoriti im. Në këtë rast kemi Chopinin. Por nëse bëj një listë timen, do të ishin Brahms, Chopin, Prokofiev dhe Ravel.”

Këtë vit ishte finalist në garat prestigjioze “Chopin” në Varshavë. S’mori çmim, por ngriti një debat të madh se përse ngjau kësisoj. Prej atij momenti emri i tij ka kapluar botën e muzikës. Në gjuhën e ditëve të sotme ai është një prej pianistëve më “in”, të paktën në Evropë. Për sivjet dhe vitin që vjen është krejtësisht i rezervuar.

“Dashuria e publikut vërtet është fitorja e vërtetë. Të them të drejtën s’e kam pasur fokus absolut fitoren e garës. Doja të tregoja se çfarë mund të bëj dhe të respektoj Chopinin. Ai është disi kompozitori i jetës sime, është arsyeja se përse kam zgjedhur pianon dhe përse jam sot këtu. Që prej orëve të para të mia në muzikë kam ëndërruar ta luaj Chopinin”, thotë ai në një muhabet krejt të shtendosur me artikulim brilant dhe thjeshtësi maksimale. Është e kundërta e atyre artistëve që njihen pak përtej lagjes dhe mendojnë se arti sillet rreth tyre.

“E kam pasur ëndërr të jem në atë garë. Është e natyrshme që gjithsecili kemi dëshirë ta kemi atë çmim dhe padyshim edhe unë. Por e para është dashuria e publikut”, thotë Khrikuli. Pranon secilin që ka dëshirë ta përshëndesë dhe duket sikur i bëhet qejfi kur të rinjtë i thonë se është frymëzim për ta.

Profesoresha e pianos dhe njëherësh drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula, sivjet në garat që mbajnë emrin e maestros Chopin në Varshavë kishte parë shumë garues. Por me të parë lojën e Khrikulit kishte marrë tjetër ndjesi. Ajo thotë se atje të gjithë luajnë në mënyrë të përkryer, por dallimi është te nuancat se si një vepre i nxirret në pah shpirti nëpërmjet interpretimit. Të enjten mbrëma ajo e ka përjetuar sërish pianizmin e Khrikulit.

“Paleta e ngjyrave të tingullit dhe forma e rrjedha muzikore qenë tërësisht të veçanta. Do të thotë i ka vetëm ky. Butësi e subtilitet që vërtet janë fantastike. Mua më është dukur si gjysmë ore, pasi ishim me të së bashku në secilën notë që luante. Ka arritur të transmetojë të gjitha idetë së pari të Chopinit duke i përvetësuar e pastaj me virtuozitet mahnitës duke i sjellë në skenë”, thotë Pula. Sipas saj, për këtë nivel kërkohet mjeshtri e rrallë.

“Vërtet i ka vetitë e gjenialitetit. Jam shumë e lumtur për këtë përjetim që kemi pasur mundësi ta kemi atë këtu e të luajë me shumë dashamirësi”, ka thënë Pula.

Pas koncertit pianisti del bashkë me ekipin e festivalit për një shujtë të shpejtë. Ka njëfarë lirie për të komunikuar me secilin dhe për tema të ndryshme. Tregon se të nesërmen, menjëherë pas fluturimit të kthimit për në Spanjë, ka provim në lëndën ku luhet në dyshe. Shton një dozë humori duke thënë se s’i ka parë aq shumë partiturat, por do t’i shikojë në avion. Në ardhje ka pasur njëfarë telashe. Kosova dhe Gjeorgjia s’kanë marrëdhënie diplomatike dhe duhet vizë që qytetarët gjeorgjianë të hyjnë në Kosovë. Për fatin e tij, i ka skaduar edhe leja rezidenciale spanjolle me të cilën mund të hynte në Kosovë pa vizë. I është dashur të fluturojë për në Tiranë, e më pas brenda ditës të pajiset me vizë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri. Përtej teknikaliteteve e marrëdhënieve të munguara diplomatike, Gjeorgjia prej së enjtes e ka bërë një ambasador në Kosovë: Dave Khrikulin si yll në ngritje e sipër të pianos e interpretues gjenial që ofron dramë të pashoqe muzikore.