Kulturë

Chopini jehon për liri me rrëfimin mjeshtëror në piano

Chopini jehon për liri me rrëfimin mjeshtëror në piano

Zakonisht një koncert i gjatë me vepra pianistike të veç një kompozitori mund të jetë pak i lodhshëm. Por në rastin e Maria Gabryś-Heykes nuk ngjan kësisoj. Loja e saj e bën të prekshëm atë që thuhet shpesh: çdo notë, një rrëfim (Foto: Zyra e Kryeministrit)

Me interpretimin e mjeshtres Maria Gabryś-Heyke në Prishtinë është hapur edicioni i 15-të i festivalit “Chopin Piano Fest”. E, koncerti – pos si një uverturë e maratonës muzikore – nëpërmjet muzikës së gjeniut të Romantizmit ka zbërthyer mesazhe paqeje në Ditën e Evropës. Mbi të gjitha ka sjellë frymën e lirisë. “Ai ishte evropian i lindur në Poloni. Muzika e tij e ka mesazhin e lirisë dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për popullin polak, sidomos gjatë luftës. Në kohë të vështira Chopin ishte manifestim i emocioneve dhe identitetit tonë”, ka thënë Gabryś-Heyke

Frédéric Chopin është prej kompozitorëve që e kanë mbizotëruar Romantizmin sa u përket kompozimeve për piano. Veprat e tij shquhen si kërkuese, por edhe si melodi që prekin anë të ndryshme emocionale, bashkojnë njerëzit dhe mbi të gjitha kanë mesazhe paqeje. Në prag të Ditës së Evropës dhe 80-vjetorit të çlirimit të kontinentit të vjetër nga fashizmi e nazizmi, muzika e Chopinit ka hapur këtë festë në Kosovë.

“Polonaise in Cis-mol Op.26 No. 1” shihet edhe si himn i muzikës klasike në Poloni. Bashkon shumë histori polake duke paraqitur traditën e këtij populli. Polonia është prej vendeve që Lufta e Dytë Botërore e ka kthyer në gërmadhë. E muzika e Chopinit ishte aty për të ngjallur shpresë.

Me interpretimin e mjeshtres Maria Gabryś-Heyke në Prishtinë është hapur edicioni i 15-të i festivalit “Chopin Piano Fest”. Mbrëmja muzikore ka nisur pikërisht me “Polonaise in cis-mol Op.26 No. 1”. Ka vazhduar me “4 Mazurkas Op.30”,  “Nocturne cis-mol Op.27 No.1”,  “Nocturne Des - dur Op.27 No.2” e  “Fantaisie - Impromptu cis-mol Op.66”. Pianistja virtuoze, që është edhe profesoreshë e pianos në universitetin e muzikës “Frédéric Chopin” në Varshavë, ka sjellë frymën e Chopinit në Prishtinë. Loja e saj dhe veprat e zgjedhura kanë bërë që në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare muzika e Chopinit të vijë me krejt ngjyrat e saj. Loja virtuoze ka zbërthyer magjinë e romantikut që i la botës vepra, që pos bukurisë artistike kanë edhe mesazhe tejet të vlefshme.

Zakonisht një koncert i gjatë me vepra pianistike të veç një kompozitori, mund të jetë pak i lodhshëm. Por në rastin e Maria Gabryś-Heykes nuk ngjan kësisoj. Loja e saj e bën të prekshëm atë që thuhet shpesh: çdo notë, një rrëfim. Maria Gabryś-Heyke e ka këtë aftësi dhe e ka dëshmuar prej Japonisë deri në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Një pauzë 15-minutëshe, s’ka qenë veç pushim, por edhe ndarje konceptuale e veprave.

“Në pjesën e parë të koncertit doja të propozoja anën më subtile dhe intime të muzikës së Chopinit. Në pjesën e dytë ishte program më i gjallë me momente më të lumtura si për shembull me ‘Grand Polonaise’”, ka thënë pianistja me nam.

Krejt në fillim të mbrëmjes, që e ka hapur këtë edicion të Festivalit, organizatorët kanë falënderuar të pranishmit dhe kanë dhënë mesazhet e tyre para të pranishmëve.

“Vlerë e çmuar e Festivalit tash është edhe bashkëpunimi ynë tashmë tradicional me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë me rastin e Ditës së Evropës, 9 maji. Sivjet i bashkohemi gjithashtu festimit të madh të 80-vjetorit të çlirimit të Evropës nga fashizmi”, ka thënë drejtoresha artistike e Festivalit, pianistja Lejla Pula.

Kurse drejtoresha menaxhuese, Besa Luzha, ka thënë se janë krenare që Asociacioni Kosovar i Chopinit është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Chopinit , me seli në Varshavë, që nga viti 2009.

“Kjo Federatë është anëtare e Këshillit të Muzikës pranë UNESCO-s, që për ne paraqet inkurajim të madh dhe vlerë të jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.  

