Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gjurmë të elitës në varrin e plaçkitur dy mijë e 600 vjetësh

Varr kelt (Foto: Jörn Heimann / Baden-Württemberg Regierungspräsidium Stuttgart – Landesamt für Denkmalpflege

Varr kelt (Foto: Jörn Heimann / Baden-Württemberg Regierungspräsidium Stuttgart – Landesamt für Denkmalpflege

Arkeologët gjermanë kanë finalizuar një nga zbulimet më të rëndësishme për studimin e elitave të hershme kelte në dekadat e fundit. Krejt kjo falë grabitësve të lashtë të varreve. Në ato që kanë lënë pas grabitësit, arkeologët kanë gjetur objekte të rralla të ruajtura prej druri, tekstili dhe materialesh të tjera organike. Për ta nuk kishin vlerë, i hodhën në tunelin që kishin hapur, e në këtë mënyrë ato u ruajtën deri më sot

Edhe pse i plaçkitur para dy mijë e 600 vjetësh, një varr kelt zbulon gjurmë të rralla të ruajtura të elitës. Arkeologët në jugperëndim të Gjermanisë kanë zbuluar mbetje organike jashtëzakonisht të ruajtura. Kanë arritur ta bëjnë këtë falë grabitësve të lashtë të varreve. Kërkimet mbi tumën monumentale pranë Riedlingen, të nisura në vitin 2023, kanë sjellë një nga zbulimet më të rëndësishme për studimin e elitave të hershme kelte në dekadat e fundit. Edhe pse varri ishte plaçkitur që në lashtësi, në shtresat e lëna pas nga grabitësit, arkeologët kanë gjetur objekte të rralla të ruajtura prej druri, tekstili dhe materialesh të tjera organike.

Në qendër të tumës me diametër rreth 65 metra dhe lartësi fillestare prej të paktën gjashtë metrash, ndodhej një dhomë varrimi prej druri, e ndërtuar nga dërrasa lisi. Falë metodës së dendrokronologjisë, u përcaktua se druri ishte prerë në vitin 584 para erës sonë duke e datuar saktësisht varrin në kulmin e zhvillimit të kulturës së hershme kelte.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo periudhë përkon me lulëzimin e vendbanimit të fortifikuar pranë Heuneburgut, një nga qendrat më të rëndësishme politike dhe ekonomike në veri të Alpeve, shpesh i përshkruar si “qyteti më i vjetër” i atij rajoni.

Fragment lëvoreje me dekorime të gdhendura, ku dallohet një kalë i stilizuar. Paraqitje të tilla figurative janë jashtëzakonisht të rralla në artin e hershëm kelt të shekullit VII dhe fillimit të shekullit VI para erës sonë

Plaçkitja si aleat i arkeologjisë

Edhe pse grabitësit, ndoshta në shekullin IV ose III para erës sonë depërtuan me dhunë në varr, interesi i tyre ishte i përqendruar vetëm në objektet metalike – stolitë, armët dhe elementet luksoze. Objektet prej druri, lëkure, leshi dhe tekstili nuk kishin vlerë për ta, ndaj i hodhën në tunelin e hapur. Pikërisht ky veprim bëri të mundur ruajtjen e tyre. Ujërat nëntokësore krijuan kushte anaerobe, pa praninë e oksigjenit, duke parandaluar shpërbërjen e materialeve organike. Në një mjedis të tillë kanë mbijetuar objekte që zakonisht pothuajse kurrë nuk ruhen në kontekst arkeologjik.

Gjurmë dhune dhe fragmente jete

Në fund të tunelit të grabitësve u gjetën edhe mbetje skeletore të shpërndara të një të riu 17–19 vjeç. Pozicioni i eshtrave tregon se trupi ishte nxjerrë me forcë nga varri. Mes mbetjeve u identifikuan edhe falangat e kthetrave të një ariu të murrmë, që sugjeron se i ndjeri ishte vendosur mbi një lëkurë ariu ose ishte i mbështjellë me të. Ky është një element me simbolikë të fortë, që shpesh lidhet me statusin dhe identitetin e elitës. Pjesa më mbresëlënëse e zbulimit janë objektet prej druri me punim të shkëlqyer. Mes tyre janë fragmente mobiliesh: një karrige ose stol, një tavolinë e vogël, si dhe pjesë të një karroce. U gjetën edhe elemente të zbukuruara me motive gjeometrike, përfshirë shirita të profilizuar, shufra tërthore dhe relieve. Këto gjetje tregojnë se varri ishte i pajisur në mënyrë të pasur, duke konfirmuar statusin e lartë shoqëror të të ndjerit. Edhe pse objektet metalike janë humbur, materiali organik i ruajtur mundëson rindërtimin e një inventari kompleks të riteve funerale. Veçohet një fragment lëvoreje me dekorime të gdhendura, ku dallohet një kalë i stilizuar. Paraqitje të tilla figurative janë jashtëzakonisht të rralla në artin e hershëm kelt të shekullit VII dhe fillimit të shekullit VI para erës sonë dhe deri tani njiheshin pothuajse vetëm në objekte metalike dhe qeramike.

Ky zbulim, për herë të parë tregon qartë se motive të ngjashme ekzistonin edhe në materiale organike, të cilat zakonisht nuk ruhen.