Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Opera i kthehet projektit të përvitshëm, angazhimit të ansamblit

Audicion - Opera

Në audicion bëhet me dije se mund të aplikojnë instrumentistë profesionistë e edhe studentë të instrumenteve përkatëse. Materialet për audicion janë publikuar dhe përfshijnë partitura nga operat “Gianni Schicchi” dhe “Suor Angelica” të Puccinit, ndërsa audicionet pritet të mbahen më 17 dhe 18 prill në objektin e Filharmonisë së Kosovës

Institucioni që synon identitet të qëndrueshëm kulturor në njërën anë dhe në tjetrën ka mungesë të konsolidimit, është prej paradokseve të mëdha. Rasti i Operës së Kosovës është ilustrim i qartë i këtij hendeku: institucion që ekziston, por që përvitshëm angazhohet ansambli që performon skutave ose për të ngrihen skena të improvizuara në lokacione të ndryshme. Që nga koncerti inaugurues i institucionit e deri tash, përvitshëm reprizohet njoftimi për audicion për instrumentistë, anëtarë të korit e për solistë për ta realizuar programin brenda një viti

Prej themelimit në korrik të 2021-s, Opera e Kosovës dhe gati pesë vjet më pas është në kërkim të trupës së saj artistike, gjithnjë të përkohshme. Që nga koncerti inaugurues i institucionit e deri tash, përvitshëm reprizohet njoftimi për audicion për instrumentistë, anëtarë të korit e për solistë për ta realizuar programin brenda një viti. 

Institucioni që synon identitet të qëndrueshëm kulturor në njërën anë dhe në tjetrën ka mungesë të konsolidimit, është prej paradokseve të mëdha. Rasti i Operës së Kosovës është ilustrim i qartë i këtij hendeku: institucion që ekziston, por që përvitshëm angazhohet ansambli që performon skutave ose për të ngrihen skena të improvizuara në lokacione të ndryshme. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Fagotisti Meriton Ferizi, i cili si ushtrues detyre i Operës së Kosovës vepron që nga fundshtatori i 2021-s, ka theksuar se audicionet janë të detyrueshme për institucionin. 

“Deri sa të hapen vendet e rregullta të stafit artistik dhe teknik, detyrohemi të hapim audicione, edhe për arsyen që t’u japim mundësi artistëve të rinj ta shfrytëzojnë të drejtën për aplikim, atyre që nuk kanë qenë prezentë në Kosovë viteve të kaluara, si dhe për rritjen e konkurrencës së shëndoshë dhe kuadrove sa më cilësore edhe nga vendet fqinje”, ka thënë ai në një përgjigje me shkrim për KOHËN. 

Repriza me audicione vjen edhe sivjet. Si praktikë që është kthyer në një lloj rregulli e si domosdoshmëri për programin vjetor. 

Në fillim të shkurtit, duke shpalosur programin e Operës për këtë vit, Ferizi kishte bërë me dije se sivjet kryengjarja e institucionit do të jetë opera “Turandot” e Puccinit. E jubileu i pesëvjetorit ishte paraparë të shënohej edhe me operën “Skëndërbeu” të Prenk Jakovës ndërsa opsion ishte edhe opereta “Karnevalet” e Avni Mulës. 

Ndërsa planet kanë ndërruar, audicionet për këngëtarë janë hapur për operat “Gianni Schicchi” dhe për “Suor Angelica” nga Giacomo Puccini. Kjo për t’u koordinuar me Teatrin e Operës në Tiranë me të cilin Opera e Kosovës i organizon këto produksione në bashkëpunim. 

“Në koordinim me Teatrin e Operës dhe Baletit në Shqipëri, pasi që i kemi disa aktivitete të përbashkëta deri në fund të vitit, kemi vendosur që të shkojmë me këtë ndryshim, për arsye të shumta teknike dhe praktike, në të mirë të të dy institucioneve”, ka thënë Ferizi duke paralajmëruar se një super këngëtare italiane do t’i bashkohet trupës për njërën nga operat, por nuk ka zbuluar detaje. 
Sa i përket orkestrës, Opera kërkon të plotësohen pozita për nga një pikolo, tubë e timpanist, dy flauta, aq sa edhe oboa e fagota, nga tre klarineta, trumbeta, trombona e perkusionistë, nga katër korno e kontrabasa, tetëmbëdhjetë violina, tetë viola e gjashtë violonçelë. 

Për Operën e Kosovës, në mungesë të një trupe të rregullt, çdo produksion nis nga e para, si projekt i përkohshëm dhe jo si vazhdimësi e një strukture të qëndrueshme. E opera është një lloj procesi që ndërtohet me vite përvojë e përbashkët artistike. Por në Kosovë ky cikël nuk po mbyllet asnjëherë, ndonëse zëvendësuesi i drejtorit të Operës është shprehur se ka kuadro për trupë rezidente artistike.
“Sapo të stabilizohet qeverisja, duhet medoemos të fillojnë hapjet e vendeve të punës, që tashmë janë krijuar kushtet dhe kuadrot nga përvoja koncertale me Operën, Filharmoninë, festivale dhe paraqitja jashtë vendit”, ka konsideruar ai. 

