Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Abdullah Kajragdiu – doajen i letërsisë angleze e amerikane, veprimtar i spikatur

Për jo pak gjenerata, profesor Kajragdiu – i cili vdiq të shtunën në moshën 84-vjeçare – qe udhërrëfyes për njohjen me botën e letërsisë angleze e amerikane, por veprimtaria e tij nuk u ndal vetëm në fushën e arsimit e të kulturës. Ai qe zë i spikatur edhe si veprimtar politik e intelektual i shquar

Një ndër profesorët e parë universitar të gjuhës dhe letërsisë angleze, doajen dhe korife i letërsisë angleze dhe amerikane, autor i dhjetëra veprave universitare, përkthyes i shumë kryeveprave letrare dhe ndër profesorët dhe veprimtarët politikë më të spikatur dhe më aktivë për shumë gjenerata, është cilësuar Abdullah Kajragdiu.

Intelektuali e profesori i shquar, vdiq pas një sëmundjeje të gjatë. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë familja nëpërmjet një njoftimi për media, të shtunën. Ai ishte 84-vjeçar. Lamtumira e fundit i është dhënë po të shtunën në varrezat e Prishtinës në “Dragodan”.

Për jo pak gjenerata, Kajragdiu qe udhërrëfyes për njohjen me botën e letërsisë, por veprimtaria e tij nuk u ndal vetëm në fushën e arsimit e të kulturës. Siç shkruhet në biografinë e tij, ai ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës dhe i Adem Demaçit.

Gjatë karrierës së tij të begatë dhe të larmishme i ka ushtruar edhe funksionet në vijim: Shef i Departamentit të Anglishtes, prodekan dhe dekan i Fakultetit të Filologjisë, nënkryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane dhe i Partisë Parlamentare, kryetar i Shoqatës së Shekspirologëve dhe i Shoqatës së Përkthyesve, drejtor i Institutit të Gjuhëve të Huaja, e të tjera.

Muhamet Hamiti, profesor i letërsisë angleze dhe amerikane në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ka qenë student i tij.

Edhe Shuhet intelektuali i shquar dhe profesori universitar, prof. dr. Abdullah Karjagdiu Kulturë Shuhet intelektuali i shquar dhe profesori universitar, prof. dr. Abdullah Karjagdiu

“Unë e kam pasur nderin ta kem profesor në mesin e viteve tetëdhjetë. Nga fundi i atyre viteve deri në mesin e viteve nëntëdhjetë, kur jam bërë vetë ligjërues i letërsisë angleze, unë kam qenë bashkëpunëtor, asistent i profesor Karjagdiut në Fakultet. Më tej kemi qenë kolegë në UP”, ka thënë Hamiti për KOHËN. Ka shtuar se studentët e kolegët e tij në Fakultetin e Filologjisë do ta kujtojnë profesor Karjagdiun si njeri me integritet njerëzor e profesional.

“Lexuesi shqiptar kudo do të ketë mësuar shumë prej tij, do të ketë shijuar e do të shijojë vepra letrare e diturake, shpesh duke e marrë të mirëqenë punën e përkushtuar të përkthyesit, një punë e pamiradijshme në shoqërinë tonë edhe sot, për fat të keq”, ka thënë Hamiti teksa ka shkëputur edhe disa pjesë nga biografia e profesorit e më vonë kolegut të tij.

“Karjagdiu përktheu shumë vepra letrare e të tjera nga gjuha angleze dhe nga gjuhë të tjera. Përktheu nga anglishtja në shqip ‘Autobiografinë’ e Fan Nolit dhe ‘Shqipëria - Kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore’ të Faik Konicës. Ka përkthyer drama të Bernard Shosë (Shaw), kryeveprën e shkrimtarit amerikan Uilliam Fokner (Faulkner), ‘Këlthitja dhe tmerri’, shumë vepra të tjera letrare dhe joletrare. Këtë veprimtari e ka vazhduar edhe në moshë të shtyrë, deri në frymën e tij të fundit”, ka thënë Hamiti.

Abdullah Kajragdiu u lind më 24 dhjetor të vitit 1936 në Prizren. Diplomoi në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, në vitin 1961, në Universitetin e Beogradit. Mori titullin magjistër i Letërsisë Angleze, në vitin 1971 në Universitetin e Zagrebit dhe doktor i Filologjisë në vitin 1975 në Universitetin e Prishtinës me temën “Bajroni te shqiptarët”. Prej vitit 1960 deri më 1962 ishte mësimdhënës i anglishtes, frëngjishtes dhe shqipes në Gjimnaz, Shkollën Normale dhe Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren. Prej vitit 1962 deri më 1968, gazetar, kritik letrar dhe përkthyes në të përkohshmen “Rilindja”. Më pas vazhdoi rrugëtimin në fushën akademike: 1960-62: Ligjërues i anglishtes dhe frëngjishtes në Fakultetin Ekonomik - Juridik të Universitetit të Prishtinës; 1972- 2003: Ligjërues dhe Profesor i Letërsisë angleze dhe amerikane, Letërsisë së krahasuar dhe botërore dhe Teorisë dhe praktikës së përkthimit; 1994-95: Profesor i gjuhës angleze në Universitetin e “Gallata Sarajit” të Stambollit; 1999-2000: Profesor i Letërsisë angleze dhe amerikane në Universitetin “Fatih” të Stambollit; 2002-2003: Profesor i Letërsisë angleze në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë; 2003-2004: Profesor i Teorisë dhe praktikës së përkthimit në Universitetin e Prishtinës; 2004-2005: Profesor i Shkrimit akademik dhe Hyrjes në studimet angleze në Universitetin e Prishtinës; 2005-2007: Profesor i Gjuhës angleze dhe Shkrimit akademik në Universitetin “Dardania” dhe Kolegjin Universitar “Universum”. Në vitin 2003 është shpallur Profesor Emeritus nga Universiteti i Prishtinës.

