Gjurmët e shabllonit të shuplakës, të gjetura në ishullin indonezian Sulawesi, janë vizatimi më i vjetër i njohur deri më sot në shpellë në botë, kanë konstatuar studiuesit.
Vizatimi paraqet një konturë me të kuqe të dorës, gishtat e së cilës janë rimodeluar më vonë për të krijuar një motiv që i ngjan një kthetre, gjë që tregon një hap të hershëm drejt imagjinatës simbolike. Mendohet se vizatimi është të paktën 67 mijë e 800 vjet i vjetër, rreth 1 e 100 vjet më i vjetër se sa ai i Spanjës që mbante deri më tash rekordin e vjetërsisë.
Ky zbulim përforcon më tej tezën se specia, Homo sapiens, arriti në zonën më të gjerë tokësore të Australisë dhe Guinesë së Re, të njohur si Sahul, rreth 15 mijë vjet më herët sesa pretendojnë disa studiues. Gjatë dekadës së fundit, një sërë zbulimesh në Sulawesi kanë rrëzuar idenë e vjetër se arti dhe mendimi abstrakt te specia njerëzore u shfaqën papritur në Evropë gjatë epokës së akullnajave dhe u përhapën prej andej.
Arti i shpellave konsiderohet një tregues kryesor i momentit kur njerëzit filluan të mendonin vërtet në mënyrë abstrakte dhe simbolike – një lloj imagjinate që qëndron në themel të gjuhës, fesë dhe shkencës. Vizatimet dhe gdhendjet e hershme tregojnë se njerëzit jo vetëm reagonin ndaj botës përreth tyre, por edhe e përfaqësonin atë, ndanin histori dhe identitete në një mënyrë që nuk dihet të jetë bërë nga ndonjë specie tjetër.
“Zbulimi më i fundit, i botuar në revistën “Nature”, i jep peshë gjithnjë e më të madhe mendimit se ky lloj i të menduarit nuk u shfaq për herë të parë në Evropë”, ka thënë për BBC News profesori Adam Brumm nga Universiteti Griffith në Australi, njëri nga udhëheqësit e studimit. Në vend të kësaj, kreativiteti ishte i lindur te specia jonë dhe provat për këtë shkojnë deri në Afrikë.

“Kështu na e mësonin kur isha student në mesin dhe fundin e viteve 1990 – se shpërthimi krijues i njerëzve ndodhi në një pjesë të vogël të Evropës. Por tani shohim tipare të sjelljes moderne njerëzore, përfshirë artin narrativ në Indonezi, gjë që e bën këtë këndvështrim eurocentrik shumë të vështirë për t’u mbajtur”, ka thënë ai.
Arti më i vjetër i shpellave në Spanjë është një gjurmë shablloni e kuqe e dorës në shpellën Maltravieso në Spanjën perëndimore, e cila mendohet të jetë të paktën 66 mijë e 700 vjet e vjetër, megjithëse datimi është i diskutueshëm dhe disa ekspertë besojnë se nuk është aq e vjetër.
Në ishullin Sulawesi, në vitin 2014 u zbuluan gjurmë shablloni duarsh dhe figura kafshësh të vjetra të paktën 40 mijë vjet, më pas një skenë gjuetie të vjetër të paktën 44 mijë vjet, dhe më vonë një vizatim narrativ i një derri dhe njerëzish, që besohet të jetë të paktën 51 mijë e 200 vjet i vjetër. “Secili prej këtyre zbulimeve ka shtyrë kufijtë e shprehjes së rafinuar pamore gjithnjë e më thellë në të kaluarën”, ka thënë Maxime Aubert nga Universiteti Griffith.
“Filluam me supozimin e një vjetërisë prej 40 mijë vjetësh, si në Evropë, por kur iu afruam pigmentit, e shtymë moshën e artit të shpellave në Sulawesi edhe për të paktën 28 mijë vjet më herët”, ka thënë ai.
Zbulimi më i fundit ndodhet në shpellën gëlqerore Liang Metanduno në Muna, një ishull i vogël në juglindje të Sulawesit. Vizatimi është bërë me teknikën e spërkatjes së pigmentit.
