Me ndjesinë që ngjallin veprat e Chopinit kudo që luhen, meloditë e tij të asaj kohe, bashkë me gjurmët që ka lënë Vjena në to, u interpretuan në Prishtinë. Koncerti u quajt “Chopini në Vjenë” dhe për ta sjellë këtë ndjesi, u zgjodhën dy interpretuese polake që Vjenën e kanë shtëpi të dytë: Pianistja Natalia Rehling dhe sopranoja Zuzanna Mika. “Ishte shumë inspiruese. E mendova si një teatër, sikurse para 200 vjetësh kur Chopin po luante në teatër”, ka thënë Rehling
Pasditen e së martës së 11 gushtit të vitit 1829, një pianist i ri që para pak muajsh kishte mbushur të 19-tat duhet të ketë qenë duke zgjedhur kostumin më të bukur për të dalë në skenë. Nuk pritej me ndonjë kureshtje të madhe, përveç asaj që zgjon fakti se po interpretonte për herë të parë në kryeqytetin austriak.
Me fytyrën e mprehtë prej të riu, polaku Frédéric Chopin po i drejtohej “Theater am Kärntnertor” të Vjenës. Janë vitet kur pianisti dhe kompozitori kishte nisur karrierën ndërkombëtare. Polonia ishte “e vogël” për të. Sipas të dhënave, në qytetin perandorak nuk kaloi gjithçka ashtu siç ishte entuziast. Por, me një tjetër qëndrim aty, prej vitit 1830 deri më 1831, krijoi veprat që i atribuohen si “Chopin i Vjenës”. Dhe Vjena sot i ka për mburrje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë një ambient larg “Theater am Kärntnertor”, por në një mbrëmje të së martës dhe me ndjesinë që ngjallin veprat e Chopinit kudo që luhen, meloditë e tij të asaj kohe, bashkë me gjurmët që ka lënë Vjena në to, u interpretuan në Prishtinë.
Koncerti u quajt “Chopini në Vjenë” dhe për ta sjellë këtë ndjesi, u zgjodhën dy interpretuese polake që Vjenën e kanë shtëpi të dytë.
Në fillim të koncertit të dytë me radhë në kuadër të “Chopin Piano Fest” në Prishtinë, pianistja Natalia Rehling dhe sopranoja Zuzanna Mika shkuan përtej Chopinit. Nisën me Wolfgang Amadeus Mozart duke sjellë “Ridente la calma, K.152”, “Komm, liebe Zither, K.351” dhe “Dans un bois solitaire et sombre, K.308”. Ishin interpretime elegante, ashtu siç janë edhe vetë këto krijime. Me melodi shumë të këndshme dhe të thjeshta – veçori e Mozartit – dyshja solli pak nga bota e tij.
Më pas kaluan te Franz Schuberti me “Die Forelle, D.550”, “Auf dem Wasser zu singen, D.774” dhe “Des Mädchens Klage, D.191”. Janë vepra më dramatike, ku pianoja nuk është vetëm shoqërim, por merr rolin e një peizazhi që pasqyron dramatikën e tekstit. Duke qëndruar brenda asaj bote dramatike, por duke e zbutur atë për t’i dhënë më shumë frymë intimitetit, duoja ka vazhduar me interpretimin e veprave të Josephine Fröhlich “Lebewohl” dhe “Erinnerung”, që në literaturën muzikore hyjnë te stili i hershëm romantik, me tematika njerëzore si ndarja dhe kujtimi, duke gërmuar në ndjesi të brendshme.
Më pas ka hyrë në lojë Frédéric Chopini. “Polish Songs, Op. 74”, ku janë përfshirë “Lithuanian Song”, “Out of My Sight”, “The Sad River”, “The Messenger” dhe “The Warrior”, kanë ndryshuar atmosferën e mbrëmjes. Ndikimi i fortë i folklorit polak vërehet që në tingujt e parë. Pianoja në këtë rast merr peshë tjetër. Bëhet fjalë për muzikë patriotike dhe njëkohësisht emocionale. Dyshja e bashkuar në një skenë që mund të ofrojë Prishtina në këtë aspekt, ka marrë thuajse vëmendjen e plotë të publikut. Bashkë kanë rrëfyer një pjesë të krijimtarisë së Chopinit, atë që bën pjesë në më të popullarizuarat.
