EXPRESS

Gati një vit prej tenderit ndërkombëtar, s’ka projekt për Teatër të Operës

Në 15-vjetorin e “performancës” për gurin themeltar të teatrit të operës dhe baletit “dr. Ibrahim Rugova” te Fakulteti Teknik dhe në njëvjetorin e tentativës së dytë të Qeverisë aktuale për ta bërë me projekt, një “festë” e tillë për nisje punimesh duket ende larg. Teatri i Operës dhe Baletit ende nuk ka as projekt.

Ritenderim, përzgjedhje e një projekti, ankesë, pranim e përmirësim i gabimit nga Ministria e Kulturës dhe ankesë tjetër në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik është kronologjia e deritashme e synimit të dytë të MKRS-së për të pasur projekt për Teatrin e Operës dhe Baletit. Por, në shkurt bëhet një vit prej kur ka nisur procedura dhe ende s’ka kurrfarë rezultati. 

Paraprakisht nëpërmjet një procesi të nisur më 2023 e që kishte zgjatur gati një vit, kishte dështuar shkaku i shkeljeve ligjore të Ministrisë së Kulturës. E tenderi aktual mbetet pezull. Pritet verdikti i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Baleti Kombëtar i Kosovës numëron dy vjet e gjysmë që është “institucion në qira”. Provat mbahen në ambientet e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” e shfaqjet herë në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit e edhe në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq, siç ngjau fundvitin e kaluar. Kurse institucioni i ri i Operës së Kosovës – që funksion si agjenci që angazhon njerëz me projekte – është qiraxhi kur jep shfaqje. E qiratë i ka të larta, përderisa në total produksionet prekin 300 mijë euro. 

Prej vitit 2021 e deri më tash MKRS-ja ia ka dalë që të sigurojë veç vendin  e ri për të ndërtuar Teatrin e Operës, por jo edhe dokumentin bazik për këtë –  një projekt në letër. 

Tenderit ndërkombëtar “Zhvillimi i projektit ideor dhe i hollësishëm, i arkitekturës dhe inxhinierisë, për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës në Prishtinë, në Republikën e Kosovës – Ritenderim” ia kishin mësyrë katër kompani. Por prej shkurtit, kur ishte hapur, deri në shtator, MKRS-ja nuk ia kishte dalë që të merrte vendim për kompaninë që ka zënë vendin e parë në vlerësim. 

Konsorciumi “Gerber Architekten International dhe Hark Architect” qe vlerësuar me më së shumti pikë. 

Por “Big Partners Ltd dhe ALB Architect” kishte bërë kërkesë për rishqyrtim të lëndës. Dhe vetë MKRS-ja i ka dhënë të drejtë. Tash krejt lënda ka mbetur në pritje të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. 

E në Baletin Kombëtar të Kosovës presin që sa më shpejt të vihet guri themeltar. 

“Në Baletin Kombëtar të Kosovës do të ishte përtej një lajmi nisja e një projekti të tillë. Ne kemi performuar në vënien e një guri themeltar në vitin 2009, por fatkeqësisht ai projekt nuk eci para. Shpresojmë që së shpejti të performojnë për një gur themeli tjetër, por kësaj radhe në një projekt që do të realizohet”, tha Sinan Kajtazi, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës. 

Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emër: teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.