Kuriozitet

Dy mumje 7 mijëvjeçare në Saharë me prejardhje të panjohur njerëzore

Sahara

Foto: Roma Sapienza Üniversitesi

Një studim i ri ka zbuluar se dy mumje 7,000-vjeçare të gjetura në shkretëtirën e Saharës i përkasin një dege të panjohur më parë të një trungu familjar njerëzor. 

Prej kohësh dihet se Shkretëtira e Saharës, sot një nga rajonet më të thata dhe më të pafavorshme në botë, ishte krejt e kundërta mijëra vjet më parë, raportoi "Euronews".

Rreth 14,800 deri në 5,500 vjet më parë, gjatë asaj që njihet si "Periudha e Lagësht Afrikane", Shkretëtira e Saharës nuk ishte deti i rërës që është sot. Përkundrazi, ishte një rajon me liqene e kullota, i favorshëm për bujqësi dhe blegtori, dhe i banuar nga vendbanime njerëzore.

Një studim i ri gjenetik sugjeron se një komunitet misterioz që jetoi në këtë periudhë të "Saharës së Gjelbër" mund të trondisë supozimet e deritanishme rreth historisë afrikane. Struktura gjenetike e një komuniteti që jetonte në jugperëndim të Libisë së sotme gjatë kësaj periudhe paraqet një pamje të papritur për arkeologët.

Hulumtimet kanë zbuluar se dy mumje 7 mijëvjeçare të gjetura në strehën shkëmbore Takarkori në shkretëtirën e Saharës i përkasin një dege të panjohur më parë të pemës familjare njerëzore.

Ekipi, i udhëhequr nga arkeogjenetika Nada Salem nga Instituti Max Planck për Antropologji Evolucionare, analizoi ADN-në e dy mumjeve bareshe neolitike 7 mijëvjeçare të ruajtura natyrshëm, të gjetura në strehën shkëmbore Takarkori.

Edhe pse ruajtja e materialit gjenetik është shumë e vështirë në Saharë për shkak të klimës së thatë, ADN-ja fragmentare e marrë dha të dhëna të rëndësishme rreth popullatave të lashta.

Sipas studimit, të dy individët janë femra dhe i përkasin asaj që shkencëtarët e quajnë "popullatë fantazmë". Ky term përdoret për grupe njerëzish, ekzistenca e të cilëve deri më tani është supozuar vetëm nga gjurmët e zbehta gjenetike të vërejtura te njerëzit modernë, por mbetjet fizike të të cilëve nuk janë gjetur kurrë.

Studiuesit thonë se origjina gjenetike e individëve Takarkori bazohet në një linjë prejardhjeje deri më tani të panjohur me origjinë nga Afrika e Veriut, e cila u nda nga komunitetet afrikane subsahariane në një periudhë shumë të hershme. Analizat tregojnë se paraardhësit e popullit Takarkori u ndanë nga komunitetet njerëzore në Afrikën subsahariane rreth 50,000 vjet më parë. Kjo përkon me kohën kur njerëzit modernë filluan të përhapeshin nga Afrika.

Shkencëtarët besojnë se një nga arsyet pse Takarkori mbeti i izoluar për kaq gjatë ishin ekosistemet jashtëzakonisht të larmishme të Saharës së Gjelbër. Liqenet, pyjet dhe rajonet malore mund të kenë kufizuar natyrshëm bashkëveprimin midis komuniteteve njerëzore.

Sipas studiuesve, shumë mumje dhe gjetje arkeologjike nga kjo botë e humbur mund të jenë të fshehura nën rërën e Saharës. Këto mbetje mund të plotësojnë historinë se si ishte jeta në Saharë përpara se shkretëtira të thahej dhe të bëhej ajo që është sot.