“Ishte vërtet kënaqësi të interpretoja këtu. Mora shumë ndjesi të mira. Midis kolegësh shumë të mirë dhe me muzikë të mirë, kjo është ajo që dua. Të ndash interpretimin tënd me të tjerët është një gjë shumë e bukur për ne si muzikantë. Kemi zgjedhur disa kompozime të Chopinit, por edhe të disa krijuesve austriakë”, ka thënë sopranoja e re Zuzanna Mika, e lindur afër kryeqytetit kulturor të Polonisë, Kraków.

Pas një pauze të shkurtër, në skenë është kthyer vetëm pianistja Natalia Rehling. Me një sensibilitet dramatik, duke e përjetuar hapësirën si një teatër, ajo iu drejtua veprave të Chopinit që janë krijuar në Vjenë: “Scherzo nr. 1 në si-bemol minor, Op. 20”. Bëhet fjalë për një vepër dramatike dhe të fuqishme që kërkon shkathtësi. Ndryshe nga “scherzo” klasik, në këtë rast tragjikja dhe dramatikja janë dominuese. Kontraste ekstreme të shoqëruara nga pjesë lirike dhe një frymë e traditës polake kanë bërë që ambienti të shndërrohet në një teatër më vete. Dinamizmi është boshti kryesor, ndërsa fuqia krijuese e Chopinit vjen në pah në secilën notë. Ka vazhduar me “Katër Mazurka, Op. 7”, që janë edhe shpirti i stilit kombëtar të Chopinit. Aty vërehet ndikimi i fortë i muzikës popullore polake përmes formave të shkurtra, por shumë ekspresive. Janë si një dramë me katër akte. Më pas ka kaluar te një tjetër dramë: ajo që shpalos qartë shenjat vjeneze te Chopini.
“Variacione, Op. 2 ‘Là ci darem la mano’” është vepër që kompozitori e ka bazuar në një duet nga opera e Wolfgang Amadeus Mozart, “Don Giovanni”. Vepra ka një hyrje dramatike, ku pianistja përdor gjithë teknikën me përqendrim maksimal, duke i dhënë peshë edhe anës teatrale. Ajo e ka futur publikun në ngjyrimet e veçanta, duke luajtur mbi versionin e shkrimit vjenez. Variacionet bashkojnë shkathtësinë e kompozitorit dhe pianistit që jetoi vetëm 39 vjet.
“Ishte shumë inspiruese. E mendova si një teatër, sikurse para 200 vjetësh kur Chopin po luante në teatër. Këtu ishte një atmosferë speciale dhe shumë e ngrohtë. Secila vepër krijonte lidhje direkte me publikun. Po ndieja qetësinë që krijohej dhe ndjesinë e thellë që vërehej”, ka thënë Natalia Rehling.
Pianistja e lindur në Poznań është kthyer disa herë në skenë për ta vazhduar rrugëtimin e saj muzikor, të parin në Prishtinë.
“Më është kërkuar të sjell Chopinin e Vjenës në Prishtinë. Kështu që e bëmë këtë. Solla veprat e Chopinit në Vjenë, ku ai qëndroi nga viti 1829 deri më 1831. Është kënaqësi të sjell këtu Variacionet dhe pjesën tjetër të veprave të tij”, ka shtuar ajo pas interpretimit, ku në publik ishte edhe një delegacion i institucioneve kulturore të Polonisë.
Të martën, “Chopin Piano Fest” ka zbërthyer një pjesë të veçantë të epokës krijuese të Frédéric Chopin, atë të rinisë së kompozitorit kur synonte karrierë ndërkombëtare dhe udhëtonte për të treguar zotësinë e tij. Njëkohësisht, edhe tingujt e sinqertë të krijuesit që është një prej emblemave muzikore dhe kulturore të Polonisë.