Personalitete shtetërore e institucione kanë nderuar figurën e akademikut Rexhep Qosja, i cili vdiq të enjten në moshën 89-vjeçare. Ai u varros në ceremoni private dhe me amanetin e tij, nuk do të ketë pritje familjare e organizim institucional.
Kurti: Qosja do të mbahet mend si i paepur
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se akademik Rexhep Qosja do të mbahet mend si akademiku bashkëkohor i cili kontribuoi shumë për gjuhën dhe kombin e po ashtu se aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti – i paepur”, ka shkruar Kurti në një shkrim në Facebook për vdekjen e Qosjes.
Kurti ka thënë se vepra e Qosjes do të jetë shumë më gjatë se shekulli i tij.
“Rexhep Qosja ndërroi jetë sot. Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin. Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj. Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e insiprimet e së ardhmes. Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se askush nuk i ka njohur më thellë dhe nuk i ka çmuar e afirmuar më lart rilindasit sesa Qosja.
“Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar. Midis trashëgimisë së iluminizmit evropian dhe jetëshkrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse edhe midis romantizmit dhe postmodernes, qarkullonte mahnitshëm dhe frymëzonte parreshtur. Shkruante edhe për shkak se kishte lexuar shumë. Shkruante shumë sidomos për shkak se kishte çfarë të thoshte. Jetën e kaloi midis librave, jo pak prej të cilëve e kanë për autorë vetë atë, në bibliotekën e secilit prej nesh”, ka shkruar Kurti për Qosjen.
Në fund ai ka thënë se Qosja u nda nga jeta, por vepra e tij mbetet gjallë.
Kraja për Qosjen: Zë i ndërgjegjes së zgjuar kombëtare
Zë të ndërgjegjes së zgjuar kombëtare e ka cilësuar Rexhep Qosjen, ish-kryeakademiku Mehmet Kraja. Në një letër kujtimi për të, Kraja ka thënë se me vdekjen e Qosjes merr fund epoka e idealistëve të mëdhenj.
“Rexhep Qosja ishte zëri i ndërgjegjes së zgjuar kombëtare: bashkë me të merr fund epoka e idealistëve të mëdhenj, të cilët për kombin folën me zë që kumbon larg dhe tejkalon kufizimet e kohës”, ka shkruar Kraja në Facebook.
Kraja ka thënë po ashtu se Qosja zë vend nderi në letërsinë shqipe.
“Ai zë vend nderi në historinë e mendimit shqiptar, pranë rilindësve; zë vend nderi në letërsinë shqipe, veçmas në fushën e historisë së letërsisë, ku vepra e tij tashmë është klasikë dhe referencë e patejkalueshme”, ka thënë Kraja.
Kraja ka shtuar se shpesh s’është pajtuar me Qosjen, por se gjithmonë ka konsideruar se ai flet të vërteta të mëdha për kombin, identitetin, letërsinë e historinë.
“Për shumë gjëra nuk jam pajtuar me Rexhep Qosjen, por gjithmonë e kam çmuar mendimin e tij, sepse ai edhe kur gabonte, nuk mund të ishte gjë tjetër pos patriot i zhgënjyer. Gjithmonë kam konsideruar se ai thoshte të vërteta të mëdha për kombin, për identitetin, për letërsinë dhe historinë tonë”, ka shtuar ai.
Në fund, Kraja ka thënë se në Akademinë e Shkencave dhe Arteve ka të tillë që duhet ta pastrojnë ndërgjegjen, “pse ia mbyllën derën e këtij institucioni Rexhep Qosjes”.
“Duhet të gjejnë kurajë dhe ta pastrojnë ndërgjegjen edhe ata që shpifën, e shkelën dhe u përpoqën ta njollosnin emrin e tij”, ka përfunduar Kraja shkrimin për Qosjen.
ASHAK-u e cilëson Qosjen si një prej figurave më të shquara të mendimit shkencor e letrar
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) bashkë me atë të Shqipërisë shprehën ngushëllime për vdekjen e Rexhep Qosjes, duke e cilësuar si një prej figurave më të shquara të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar.
“Akademik Rexhep Qosja përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar, shkrimtar dhe intelektual me ndikim të gjerë në zhvillimet shkencore, letrare dhe shoqërore. Veprimtaria e tij shumëdimensionale u karakterizua nga një qasje kritike, e argumentuar dhe e mbështetur në parime të larta akademike, duke kontribuar në mënyrë të veçantë në konsolidimin e mendimit albanologjik dhe në afirmimin e identitetit kulturor e historik shqiptar. Trashëgimia që la pas, përbën një vlerë të çmuar shkencore dhe letrare, e cila do të mbetet burim referimi dhe frymëzimi për studiuesit dhe brezat që vijnë. Përmes angazhimit të tij intelektual dhe publik, ai luajti rol të rëndësishëm në mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe në ndërtimin e diskursit kritik në shoqërinë shqiptare”, thuhet në reagimin e përbashkët të tyre.
Hamza: Vdekja e Qosjes, humbje për Kosovën e kombin shqiptar
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se vdekja e Qosjes është humbje për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar.
“Si akademik i shquar, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në mendimin shkencor dhe kulturor shqiptar, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar dhe të pazëvendësueshme për brezat që vijnë. Si mendimtar i angazhuar në çështjet politike, akademik Rexhep Qosja kontribuoi edhe në rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe në përpjekjet për liri e barazi të popullit tonë”, ka shkruar Hamza.
Rama e Begaj për vdekjen e Qosjes: Lamtumirë shqiptar i mirë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka shprehur ngushëllime familjes dhe të afërmve të akademikut Rexhep Qosja.
Qosja vdiq të enjten në moshën 89-vjeçare.
“Lamtumirë shqiptar i mirë. Ngushëllime vëllazërore familjes, të afërmve e miqve të Profesor Rexhep Qoses”, ka shkruar Rama.
E presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e cilësoi Qosjen si një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar.
“Një akademik i rrallë iku nga Panteoni… Rexhep Qosja ishte një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe miqve. Pusho në paqe, Profesor”, ka shkruar Begaj.