Ministria e Kulturës synon që të përzgjedhë një nga katër projektet garuese për teatrin e operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, ani pse nuk ka lokacion. Vitin e kaluar qe zgjedhur njëri prej tyre, midis tre prej tyre, pasi njëri ishte përjashtuar. Por pas një ankese në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, procesi qe kthyer në rivlerësim. E rivlerësimi është zgjedhur të bëhet pikërisht në kohën kur Qeveria aktuale është në detyrë. Për këtë vit, sipas Ligjit për buxhet nga grantet qeveritare, nuk do të ketë asnjë cent për këtë projekt. Janë llogaritur vetëm 400 mijë euro nga të hyrat e AKP-së
Ministria e Kulturës u është kthyer vlerësimeve të projekteve për teatrin e operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pa e pasur të qartë se ku do të jetë lokacioni, ku mendohet të zërë vend ndërtesa, dhe duke qenë Qeveri në detyrë, ekzekutivi synon që të rizgjedhë projektin ideor të investimit më të madh kapital në kulturë.
Ministria e Kulturës ka ndërruar shumicën e anëtarëve të komisionit vlerësues. Deri të enjten janë mbajtur dy takime. Por ende nuk ka ndonjë rezultat konkret.
Ministria e Kulturës synon që të përzgjedhë një nga katër projektet që janë në garë. Vitin e kaluar qe zgjedhur njëri prej tyre. Por pas një ankese në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, procesi qe kthyer në rivlerësim, i cili është zgjedhur të bëhet pikërisht në kohën kur Qeveria aktuale është në detyrë. Për këtë vit, sipas Ligjit për buxhet nga grantet qeveritare, nuk do të ketë asnjë cent për këtë projekt. Janë llogaritur vetëm 400 mijë euro nga të hyrat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Në ditën e 29-të të janarit, nëpërmjet një vendimi është emëruar komisioni që do ta bëjë rivlerësimin e projekteve për ndërtesën.
Ramë Hamzaj, udhëheqës i Divizionit për politika zhvillimore në Ministrinë Ambientit është kryesues i Komisionit që përbëhet edhe nga anëtarët: Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit kombëtar të Kosovës, arkitektët Arsim Gosalci e Egzon Bajraktari dhe Nushe Mekuli, monitoruese nga Zyra e Prokurimit në Ministrinë e Kulturës. Një komision me tjetër përbërje kishte vlerësuar projektet në tetor të vitit 2019. Asokohe, pjesë e komisionit ishin ish-drejtori i BKK-së, tashmë i ndjeri, Ahmet Brahimaj, Baki Jashari, arkitektët Visar Salihu, Masar Dushi, Klodeta Krasniqi, Sali Shoshi, Drenushë Behluli-Mehmeti dhe Nushe Mekuli si monitoruese.
Komisioni me përbërje të re është mbledhur javën e kaluar e po ashtu edhe të enjten e kësaj javë. Procesi është i mbyllur.
KOHA e ka konfirmuar nga tri burime brenda komisionit se të enjten nuk kanë pasur mundësi të rizgjedhin ndonjërin nga projektet, pasi kanë munguar dy anëtarë të komisionit. Ka mbetur që të thirret një mbledhje në ditët në vazhdim.
Për zhvillimet e reja, KOHA i ka adresuar pyetje ministres së Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi. Por ajo ka thënë se përgjigjet do t’i japë të premten.
Komisioni është duke vlerësuar projektet ideore të kompanive “Oneworks & Spa & A”, “Chapmantaylor & Green Door” dhe “MVRDV”. Më 2019, fitues ishte shpallur projekti i “MVRDV”. Projekti i katërt ishte ai i kompanisë nga Tirana, “Gjeokonsult & CO shpk”, që ishte diskualifikuar. Ishte ankuar në Organin shqyrtues të Prokurimit dhe procesi ishte kthyer në rivlerësim.
Krejt procesin MKRS-ja është duke e zhvilluar pa e pasur të sigurt lokacionin ku do të zërë vend ndërtesa, që numëron më shumë se një dekadë që synohet nga shteti.
Në fillim të janarit të këtij viti, Komuna e Prishtinës është zmbrapsur të paktën për një kohë të shkurtër nga lënia pa lokacion e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Këtë e ka bërë Kuvendi Komunal duke shtyrë propozimin e ekzekutivit, që do t’i hapte rrugë ndërtimit të një kampusi të ri universitar në hapësirën afër Fakultetit Teknik.
Qysh prej nëntorit të vitit 2019, Komuna ka vepruar në drejtim të kundërt me MKRS-në. Plani rregullues i hollësishëm për zonën e Fakultetit Teknik, në lagjen “Bregu i Diellit” nuk ka kaluar në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Shtyrjen e kësaj pike të rendit të ditës e kanë kërkuar disa asamblistë, përfshirë edhe Vlora Dumoshin, e cila njëherësh është edhe ministre në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ajo kishte thënë se prona në afërsi të Fakultetit Teknik është parcelë e caktuar për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit nga Kuvendi Komunal i Prishtinës qysh më 7 dhjetor të 2004-s. Kishte treguar se më pas, me një vendim të datës 29 tetor 2008 për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit paraprak, prona i është dhënë në shfrytëzim MKRS-së.
“Me këto vendime kjo parcelë i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm MKRS-së dhe është regjistruar në emër të MKRS-së. Në Planin zhvillimor urban është e destinuar për Teatër të Operës dhe Baletit e me Plan rregullativ po diskutohet se është ndryshuar. Nëse miratohet nga Kuvendi është e kundërligjshme. Është vepër penale”, kishte thënë ministrja Dumoshi.
MKRS-ja është në prag të një dështimi të radhës sa i përket projektit për këtë objekt. Lokacioni është një prej problemeve kryesore. I pari projekt i hartuar afro 15 vjet më parë, i nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann, ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.
Nga ajo kohë e deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar rreth 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit në vitin 2009 dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, para gati dy vjetësh, autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve. Ministria e Kulturës vazhdimisht ka qenë e mbyllur sa i përket projektit të ri.