Artisti parahistorik vendosi dorën mbi murin e shpellës dhe më pas fryu ose pështyu pigment nga goja rreth saj, në mënyrë që në mur të mbetej gjurma e dorës.
Një gjurmë shablloni e pjesshme e dorës është e mbuluar me shtresa të holla mineralesh për të cilat pas analizave u konstatua janë të paktën 67 mijë e 800 vjet të vjetra, duke e bërë këtë më të vjetrit vizatim në shpallë, të datuar në mënyrë të besueshme.
Ajo që është thelbësore është se artisti nuk u mjaftua vetëm me shpërndarjen e pigmentit rreth dorës së vendosur në murin e shpellës, thonë studiuesit.
Konturat fillestare të dorës u ndryshuan më vonë me kujdes – gishtat u ngushtuan dhe u zgjatën për t’i ngjarë një kthetre, një transformim krijues që Brumm e konsideron si “diçka shumë karakteristike për njeriun”.
Ai ka thënë se nuk ka prova për një lloj të tillë eksperimentimi artistik te specia jonë e afërt, neandertalët, në vizatimet e tyre të shpellave në Spanjë rreth 64 mijë vjet më parë.
Edhe kjo vjetërsi është objekt debatesh të forta, pasi disa studiues vënë në dyshim metodën e datimit. Fakti që kjo gjurmë shablloni shumë më e vjetër shfaqet në anën e kundërt të Sulawesit, në një ishull të vogël të veçantë, tregon se vizatimi në muret e shpellave nuk ishte një eksperiment lokal, por një praktikë e rrënjosur thellë në kulturat që u përhapën në atë rajon.
Brumm ka thënë se gjatë viteve të punës në terren, kolegët e tij indonezianë kanë zbuluar “qindra lokalitete të reja me art shkëmbor” në zona të largëta, ku disa shpella janë përdorur disa herë përgjatë dhjetëra mijëra vjetëve.
Në shpellën Liang Metanduno, vizatime të tjera dukshëm më të reja në të njëjtin mur – disa prej tyre të krijuara rreth 20 mijë vjet më parë – tregojnë se kjo shpellë ishte një qendër aktiviteti artistik për të paktën 35 mijë vjet.
Duke qenë se Sulawesi ndodhet në rrugën detare veriore midis Azisë kontinentale dhe Sahulit të lashtë, këto data kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në vlerësimin e kohës kur paraardhësit e aborigjenëve mbërritën për herë të parë në Australi. Shumë arkeologë dikur mbronin idenë e një “shpërthimi të madh” evropian të mendjes, sepse dukej se vizatimet e shpellave, gdhendjet, stolitë dhe mjetet e reja prej guri shfaqeshin njëkohësisht në Francë dhe Spanjë rreth 40 mijë 000 vjet më parë, menjëherë pas mbërritjes së Homo sapiens në Evropë.
Arti spektakolar i shpellave të epokës së akullnajave në disa lokalitete si shpellat Altamira dhe El Castillo, forcoi bindjen se simbolizmi dhe arti u shfaqën pothuajse brenda natës në Evropë gjatë epokës së akullnajave.
Që atëherë, pigmente okri të gdhendur, rruaza dhe simbole abstrakte të gjetura në vende të Afrikës Jugore, si shpella Blombos, të datuara midis 70 mijë e 100 mijë vjetësh, kanë treguar se simbolizmi ishte i pranishëm shumë më herët në Afrikë.
“Bazuar në këto zbulime, si edhe në imazhet figurative dhe narrative shumë të vjetra të gjetura në ishullin Sulawesi, po krijohet një konsensus i ri se historia e krijimtarisë njerëzore është shumë më e thellë dhe më e përhapur”, ka thënë Aubert për “BBC News”. “Kjo tregon se njerëzit e kishin këtë aftësi prej një kohe shumë të gjatë, të paktën në periudhën kur u larguan nga Afrika, dhe ndoshta edhe më herët”.