Kulturë

Kafka misterioze mbi 280 mijë vjeçare zbardh “njeriun e panjohur”

Kafka misterioze mbi 280 mijë vjeçare zbardh “njeriun e panjohur”

Që nga zbulimi i saj në vitin 1960, kafka e gjetur në shpellën Petralona në pjesën veriore të Greqisë i ka befasuar shkencëtarët. Për dekada me radhë vlerësimet kanë lëvizur nga 170 mijë deri në 700 mijë vjet e vjetër. Rezultatet e fundit kanë nxjerrë një vjetëri minimale prej 286 mijë vjetësh

Analizat e fundit të kafkës së gjetur në Greqi sugjerojnë se ajo i përkiste një grupi të veçantë dhe më primitiv të homininëve që jetonin në Evropë qindra mijëra vjet më parë, përkatësisht Homo heidelbergensis

Analizat e fundit të kafkës së gjetur në shpellën Petralona në Greqi dëshmojnë se ajo i përket një grupi të veçantë të lashtë të njerëzve, të ndryshëm si nga neandertalët ashtu edhe nga njerëzit modernë.

Që nga zbulimi i saj në vitin 1960, kafka e gjetur në shpellën Petralona në pjesën veriore të Greqisë i ka befasuar shkencëtarët. Fosili, një kafkë pothuajse e plotë pa nofullën e poshtme, u gjet e ngulitur në murin e shpellës rreth 35 kilometra në juglindje të Selanikut.

Që në fillim u bë e qartë se i përkiste llojit Homo, por nuk ngjante as me neandertalët, e as me njerëzit modernë (Homo sapiens).

Problematike ishte edhe mosha e saj, pasi për dekada me radhë vlerësimet kanë lëvizur nga 170 mijë deri në 700 mijë vjet e vjetër. Për një studim të saj – të publikuar në revistën “Journal of Human Evolution” –  hulumtuesit përdorën metodën e datimit me seri të uraniumit në shtresat e kalcitit që ishin formuar drejtpërdrejt mbi kafkë. Rezultatet treguan një moshë minimale prej 286 mijë vjetësh me marzhë gabimi ± 9.000 vjet.

Replikë e kafkës në Muzeun e Selanikut

Kjo do të thotë se kafka ka qenë në shpellë së paku për aq kohë dhe ka mundësi edhe më gjatë, pasi kjo metodë mund të datojë vetëm momentin kur filluan të formohen shtresat e kalcitit si pasojë e lagështisë dhe avullimit.

Analizat sugjerojnë se kafka i përkiste një grupi të veçantë dhe më primitiv të homininëve që jetonin në Evropë qindra mijëra vjet më parë, përkatësisht Homo heidelbergensis. Kjo nënkupton se në të njëjtën kohë në kontinent ekzistonin disa lloje të ndryshme njerëzore: neandertalët e hershëm, paraardhësit e tyre, por edhe lloj të tjerë njerëzish që nuk janë të lidhur direkt me llojin e sotëm. Përfundimi i studiuesve është se njeriu i Petralonës përfaqëson një pjesë të mozaikut më të gjerë të evolucionit njerëzor në Evropë gjatë Pleistocenit të Mesëm, në një kohë kur po formoheshin linjat që më vonë do të çonin te neandertalët, por gjithashtu ekzistonin edhe grupe të tjera më pak të njohura.

Marrë nga “Journal of Human Evolution”