Kulturë

Maestro Peter Donohoe në botën e Chopinit dhe duartrokitjet që s’ndalen

Peter Donohoe

Me të dalë në skenë, pianisti Peter Donohoe në skenën me drita të lehta e dekore si shenja të festivalit, ka nisur menjëherë pjesa artistike. Ka seleksionuar komplet programin me vepra të Chopinit e të kompozitorëve që punën e tyre e kanë mbështetur mbi atë të gjeniut të pianos

“Legjendë e pianizmit botëror”, është njëri prej epiteteve të njohura tashmë, por Peter Donohoe për “Chopin Piano Fest” është më shumë sesa kaq. Mbi të gjitha ai është mik i festivalit, në epilogun e të cilit ka sjellë një kapitull unik të Chopinit, duke jetësuar veprat sfiduese të tij. Përherë – në skenën që nuk ndryshon – ai sjell magjinë, në koncertin final të edicionit të 15-të duartrokitjet e kanë rikthyer disa herë në skenë, si një shenjë që ai të rikthehet në Prishtinë

Emocional, shkëlqyes teknikisht e virtuoz ka qenë koncerti recital i pianistit britanik, Peter Donohoe, një ndër më të shquarit të kohës. Me të edhe është mbyllur faqja e edicionit të 15-të të festivalit ndërkombëtar të pianos “Chopin Piano Fest” me programin me po aq koncerte. Organizatorët e konsiderojnë të suksesshëm derisa udhëheqësit lokalë vazhdojnë refrenin e premtimeve për kushte infrastrukturore. 

Nuk duhet bërë shumë për të dëshmuar sa jetike është një sallë koncertale, qoftë me kushte minimale, me kondicionerë të paktën, për të zhvilluar një koncert pa sfida. Një asi ku ata që interpretojnë janë komodë, sepse shkëlqimi në sallë nuk është fare çështje primare. Ka shumë telashe të tjera me të cilat organizatorët ballafaqohen, megjithëse tentojnë të hijeshojnë sado pak skenat ku ngjiten muzikantë botërorë.

E një muzikanti të kalibrit si Donohoe i është dashur të interpretojë me dyer të hapura të sallës. Siç është bërë traditë, udhëheqësit lokalë e qendrorë premtojnë për kushte më të mira në edicionin e radhës. Vitin tjetër, kushtet janë të njëjta e veç sa shkojnë rëndohen. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka vazhduar serinë e premtimeve edhe sivjet. 

“Në aspektet e strukturave që na nevojiten jemi duke pasur sfida të shumta, por ju premtoj që jemi rrugës për t’i krijuar edhe këto hapësira për kryeqytetin sado që kemi sfida. Prandaj ju falënderoj që infrastruktura, ajo e buta, veçse ekziston, ndërsa pjesa fizike me siguri se do të bëhet shumë shpejt”, ka thënë Rama në fjalën e tij para nisjes së koncertit. 

Organizatorët këtë pjesë si përherë e shfrytëzojnë për të falënderuar partnerët e festivalit, muzikantët e publikun. 

Me të dalë në skenë, pianisti Peter Donohoe në skenën me drita të lehta e dekore si shenja të festivalit, ka nisur menjëherë pjesa artistike. Ka seleksionuar komplet programin me vepra të Chopinit e të kompozitorëve që punën e tyre e kanë mbështetur mbi atë të gjeniut të pianos. 

E ka nisur me “Barcarolle, op.60” si vepër që më shumë tingëllon në lojë të shthurur tingujsh në tentativë për të gjetur rrugën drejt ritmit harmonik. 

“Polonaise-Fantasie, op.61” ka qenë jashtëzakonisht serioze e virtuoze dhe ngjan si shumë sfiduese. “Two Noctures, op.62” ka qenë krejt tjetër natyrë. Më e butë dhe tingujt janë më relaksues, meditues. E në fund të pjesës së parë janë interpretuar “Three Waltzes, op.64” tejet harmonike e ritmike. Janë vallëzime të shpejta. 

Në pjesën e dytë ka interpretuar “Variations and Fugue on a Theme by Chopin, op.22” nga Ferrucio Busonit dhe “Variations on a Theme of Chopin, op.22” nga Sergei Rachmaninoff. Të dyja kanë qenë jashtëzakonisht virtuoze. 

Kur duartrokitjet e pasojnë lojën e tij, ai nuk heziton të ulet menjëherë në piano për të luajtur një tjetër pjesë të Chopinit, të cilat i hesht me tinguj. Ka lënë skenën e është kthyer disa herë dhe në dy prej tyre, sërish është ulur pranë pianos për të luajtur. 

Pianisti Donohoe e ka konsideruar atë çfarë ka interpretuar si program sfidues, por të bukur. 

“Është kombinim i bukur i veprave, sepse shfaq ndikimin e Chopinit te kompozitorët e tjerë. Por është edhe një eksplorim i veprave kryesore të fundit të Chopinit. Eksplorimi i këtyre pjesëve, bashkë me atë të Busonit dhe Rachmaninoffit nuk ishte vetëm eksplorim emocionues për mua, por shpresoj që edhe për publikun”, ka thënë pianisti me nam në botën e muzikës klasike. 

Si me program, por edhe në prononcim pas koncertit ka theksuar ndikimin e krijuesve nga Chopini, por edhe ndikimin e vetë kompozitorit në muzikën klasike botërore. 

