Ashtu siç u ka hije maceve, edhe afrimi i tyre me njerëzit ka ndodhur ngadalë dhe me stil ka shkruar BBC.
Sipas provave të reja shkencore, kalimi nga gjuetarë të egër në kafshë shtëpiake ka ndodhur shumë më vonë sesa besohej, dhe në një vend krejt tjetër. Studimi i disa eshtrave të gjetura në vende arkeologjike sugjeron se lidhja e ngushtë mes maceve dhe njerëzve ka nisur vetëm disa mijëra vjet më parë, dhe jo në Levant, por në veri të Afrikës.

“Ato janë kudo, bëjmë programe televizive për to, dhe dominojnë internetin. Kjo marrëdhënie që kemi me macet sot, në fakt fillon rreth 3.5 ose 4 mijë vjet më parë, dhe jo 10 mijë vjet më parë”, ka thënë Greger Larson profesor i Universitetit të Oksfordit.
Të gjitha macet e sotme rrjedhin nga e njëjta specie: macja e egër afrikane. Por kur dhe ku ajo humbi egërsinë e saj dhe nisi të lidhte marrëdhënie të afërta me njerëzit ka qenë një mister i gjatë për shkencëtarët.
Për ta zgjidhur këtë, studiuesit analizuan ADN-në e eshtrave të maceve të gjetura në Evropë, veri të Afrikës dhe Anatoli. Ata datuan eshtrat, krahasuan ADN-në me gjenet e maceve të sotme dhe arritën një përfundim të rëndësishëm: zbutja e maceve nuk filloi me lindjen e bujqësisë në Levant, por ndodhi disa mijëvjeçarë më vonë, diku në Afrikë.
“Në vend që të ndodhte në zonën ku njerëzit nisën të vendoseshin me bujqësi, duket se është një fenomen shumë më egjiptian”, ka thënë Larson.
Ky zbulim përputhet me atë që dihet për Egjiptin e lashtë, një shoqëri që i adhuronte macet, i pasqyronte në art dhe i ruante si mumie. Pasi macet u lidhën me njerëzit, ato u shpërndanë nëpër botë si “mace anijesh” dhe luftëtare kundër brejtësve. Në Evropë mbërritën vetëm rreth 2 mijë vjet më parë, shumë më vonë sesa mendohej, duke udhëtuar me romakët dhe pastaj më tej nëpër Rrugën e Mëndafshtë deri në Kinë.
Sot macet gjenden në çdo cep të botës, përveç Antarktidës
Një kthesë tjetër interesante është se shkencëtarët zbuluan edhe një “konkurrent” të vjetër: macet leoparde në Kinë. Këto mace të vogla me pika si të leopardit jetuan pranë njerëzve rreth 3,500 vjet para se macet shtëpiake të mbërrinin atje.
Profesoresha Shu-Jin Luo nga Universiteti i Pekinit ka shpjeguar se marrëdhënia mes njerëzve dhe maceve leoparde ishte “komensale”, pra dy specie jetonin pranë njëra-tjetrës pa e dëmtuar njëra-tjetrën.
“Maceve leoparde u pëlqente të jetonin afër njerëzve, ndërsa njerëzit nuk ndikonin negativisht, madje i pranonin si kontrolluese natyrore të brejtësve”, ka thënë ajo.
Megjithatë, ndryshe nga macet e sotme, macja leoparde nuk u zbut kurrë dhe vazhdon të jetojë e egër në Azi. Ironikisht, vite më vonë, ajo u çiftëzua me macet shtëpiake duke krijuar racën Bengal, e cila u njoh zyrtarisht si racë e re në vitet 1980.
Studimi është publikuar në Science dhe Cell Genomics.