Në audicion bëhet me dije se mund të aplikojnë instrumentistë profesionistë e edhe studentë të instrumenteve përkatëse. Materialet për audicion janë publikuar dhe përfshijnë partitura nga operat “Gianni Schicchi” dhe “Suor Angelica” të Puccinit, ndërsa audicionet pritet të mbahen më 17 dhe 18 prill në objektin e Filharmonisë së Kosovës. 

Materiale të veprave përkatëse janë edhe në audicionin për këngëtarë. Për operën “Gianni Schicchi” kërkohet tenor për rolin e Gherardos, soprano për rolin e Gherardinos, mexosoprano për La Ciesca, bariton për Ser Amantio di Nicolao e bas për Simone, Maestro Spinelloccio, Pinellino dhe Guccio. 
Nga “Suor Angelica” kërkohet nga një mexosoprano për rolet La Badessa, La Suora Zelatrice, La Maestra delle Novizie dhe La Suora Infermiera, ndërsa soprano për rolet Suor Genovieffa, Suor Osmina dhe Suor Dolcina. Audicionet mbahen më 4 prill, gjithashtu në objektin e Filharmonisë së Kosovës. 

Meriton Ferizi kishte bërë me dije për KOHËN se Opera e Kosovës nuk ka  kapacitete për të realizuar e vetme vepra të tilla. 

“Është ‘Viti Puccinian’, pra festohet në gjithë botën me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së Puccinit. Opera planifikohet të jepet në fund të qershorit. Do të hapim audicionet dhe konkurset për solistë për role dytësore, të tjerët do t’i ftojmë në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë”, kishte thënë ai dy muaj më parë. 

Sipas përshkrimit, opera “Gianni Schicchi” nga Giacomo Puccini është një komedi e shkurtër me një akt, plot humor dhe situata ironike.Ngjarja zhvillohet në Firence dhe fillon me familjarët e pasanikut të vdekur Buoso Donati, të cilët zbulojnë se ai nuk u ka lënë pasuri në testament. Të dëshpëruar dhe të etur për para, ata kërkojnë ndihmën e një burri dinak, Gianni Schicchi.

Schicchi harton një plan të zgjuar: ai shtiret si i vdekuri dhe dikton një testament të ri para noterit. Fillimisht duket se ai do t’i ndihmojë familjarët, por në fund ai përfiton vetë duke marrë pjesën më të mirë të pasurisë. Opera përfundon me një kthesë komike dhe ironike, duke treguar lakminë njerëzore dhe zgjuarsinë e atyre që dinë ta shfrytëzojnë situatën.

Edhe opera “Suor Angelica” është dramë e shkurtër me një akt, por me ton emocional dhe tragjik.
Ngjarja zhvillohet në një manastir, ku jeton murgesha Angelica, e cila është futur aty nga familja e saj pas një turpi të kaluar. Ajo jeton me dhimbjen e ndarjes nga djali i saj, për të cilin nuk ka marrë asnjë lajm prej vitesh. Një ditë, tezja e saj vjen për ta bindur të heqë dorë nga trashëgimia familjare dhe i zbulon një të vërtetë tronditëse: djali i Angelicës ka vdekur. E dërrmuar nga dhimbja, Angelica përgatit një helm dhe e pi për t’u bashkuar me të birin.

Në momentet e fundit, ajo pendohet për vetëvrasjen, por përjeton një vizion hyjnor ku i shfaqet djali i saj, duke i dhënë operës një fund njëkohësisht tragjik dhe shpirtërisht shpresëdhënës. Copëza të kësaj skene, në Kosovë i ka sjellë veç ylli botëror i operës, Ermonela Jaho. Në Prishtinë në qershor të vitit të kaluar pati kënduar arien ikonike “Senza mamma”. Të njëjtën arie e pati sjellë të plotë në Gjakovë, në nëntor, me interpretim thellësisht emocional siç di ajo. 

E pati përlotur gjithë sallën e stërmbushur të shtëpisë së kulturës “Asim Vokshi” edhe për dedikimin e veprës për Ferdonike Qerkezin

Duke luajtur skenën e fundit të operës “Suor Angelica” të Puccinit, vetëflijimin e rolit titullar, Angelica, e pati bërë homazh edhe për historinë e nënës Pashkë që u vetëflijua në vitin 2003, kur iu kthyen në arkivole eshtrat e dy bijve të zhdukur. Priti katër vjet për të marrë vesh për fatin e tyre. Zgjodhi që të ikë nga kjo botë e t’u bashkohet atyre duke i vënë flakën vetës.   

Këtë vit homazh me koncert i dedikohet Nexhmije Pagarushës, ndërsa Orketsra e përkohshme e  Operës i bashkohet asaj të Filharmonisë për koncerte si ai i 10-vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë në Romë, në pjesën e dytë të vitit. Koncerti do të dirigjohet nga mjeshtri italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli. 

Krejt këto ngjarje dhe jo vetëm do të realizohen me buxhet të paraparë sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore prej 662 mijë eurosh. Opera e Kosovës ka të parapara 400 mijë euro si subvencione dhe transfere, 157 mijë euro për mallra dhe shërbime,  ndërsa 105 mijë për paga dhe shtesa.

Me gjithë gatishmërinë e Operës për të sjellë magjinë e kryeveprave operistike, pa shtëpi operistike institucioni mbetet gjithmonë në lëvizje, i varur nga skena të përkohshme dhe kushte të improvizuara. Pa teatër opere, çdo përpjekje mbetet e kufizuar dhe e brishtë.