Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se në varrezë masive në Jabukë të Zubin-Potokut, janë gjetur të hënën mbetjet mortore të 4 personave, që dyshohen se janë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Sveçla ka thënë se viktimat pas ekzekutimit ishin hedhur në një gropë qereçi.
“Deri tash janë zbuluar të paktën 4 trupa, të cilët pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi...Hetimet për kriminelët që kanë shkaktuar këtë krim do të vazhdojnë. S’do të ndalemi derisa nuk zbulojmë edhe të pagjeturin e fundit, por po ashtu s’do të ndalemi edhe derisa secili kriminel të paguajë për krimet që ka shkaktuar”, ka thënë Sveçla në një prononcim për media nga lokacioni i ri ku janë gjetur mbetje mortore.
Lajmin për gjetjen e mbetjeve mortore e ka konfirmuar edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
“Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për ekzaminime të mëtejshme mjekoligjore, përfshirë identifikimin përmes analizës së ADN-së. Gërmimet në terren dhe zhvarrimet e mbetjeve mortore janë kryer nga ekspertët mjekoligjorë të Institutit për Mjekësi Ligjore, përfshirë ekspertët e EULEX-it të angazhuar në kuadër të IML-së, me përkrahjen e Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës të Policisë së Kosovës, njësive të tjera përkatëse policore, institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, Shoqatës për Kërkim-Shpëtim dhe Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur”, thuhet në njoftimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, që tha se për shkak të specifikave të terrenit aktivitetet gërmuese të hënën ishin të përqendruara te lokacioni në Jabukë të Vogël.
Komisioni ka thënë se në ditët në vijim do të vazhdojnë gërmimet vlerësuese në lokacionin e varrit masiv në Kalludër, ku janë zhvilluar punime edhe gjatë javës së kaluar, si dhe në çdo lokacion tjetër të shënjuar dhe në adresim të çdo informacioni që mund të kontribuojë në ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
Të dielën Prokuroria dhe Policia e Kosovës njoftoi për zbulimin e një lokacioni të ri ku mund të ketë mbetje mortore. E javën e kaluar në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut u zbulua një varr masiv.
Edhe
Sveçla konfirmon gjetjen e një varri tjetër masiv në Zubin-Potok
Sveçla ka thënë se distanca mes dy lokacioneve është afro 900 metra.
Ai ka thënë se Serbia vazhdon të mbetet ajo e njëjta që ishte në vitet ’90 në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve të reagojnë.
“Nuk po ndryshon...Tashmë gati tri dekada po punon në vazhdimësi që këto krime të fshihen. Është koha e fundit që bashkësia ndërkombëtare ta rrisë presionin ndaj Serbisë, ndaj qeveritarëve të saj, në mënyrë që e vërteta për gjitha këto krime të zbardhet”, tha Sveçla.
-
Pritet zhvarrosja e mbetjeve të tre personave në Kalludër
-
Sveçla: S’ka qetësi deri në gjetjen e personit të fundit të zhdukur
-
Institucionet e Kosovës presin të rikthehen me gërmime për të zhdukurit në pesë lokacione në Serbi
-
Detaje nga gërmimet në Zubin-Potok: Pritet të nisë identifikimi përmes analizave të ADN-së