Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Karjagdiu, me rastin e vdekjes së profesorit Abdullah Karjagdiut.
Osmani ka thënë se me pikëllim ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të njërit ndër profesionistët e parë të Universitetit të Prishtinës.
“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të njërit ndër profesorët e parë të Universitetit të Prishtinës, intelektualit të shquar, autorit të shumë librave e përkthyesit letrar, prof. Abdullah Karjagdiut. Për vite të tëra prof. Karjagdiu edukoi breza të tërë, duke dhënë mësim në katedrën e gjuhës dhe të letërsisë angleze, të cilën e drejtoi po ashtu për disa vite. Duke qenë njëri ndër njohësit më të mirë të letërsisë angleze dhe asaj amerikane, prof. Karjagdiu solli në gjuhën shqipe shumë kryevepra letrare. Njëkohësisht, ai qe edhe veprimtar i çështjes kombëtare, për të cilën dha kontribut të shquar”, ka thënë ai.