“Chopini është zbulues i stilit modern të lojës në piano dhe gjithçka para tij ka qenë krejtësisht ndryshe. Ai ka pasur sens për muzikë. Është unik. Sipas meje kjo është shumë sfiduese. Jam shumë i lumtur që nuk e kam punuar deri në këtë vit. Ishte kënaqësi të interpretoja këtu dhe veçmas këtë program”, është shprehur ai. 

Peter Donohoe: “Chopini është zbulues i stilit modern të lojës në piano dhe gjithçka para tij ka qenë krejtësisht ndryshe. Ai ka pasur sens për muzikë. Është unik. Sipas meje, kjo është shumë sfiduese. Jam shumë i lumtur që nuk e kam punuar deri në këtë vit. Ishte kënaqësi të interpretoja këtu dhe veçmas këtë program”

Në Prishtinë ka qenë nja pesë herë, në kuadër të festivalit. Gjatë këtyre viteve ka thënë se ka vërejtur ndryshime të jashtëzakonshme në vend. 

“Erdha sërish në Prishtinë dhe pashë ndryshime dramatike në qytet, ishte e pabesueshme. Nuk ka ndryshuar shumë gjatë këtyre dy vjetëve, por ndërmjet kësaj kohe dhe vitit 2020 ka ndryshime të jashtëzakonshme. Njerëzit janë shumë të mirë, jo vetëm se e them, por vërtet e mendoj këtë”, ka vlerësuar ai. 

Në kuadër të koncertit tradicional që mban “Chopin Fest” me Filharmoninë e Kosovës, Donohoe qe solist në interpretimin e veprës “Koncerti nr. 3 për piano dhe orkestër” nga Sergei Rachmaninoff. Për të parën herë ka qenë në edicionin e vitit 2019, ku pati koncert recital.

Peter Donohoe u lind në Manchester në vitin 1953. Ka studiuar në shkollën e muzikës së Chethamit për shtatë vjet, dhe ka diplomuar për muzikë në Universitetin e Leedsit duke vazhduar studimet në Kolegjin Mbretëror të Muzikës me Derek Wyndham dhe më pas në Paris me Olivier Messiaen dhe Yvonne Loriod. Ai është vlerësuar si një nga pianistët më të shquar të kohës së tij për shkathtësinë stilistike dhe teknikën.

Donohoe ka interpretuar me orkestra të ndryshme nga e gjithë bota. Turnetë e tij globalë e kanë çuar në shumë vende, nga Amerika e Jugut në Evropë, Azi e SHBA.

Drejtoresha artistike e festivalit, pianistja Lejla Pula, derisa ka folur për programin e edicionit të sivjetmë, ka thënë se publiku ka pasur rastin të dëgjojë vepra të mrekullueshme. Programin e Donohoe e ka konsideruar shumë kërkues. 

“Jemi dëshmitarë që interpretimi ishte fantastik. Që nga fillimi kemi pasur edhe recitale, duke filluar që nga polakja e cila e ka hapur me një mbrëmje të Chopin dhe sonte po e mbarojmë me rezidentin e festivalit, maestro Peter Donohoe, i cili është vërtet legjendë e pianizmit botëror. Ai përsëri e ka pranuar ftesën tonë dhe luan një program të jashtëzakonshëm, të vështirë, virtuoz, me kërkesa shumë të mëdha teknike dhe muzikore”, ka thënë ajo derisa ka thënë se ky program ka qenë dhuratë për festivalin. 

“Na sjell magjinë e tingujve. E ka sfiduar edhe veten, sepse luan program krejtësisht tjetër të Rachmaninoff, Listz. Është sfiduar për shkakun tonë. Programi është dhuratë për ne organizatorët dhe publikun”, ka thënë Pula më tej. 

Është shprehur mirënjohëse për artistët që pranojnë të interpretojnë edhe në kushte të dobëta. 

“Jemi shumë mirënjohës, së pari për artistët që vijnë, që pranojnë ftesat tona për të ardhur për të interpretuar në Kosovë, sepse vendi ende, duhet ta pranojmë këtë, nuk e ka infrastrukturën e as të gjitha gjërat që nevojiten për realizimin e koncerteve të mirëfillta të muzikës klasike. Megjithatë në këtë sallë jemi strehuar shumë bukur, sepse ka një akustikë të mirëfilltë dhe instrumentistët janë të kënaqur”, ka thënë profesoresha e pianos, Lejla Pula. 

E drejtoresha ekzekutive e festivalit, Besa Luzha, e ka konsideruar brilant pianistin britanik. Është shprehur krenare me prezencën e tij në festival. 

“Ai tash është mishëruar kaq shumë edhe me audiencën, edhe me festivalin saqë nuk përton të vijë çdo vit dhe ne e kemi problem t’i themi jo, sepse është një legjendë e vërtetë. Krejt veprat kanë qenë në nderim të Chopinit, e ka nderuar edhe festivalin, variacionet e Rachmaninoffit dhe Busonit janë kryevepra të cilat jo gjithkush i luan me aq lehtësi dhe mjeshtëri si Peter dhe kështu me të vërtetë jemi të nderuar”, është shprehur profesoresha e pianos, Besa Luzha. 

“Chopin Piano Fest” u hap më 8 maj në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare me koncert recital nga polakja Maria Gabrys - Heyke.