Prishtinë, 13 nëntor – Ministria së Kulturës s’ka plan tjetër për lokacionin e teatrit, operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Ani pse Komuna e Prishtinës të hënën mbrëma e ka bërë të qartë se në atë hapësirë afër Fakultetit Teknik pritet të ndërtohen dy objekte të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, MKRS-ja ka heshtur edhe për këtë ashtu siç po bën për procedurat e përzgjedhjes së projektit ideor. Gazeta ka marrë vesh se Komisioni i themeluar nga MKRS-ja ka përzgjedhur njërin nga tri propozimet e pranuara si projekt ideor. Një gjë e tillë është bërë javën e kaluar, përderisa prezantimi financiar është bërë po javën e kaluar, të premten.
Për situatën e re zyrtarët ministrorë kanë heshtur edhe të martën, por ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi, mohon deklaratat e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, se nuk e kanë njoftuar kur konkursin për projekt ideor, në korrik të këtij viti, e kanë hapur duke u bazuar në lokacionin ku dhjetë vjet më parë qe vendosur guri themeltar për teatrin e operës dhe baletit.
Të hënën mbrëma planet për ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore dhe një objekti të Fakultetit Ekonomik janë bërë publike kur Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ia ka bërë Komunës së Prishtinës prezantimin e një drafti të “Planit rregullues të hollësishëm për zonën e ‘Fakultetit Teknik’, në lagjen ‘Bregu i diellit’”. E kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ka konfirmuar se vendi për teatrin e operës dhe baletit nuk është më i lirë.
Ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë të martën se
“vendimin e vitit 2006 askush nuk e ka anuluar. Tash lind pyetja se a janë apo jo valide vendimet e Kuvendit Komunal të Prishtinës”, ka thënë Gashi.
Sipas shkresës së muajit të kaluar, sekretari i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, kishte njoftuar kryetarin Ahmeti se MKRS-ja ka nënshkruar kontratë lidhur me hartimin e detyrës projektuese me qëllim të publikimit të konkursit ndërkombëtar ideor dhe zbatues për projektin kapital, teatrin e operës dhe baletit. Firzi kishte sqaruar se në tetor kishte parë se në hapësirën dedikuar teatrit të operës dhe baletit është duke u punuar dhe janë vënë rrethoja.
Edhe
Ministria s’e pranon që s’ka lokacion për teatër të operës
“Kështu që edhe një herë ju riinformojmë ashtu siç ju kemi njoftuar edhe më datë 20.6.2018, që MKRS-ja është në procedurën e përgatitjes së konkursit ndërkombëtar të projektit për objektin në fjalë”, shkruhet në shkresën e protokolluar në ditën e 3-të të nëntorit.
Situata e re midis Komunës dhe MKRS-së del të jetë e pakuptimtë për udhëheqësit e Filarmonisë së Kosovës e Baletit Kombëtar të Kosovës, institucione këto që do të shfrytëzonin teatrin e operës dhe baletit .
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)