Veprat e hershme të artit në shpellën e famshme në Spanjë, deri tash u atribuoheshin Homo sapiensëve, por shkencëtarët kanë nxjerrë të dhëna të reja që i bëjnë ato edhe më të vjetra. Besohet se ato u realizuan nga neandertalët. Ky zbulim e bën Maltravieson një prej vendeve kryesore për të kuptuar origjinën e artit dhe format e tij më të hershme
Hulumtimit e fundit kanë nxjerrë të dhëna se gjurmët parahistorike të duarve në shpellën Maltravieso në Spanjë, mund të jenë vepër e neandertalëve. Një ekip ndërkombëtar studiuesish ka konfirmuar se gjurmët e famshme të duarve në shpellën Maltravieso, që ndodhet në krahinën spanjolle të Ekstremaduras, janë ndër pikturat më të vjetra të njohura në botë. Por ato nuk janë bërë nga Homo sapiensët, por nga neandertalët. Ky zbulim e bën Maltravieson një prej vendeve kryesore për të kuptuar origjinën e artit dhe format e tij më të hershme. Studimi është botuar në “Journal of Archaeological Science”.
Shpella Maltravieso, e zbuluar në vitin 1951 gjatë punës së një guroreje në qytetin Kaseres, është e njohur për më shumë se 60 gjurmë duarsh dhe gdhendje të tjera. Kërkimet e reja kanë mundësuar datimin më të saktë të këtyre pikturave. Mostrat e karbonit janë marrë nga dy zona kryesore: “Salla e pikturave” dhe e ashtuquajtura “Galeria e gjarprit”. Analizat kanë treguar se datat variojnë nga holoceni deri në paleolitin e mesëm, që i bie se datojnë deri në 66.700 vjet të vjetra.
Motivi më i njohur në shpellë janë gjurmët e duarve të krijuara duke fryrë pigmentin rreth dorës së vendosur mbi mur, duke lënë kështu shenjën e saj. Janë përdorur kryesisht okside hekuri si hematiti, ndonjëherë i përzier me minerale të tjera. Është interesante se shumë prej gjurmëve të duarve u mungojnë gishtat, por kjo nuk është pasojë e ndonjë dëmtimi – gishtat janë përkulur qëllimisht për të arritur një formë të caktuar. Studiuesit mendojnë se bëhet fjalë për një praktikë simbolike ose rituale, jo për një vendim artistik të rastësishëm.

Profesori Paul Pettitt nga Universiteti i Durhamit, një nga autorët e këtij studimi, në artikullin për “The Conversation” me titullin “A ishin neandertalët të aftë të krijonin art?” thekson se datimi i sendimenteve në hyrje të shpellës Maltravieso tregon se ajo ka qenë plotësisht e mbyllur të paktën para 54 mijë vjetësh, ndoshta edhe më herët. Kjo do të thotë se pikturat janë krijuar përpara ardhjes së njeriut modern në atë pjesë të Evropës dhe se në shpellë janë gjetur vetëm mjete neandertalësh.
“Ky zbulim shton një formë tjetër arti në repertorin e neandertalëve”, ka shkruar Pettitt.
Ai kujton se aftësia për art për një kohë të gjatë është konsideruar tipar i veçantë i llojit te njeriut të sotëm. Që në fillim të shekullit XX, arkeologët dyshonin se edhe njerëzit e paleolitit të hershëm (para 4 mijë deri në 12 mijë vjet) mund të kishin shprehje artistike. Zbulimet e mëvonshme nëpër shpella evropiane e hodhën poshtë këtë dyshim. Megjithatë, pyetja për krijimtarinë e neandertalëve mbeti e hapur.
Sipas Pettittit, sot dëshmitë nga tri shpella spanjolle – La Pasiega (Kantabria), Maltravieso (Ekstremadura) dhe Ardales (Malaga) – tregojnë se neandertalët krijuan shenja lineare, forma gjeometrike dhe gjurmë duarsh duke përdorur pigmente. Në shpellën franceze La Roche-Cotard, ata kanë lënë gjurmë gishtash në sipërfaqe të buta dhe linja të tjera abstrakte.
Ndryshe nga Homo sapiensi, neandertalët nuk kanë paraqitur kafshë apo figura njerëzore, por motivet e tyre simbolike dhe abstrakte dëshmojnë për një nivel të lartë kompleksiteti njohës dhe mendimi simbolik.
“Këto zbulime pa dyshim tregojnë se neandertalët ishin të aftë për mendim abstrakt dhe shprehje simbolike, duke hedhur poshtë stereotipin e vjetruar për ta si ‘njerëz të thjeshtë të shpellave’, ka thënë profesori Pettitt./Journal of Archaeological Science