Kulturë

Shuhet intelektuali i shquar dhe profesori universitar, prof. dr. Abdullah Karjagdiu

Sot Kosova është zgjuar me një lajm të hidhur. Në moshën 84-vjeçare ka ndërruar jetë profesori dhe intelektuali i shquar, Abdullah Karjagdiu, thuhet në njoftimin që familja ua ka dërguar mediave.

I ndjeri ka lindur më 24.12.1936. Ishte ndër profesorët e parë universitarë të gjuhës dhe letërsisë angleze, doajen dhe korife i letërsisë angleze dhe amerikane, autor i dhjetëra veprave universitare, përkthyes i shumë kryeveprave letrare dhe ndër profesorët dhe veprimtarët politikë më të spikatur dhe më aktivë për shumë gjenerata. Ka qenë bashkëpunëtor i ngushte i Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçit.

Gjate karrierës së tij të begatë dhe të larmishme i ka ushtruar edhe funksionet në vijim: Shef i Departamentit të Anglishtes, prodekan dhe dekan i Fakultetit të Filologjisë, Nënkryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane dhe i Partisë Parlamentare, Kryetar i Shoqatës së Shekspirologëve dhe i Shoqatës së Përkthyesve, Drejtor i Institutit të Gjuhëve të Huaja, e të tjera. Siç shkruhet në njoftim, ai ka qenë një ndër intelektualët, studiuesit, profesorët dhe veprimtarët më të dalluar.

“Kontributi i tij i pashoq për zhvillimin e arsimit dhe për çështjen kombëtare do të mbahet mend dhe do të shërbejë si motivim për gjeneratat në vijim. I ndjeri ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të gjatë në mesin e më të dashurve”, shkruhet në njoftim.

Varrimi i të ndjerit është bërë të shtunën në varrezat e Prishtinës, në “Dragodan”, në orën 13:30.