Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Skeletet pa kafka fshehin misterin 7 mijë vjet të vjetër

Skelete neolitike pa kafka (Foto: Katharina Fuchs)

Skelete neolitike pa kafka (Foto: Katharina Fuchs)

Zbulimi i mbi gati 80 skeleteve pa kafka në vendbanimin neolitik Vráble në Sllovaki mund të zbardhë një zakon funeral të fermerëve të parë evropianë. Rezultatet e para nuk tregojnë shenja të ekzekutimeve brutale ose të një masakre lufte. Provat sugjerojnë se këto varrime, sado të çuditshme të duken sot, ishin pjesë e praktikave shoqërore që formësonin marrëdhëniet lokale dhe rajonale

Arkeologët kanë zbuluar 78 skelete njerëzish rreth 7 mijë vjet të vjetër në vendbanimin neolitik Vráble në Sllovaki, ku 77 prej tyre ishin pa kafka. Ky hap pyetje të reja mbi zakonet funerale të fermerëve të parë evropianë. Që prej vitit 2022, arkeologët po kryejnë gërmime në vendbanimin neolitik pranë qytetit të sotëm të Vrábles, ku kanë gjetur dhjetëra skelete pa kafka. Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një masakër të lashtë, por studimet e reja tregojnë se shpjegimi mund të jetë shumë më kompleks.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore “Proceedings of the Prehistoric Society”, mbetjet mortore e të paktën 78 personave u gjetën në një hendek që rrethonte një pjesë të madhe të vendbanimit neolitik. Prej tyre, 77 skelete ishin pa kafka, ndërsa vetëm një fëmijë ishte varrosur me kokën e tij.

Studiuesit nga Universiteti i Kielit dhe Akademia e Shkencave e Sllovakisë dëshmojnë se rezultatet e para nuk tregojnë shenja të ekzekutimeve brutale ose të një masakre lufte.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas profesorit Martin Furholt, provat sugjerojnë se këto varrime, sado të çuditshme të duken sot, ishin pjesë e praktikave shoqërore që formësonin marrëdhëniet lokale dhe rajonale, me shumë pak dëshmi për konflikte ose kriza.

Vendbanimi Vráble i përket kulturës së qeramikës lineare, një nga komunitetet e para bujqësore në Evropën Qendrore. Arkeologët e studiojnë këtë lokalitet që prej vitit 2012.

Varrosja e skeleteve pa kafka mbetet ende i paqartë. Njëra nga hipotezat është se kokat ruheshin veçmas, një zakon i njohur edhe në kontekste të tjera neolitike

Zona përfshin më shumë se 300 themele shtëpish të shpërndara në tri vendbanime, ndërsa vlerësohet se në kulmin e saj rreth 80 objekte kanë qenë të banuara njëkohësisht.

Vendbanimi ka ekzistuar midis viteve 5250 dhe 4950 para erës sonë. Një pjesë e tij ishte e rrethuar me hendek, i cili ndoshta shërbente si kufi ose si zonë mbrojtëse. Pikërisht aty u zbuluan mbetjet njerëzore.

Antropologia biologjike Katharina Fuchs ka shpjeguar se gjurmët në eshtra tregojnë qartë manipulim të qëllimshëm të trupave. Sipas saj, analizat e para tregojnë se nuk bëhet fjalë për prerje të dhunshme të kokave, por për heqje të kujdesshme dhe të aftë të kafkave pas vdekjes.

Kuptimi i kësaj praktike mbetet ende i paqartë. Një nga hipotezat është se kokat ruheshin veçmas, një zakon i njohur edhe në kontekste të tjera neolitike, megjithëse për Vráble ende nuk ka prova të drejtpërdrejta.

Varret masive, varrimet në hendekë dhe manipulimi i trupave janë zbuluar edhe në lokalitete të tjera të kulturës së qeramikës lineare, veçmas në fund të ekzistencës së saj. Këto gjetje shpesh janë interpretuar si pasojë e dhunës ose e krizave të thella sociale.

Megjithatë, autorët e studimit të ri propozojnë një interpretim tjetër. Sipas studiuesit Nils Müller-Scheeßel, vendosja e trupave dhe pjesëve të tyre mund të ketë qenë një prej ritualeve komplekse, të përsëritura dhe me kuptim të veçantë për komunitetin.

Ai ka shtuar se pikërisht ndërprerja e këtyre zakoneve mund të tregojë ndryshime të mëdha shoqërore në atë periudhë.

Kërkimet vazhdojnë në kuadër të projektit “Neolithic Bodies”, i financuar nga fondacioni gjerman i kërkimeve shkencore. Shkencëtarët po analizojnë moshën dhe gjininë në bazë të skeleteve, gjurmët e prerjeve në rruazat e qafës, shenjat e mundshme të dhunës, si dhe origjinën dhe lidhjet familjare nëpërmjet analizave izotopike dhe të ADN-së.

Sipas profesorit Martin Furholt, lokaliteti i Vrábles mund të ndihmojë në përgjigjen e disa prej pyetjeve më të rëndësishme rreth periudhës neolitike: si i kuptonin komunitetet e asaj kohe vdekjen dhe trupin e njeriut, dhe çfarë roli kishin këto rite në jetën shoqërore të fermerëve të parë evropianë.