Analiza e fundit shkencore konfirmon se gjurmët e këmbëve të njeriut të gjetura në New Mexico janë më shumë se 20 mijë vjet të vjetra, duke e shtyrë kufirin e pranisë njerëzore në Amerikë shumë larg në të kaluarën
(Science Advances) – Edhe pse ende nuk dihet saktësisht se kur mbërritën njerëzit e parë në Amerikë, është e qartë se ata ishin në atë që sot është New Mexico rreth 23 mijë vjet më parë. Prova për këtë janë gjurmët e këmbëve – dëshmitarë të heshtur të komuniteteve të zhdukura prej kohësh. Edhe pse kishte dyshime të mëparshme për vjetërinë e tyre, një studim i ri konfirmon më tej se gjurmët e këmbëve u lanë 10 mijë vjet para se të shfaqej kultura e parë e madhe në Amerikën e Veriut.
Gjurmët e këmbëve u gërmuan në vitin 2019 nga studiues të Universitetit të Bournemouth dhe Shërbimit Kombëtar të Parqeve të SHBA-së, dhe rezultatet u botuan për herë të parë në vitin 2021. Edhe pse fillimisht nuk ishte pjesë e gërmimit, arkeologu Vance Holliday më vonë iu bashkua ekipit, pasi të dhënat e tij nga viti 2012 luajtën një rol të rëndësishëm në përcaktimin e vjetërisë së tyre.
Gjurmët fosile sugjerojnë se aktiviteti njerëzor në zonë ka ndodhur midis 21 mijë e 23 mijë vjet më parë. Domethënë, shumë më herët sesa që është pranuar më parë. Këto gjurmë janë deri në 10 mijë më të vjetra se artefaktet e gjetura në Clovis, një vend që prej kohësh konsiderohet djepi i kulturës së parë të njohur në Amerikën e Veriut.
Studimi i mëparshëm u përball me skepticizëm, veçmas sepse përdori fara dhe polen si material datimi, të cilin disa ekspertë e konsideruan të pabesueshëm. Në studimin e ri, Holliday dhe ekipi i tij përdorën baltë të lashtë për datimin me radiokarbon, dhe rezultatet u konfirmuan nga një laborator i pavarur. Hulumtimet janë botuar në revistën “Science Advances”.
Rezultatet treguan se balta ishte midis 20 mijë e 700 dhe 22 mijë e 400 vjet e vjetër, gjë që është në përputhje me vlerësimet e mëparshme. Ky është materiali i tretë i përdorur për datim (pas farave dhe polenit), dhe tre laboratorë të pavarur dhanë gjithsej 55 rezultate të qëndrueshme.
“Ky është një grup të dhënash jashtëzakonisht i qëndrueshëm dhe konsistent”, ka thënë Vance Holliday, ekspert me dekada përvojë në studimin e migrimeve më të hershme në Amerikë. “Do të ishte vërtet e çuditshme nëse të gjitha këto të dhëna do të përputheshin dhe nuk do të ishin të sakta”.
Në kohën kur u lanë gjurmët e këmbëve, zona e White Sands ishte e mbuluar me liqene që më vonë u thanë. Era formoi duna gipsi që ende e mbulojnë zonën. Gjurmët e këmbëve u gjetën në shtratin e një përroi që dikur furnizonte një nga ato liqene. “Era ka fshirë një pjesë të historisë me kalimin e kohës, por ajo që mbetet e varrosur ruan informacion jashtëzakonisht të rëndësishëm”, thotë Holliday.
Holliday dhe studenti i doktoratës, Jason Windingstad, u kthyen aty në vitet 2022 dhe 2023 për të rishqyrtuar shtresat e tokës. Windingstad, i cili më parë ka punuar si konsulent gjeoarkeologjik në zonë, pranoi t’i bashkohej kërkimit. “Kur qëndron pranë atyre gjurmëve, kupton se gjithçka që ke mësuar rreth mbërritjes së njerëzve në Amerikë duhet parë nga një perspektivë e re”, ka thënë.
Por një pyetje mbetet pa përgjigje: Pse nuk janë gjetur objekte ose gjurmë vendbanimesh nga njerëzit që lanë gjurmë këmbësh? Holliday mendon se është e mundur që këta njerëz të kenë qenë në zonë për një kohë shumë të shkurtër. Disa nga gjurmët e këmbëve tregojnë se ato janë bërë gjatë një shëtitjeje që mund të ketë zgjatur vetëm disa sekonda. Nëse ata kanë qenë në lëvizje dhe nuk kanë mbajtur shumë pajisje, është e mundur që ata të mos kenë lënë asgjë pas.
“Këta ishin gjuetarë shumë të kujdesshëm me pajisjet e tyre. S’e kishin luksin të linin vegla”, ka shpjeguar Holliday.
Edhe pse fillimisht besonte në rezultatet e vitit 2021, Holiday thotë se është i kënaqur që tani ka më shumë të dhëna për t’i mbështetur ato. “Nuk e dyshoja, sepse rezultatet e hershme ishin tashmë të forta”, ka thënë ai. “Por tani kemi prova edhe më të drejtpërdrejta nga terreni dhe ato tregojnë të njëjtën histori”.