Kajragdiu dha kontribut të madh në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Angleze të Universitetit të Prishtinës, i cili, siç ka kujtuar Hamiti, sivjet mbush 60 vjet.

“Kontributi i profesor Abdullah Kajragdiut dhe i kolegëve të tij shqiptarë të kohës është i madh për Universitetin e Prishtinës dhe për shoqërinë e Kosovës. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, Departamenti ynë mbeti edhe pa dy kolegë të nderuar, profesor Hamdi Dacin dhe prof. ass. Dr. Sazana Çapriqin, që ndërruan jetë sivjet. E kujtojmë me nderim profesorin e parë të letërsisë angleze në UP, Abdullah Karjagdiun, si edhe kolegët e tjerë të moçëm e më të rinj”, ka thënë Hamiti.

Edhe Osmani ngushëllon për vdekjen e profesorit Abdullah Karjagdiut Arbëri Osmani ngushëllon për vdekjen e profesorit Abdullah Karjagdiut

Në fusha të ndryshme, Karjagdiu i ka lënë vepra të çmueshme. Ndër veprat që mbajnë autorësinë e tij janë “Historia e gazetarisë”, Rilindja, Prishtinë, 1963; “Shekspiri në gjuhën shqipe”, Prishtinë, 1972; “Bajroni dhe shqiptarët”, Prishtinë, 1975; “Si të përkthejmë”, Prishtinë, 1975; “Bilinguizmi si problem botëror”, Prishtinë, 1976; “Ç’është kritika letrare?”, Prishtinë, 1977; “Me Konicën në Evropë”, Tiranë, 1993; “Hyrje në studimet angleze (në gjuhën angleze), Prishtinë, 1996; “Një pasqyrë e Letërsisë angleze (në gjuhën angleze), Prishtinë, 2005; “Shkrimi akademik (në gjuhën angleze), 2007. Ka botuar më se 200 ese, vëzhgime, trajtesa, artikuj, punime rreth letërsisë shqipe, angleze dhe amerikane, letërsisë së krahasuar, gjuhësisë, bilinguizmit, kritikës, kritikës së përkthimit, kulturës, e të tjera.

Te veprimtaria e tij si përkthyes shquhen veprat e F. Nolit “Autobiografia” (nga anglishtja), 1968; Senkejeviçit dhe të tjerëve: “Historia e shkurtër e Shqipërisë” (nga rusishtja), 1968; Paganellit: “Skënderbeu” (nga frëngjishtja), 1968; F. Konicës: “Shqipëria, Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore” (nga anglishtja), 1991; Mallkolmit: “Kosova, një histori e shkurtër” (nga anglishtja), 1998; Eriksonit: “Ditari i Eriksonit nga trojet shqiptare” (1908-1913) botuar më 2002. Pos tyre ka përkthyer edhe një sërë romanësh, dramash, tregimesh dhe poezish, nga Bekoni, Drajtoni, Llovlasi, Spenseri, Bajroni, Sarojani, Tveni, Hemingueji, Shoi, Vajlldi, Bërnsi, Shelli, Emersoni, Longfelloi, Uitmani, Fokneri, Kouldvelli, Xhonsoni, Bllejku, Brixhsi, Steinbeku, Mensfilldi, Frosti, Lovell, Ljermontovi, Çehovi, Shollohovi, Jeutushenko, Sollzhenjicin, Pirandello, De Leda, Moravia, Kuazimodo, Vergar, Dode, Mopasani, Tagore, Kavabata, poetë afro-aziatikë, e të tjerë.

Ka qenë mentor ose anëtar i komisionit në mbrojtjen e 40 magjistraturave dhe 20 doktoratave nga filologjia, letërsia angleze dhe amerikane, letërsia shqipe dhe letërsia e krahasuar.

Si profesor e mentor të tijin e ka kujtuar Bedri Zyberaj, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Ka përmendur edhe një projekt të papërfunduar.

“E kisha mentor për temën e magjistraturës ‘Fenomeni i luftës në romanet ‘Hasta la Vista’ të Petro Markos dhe ‘Për kë bien këmbanat’ të Ernest Heminguejit. Muajve të fundit filluam punën për botimin e temës së tij të doktoratës, ‘Bajroni dhe shqiptarët’ të cilën e kishte mbrojtur më 1977 dhe që deri tani nuk ishte botuar asnjëherë”, ka shkruar Zyberaj në një postim në “Facebook”, teksa ka shprehur ngushëllime. Sipas tij, profesori do të kujtohet përherë si njeri i përkushtuar ndaj kulturës dhe shkencës.

Edhe Ndahet nga jeta profesori e gjuhëtari Jashar Kabashi Arbëri Ndahet nga jeta profesori e gjuhëtari Jashar Kabashi

“Qëmtimet e tij për të bukurën dhe sidomos për të vërtetën historike të së kaluarës sonë, janë amanet për ne që t’i publikojmë dhe afirmojmë si një kontribut të rrallë të profesor Abdullahut”, ka shkruar Zyberaj.