“Chopin Piano Fest” sivjet vjen me 15 mbrëmje dhe për një muaj do të jetë skenë e muzikantëve vendorë e të huaj. Hapja me Maria Gabryś-Heyke ka qenë e veçantë. Loja e saj bashkë me mesazhet e muzikës që ka interpretuar kanë apeluar për unitet (Foto: Zyra e Kryeministrit)

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se figura e Frédéric Chopinit, mjeshtër i pianos dhe simbol i unitetit kulturor evropian, ka ndikuar thellësisht në arsimimin muzikor në botë dhe në Kosovë, ku muzika e tij është interpretuar, studiuar dhe përkujtuar përmes konkurseve e krijimeve të reja nga kompozitorët tanë.

“Ky festival është më shumë se një seri koncertesh. Është një ekosistem i gjallë kulturor, që mbështet talentet e reja, promovon trashëgiminë muzikore, dokumenton krijimtarinë dhe nxit diplomacinë përmes artit. Ai lidh skenën tonë të pavarur muzikore me struktura të ngjashme në rajon dhe në botë”, ka thënë ai. Ka falënderuar të gjithë artistët që do të performojnë në këtë edicion.

“Dhe një falënderim i veçantë për organizatorët: ju nuk krijoni vetëm muzikë të bukur, por edhe një shoqëri më harmonike dhe një progres më ritmik”, ka thënë kryeministri në detyrë, Kurti.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka folur për vlerat e BE-së e po ashtu edhe të muzikës.

“Bashkimi Evropian është projekti më i qëndrueshëm i paqes”, ka thënë midis të tjerash ai për unionin politik dhe ekonomik të themeluar më 1993. Për një festival të muzikës, fjalimet kanë qenë pak të gjata. Por kur ka ardhur koha që  Maria Gabryś-Heyke të nisë lojën, ka bërë që pjesa e përparshme e ceremonisë të mbetet nën hije.

Pjesa e dytë e koncertit qe më e gjallë.

“Valse As - Dur Op.34 No.1”,  “Valse a - mol Op.34 No. 2”,  “Valse Des - Dur Op.64 No. 1”,  “Bolero a - mol Op.19”, “Andante spianato e Grande Polonaise” dhe “Brillante Es - Dur Op.22” kanë sjellë një tjetër shpirt të Chopinit. Atë të muzikës më ritmike e më festive. Atë të një feste siç është Dita e Evropës, 9 maji. Këto vepra të kompozitorit që u lind më 1910 dhe vdiq në moshën 39-vjeçare janë muzikë pasionante. Bashkojnë histori të romantizimit dhe u japin ritëm rrëfimeve të bukura. Loja e Maria Gabryś-Heyke – fituese e disa konkurseve prestigjioze – i bën këto vepra të flasin.

“Kam menduar gjatë për këtë program sonte, pasi bëhet fjalë për një ngjarje speciale, siç është hapja e një festivali të pianos dhe po ashtu festohet Dita e Evropës. Muzika e Chopinit ka shumë variacione ndjenjash dhe të emocioneve. Të luash muzikën e tij para audiencave të ndryshme si në Japoni, Kore të Jugut apo Amerikë do të thotë t’i bashkosh njerëzit dhe të kontribuosh për një harmoni më të madhe midis njerëzve”, ka thënë ajo pas koncertit.  

Në këtë rast ka shtuar se Chopin luhet çdo kund.

“Një pjesë e tij është polake, kurse tjetra franceze. Ai ishte evropian i lindur në Poloni. Muzika e tij e ka mesazhin e lirisë dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për popullin polak, sidomos gjatë luftës. Në kohë të vështira Chopin ishte manifestim i emocioneve dhe identitetit tonë”, ka thënë ajo. Evropa tash nuk është në ditët e saj më të mira. E muzika e Chopinit përtej një terapie, është edhe thirrje për unitet. Për fund ka zgjedhur që publikut t’i ofrojë edhe një përjetim. Atë të veprës “Polonaise” të kompozitores, siç ka thënë pianistja, së parë të pavarur polake, Maria Szymanowska.

“Ajo është e para grua e pavarur kompozitore dhe pianiste. Është një emër goxha i harruar, por shumë e rëndësishme për kulturën polake dhe evropiane. Ishte mike e Johann Wolfgang von Goethes, Alexander Pushkinit dhe personaliteteve të tjera të mëdha të kohës së saj. Ajo po ashtu e ka inspiruar Chopinin, pasi disa vepra të tij janë të prekura nga muzika e saj”, ka thënë Maria Gabryś-Heyke.

“Chopin Piano Fest” sivjet vjen me 15 mbrëmje dhe për një muaj do të jetë skenë e muzikantëve vendorë e të huaj. Hapja me Maria Gabryś-Heyke ka qenë e veçantë. Loja e saj bashkë me mesazhet e muzikës që ka interpretuar kanë apeluar për unitet. E mbi të gjitha për paqe.