Kuriozitet

Kur u dha puthja e parë në histori

Kur u dha puthja e parë në histori

Njerëzit e bëjnë, majmunët po ashtu e madje edhe arinjtë polarë. Dhe tani shkencëtarët kanë rikonstruktuar origjinën evolucionare të puthjes. Hulumtimi i tyre ka gjetur se puthja gojë më gojë ka ndodhur qysh para më shumë se 21 milionë vjetësh më herët dhe se ishte diçka që të parët e njerëzve dhe ndoshta edhe të tjerët e praktikonin.

Hulumtimi i njëjtë ka konkluduar se edhe neandertalët mund të jenë puthur gjithashtu. Shkencëtarët kanë studiuar puthjen sepse ajo paraqet një lloj enigme evolucionare. Duke gjetur dëshmi se edhe kafshët putheshin, shkencëtarët arritën të ndërtojnë një “pemë familjare evolucionale” për të kuptuar se kur ka qenë më e mundshme të zhvillohej kjo sjellje.

Në studimin në revistën “Evolution and Human Behaviour”, shkencëtarët e përkufizuan puthjen si kontakt jo agresiv “me pak lëvizje të buzëve ose pjesëve të gojës”.

“Njëlloj si njerëzit edhe shimpanzetë dhe bonobët puthen”, ka shpjeguar studiuesja kryesore Dr. Matilda Brindle, biologe evolucionare në Universitetin e Oksfordit. “Mendojmë se puthja ka evoluuar rreth 21.5 milionë vjet më parë te majmunët e mëdhenj”.

Në këtë studim, shkencëtarët gjetën sjellje që përputhej me përkufizimin e tyre shkencor të puthjes te ujqit, arinjtë polarë e madje albatrosët.

Ata u fokusuan te hominidët për të ndërtuar tablonë evolucionare të puthjes njerëzore. Si përfundim, studimi konstatoi se neandertalët (që u zhdukën rreth 40 mijë vjet më parë) gjithashtu putheshin.

Megjithëse studimi përcaktoi kur ka evoluar puthja, nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej pyetjes pse ka nisur kjo sjellje.