Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vdiq Rexhep Qosja

Rexhep Qosja

Rexhep Qosja (25 qershor 1936 - 23 prill 2026)

Akademiku Rexhep Qosja ka vdekur të enjten (sot) në moshën 89-vjeçare, kanë njoftuar familjarët e tij.

Familjarët kanë njoftuar po ashtu se ka përfunduar edhe ceremonia e varrimit, që u mbajt me anëtarë të ngushtë të familjes në Prishtinë. Ata kanë theksuar se me dëshirën e të ndjerit, nuk do të organizojnë pritje familjare e as nuk do të marrin pjesë as në organizime institucionale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i nipit të Rexhep Qosjes

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të tij.

Kush ishte Rexhep Qosja?

Rexhep Qosja ishte shkrimtar, historian i letërsisë, profesor universiteti, akademik. Lindi në Vuthaj të Malit të Zi më 1936. Kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Vuthaj dhe në Guci.

Në Prishtinë e kreu Shkollën Normale, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Më 1967 filloi punë si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ndërsa më 1968-69 kreu studimet pasuniversitare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit.

Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit u ngrit në bashkëpunëtor të lartë dhe më pas në këshilltar shkencor në këtë institut, si dhe u zgjodh profesor inordinar dhe më pas profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Në periudhën 1972-1981 ka qenë drejtor i Institutit Albanologjik, pastaj shef disa vjeçar i degës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik, si dhe kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re”. Veprat e para i botoi nga fusha e kritikës.

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me Shpërblimin e qytetit të Prishtinës më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – “7 Korriku”, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, etj.

Në mars të vitit 2025 Qosja u nderua me çmimin “Letërsia shqipe” nga Ministria e Kulturës, si njëri prej ndikuesve më të mëdhenj të letërsisë shqipe.

Është marrë edhe me veprimtari politike. Në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000, kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.

“Varrim pa fjalime, pa lule, pa prani zyrtare” – Familja publikon amanetin e Qosjes

1 muaj më parë / 23 pri 2026 17:50
Amaneti i Rexhep Qosjes

Familja e akademikut Rexhep Qosja ka publikuar të enjten letrën me të cilën Qosja kishte lënë amanetin për nipin e tij, që të kujdeset për ceremoninë e lamtumirës.

Letra e publikuar nga nipi i tij, Valjeti, mban datën 30 prill 2016.

Në të, Qosja kishte kërkuar të varrosej pa ritual fetar dhe pa kurrfarë pranie zyrtare.

“Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi. Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës. Vdes i qetë”, thuhet në letrën e publikuar.

Qosja kishte shkruar po ashtu se nuk u ka mbetur borxh Kosovës e Shqipërisë, duke shtuar se nëse Kosova i ka mbetur borxh atij, kjo do të thuhet nga  historianët e ardhshëm.

“Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua - këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar”, shkruhet në letër-amanetin e Qosjes.

Letrën e fundit, Qosja e kishte mbyllur me fjalinë se mendimet në të i ka shkruar duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.


Letra e plotë:

NIPIT TIM VALJETIT

I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT

KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.

Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

Vdes i qetë.

Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua - këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.

Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

Gjyshi yt, Valjet

Rexhep Qosja

(nënshkrimi)

Prishtinë, 30.4.2016

Nesër ditë zie në Kosovë

1 muaj më parë / 23 pri 2026 15:21
ditë zie

Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu ka thënë se dita e nesërme (e premte) është shpallur ditë zie shtetërore në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja.

“Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, ka shkruar Haxhiu.

Qosja vdiq sot në moshën 89-vjeçare.

Nderohet figura e Qosjes

1 muaj më parë / 23 pri 2026 13:20
Rexhep Qosja

Kurti: Qosja do të mbahet mend si i paepur

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se akademik Rexhep Qosja do të mbahet mend si akademiku bashkëkohor i cili kontribuoi shumë për gjuhën dhe kombin e po ashtu se aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij.

“Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti – i paepur”, ka shkruar Kurti në një shkrim në Facebook për vdekjen e Qosjes.

Kurti ka thënë se vepra e Qosjes do të jetë shumë më gjatë se shekulli i tij.

“Rexhep Qosja ndërroi jetë sot. Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin. Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj. Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e insiprimet e së ardhmes. Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se askush nuk i ka njohur më thellë dhe nuk i ka çmuar e afirmuar më lart rilindasit sesa Qosja.

“Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar. Midis trashëgimisë së iluminizmit evropian dhe jetëshkrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse edhe midis romantizmit dhe postmodernes, qarkullonte mahnitshëm dhe frymëzonte parreshtur.  Shkruante edhe për shkak se kishte lexuar shumë. Shkruante shumë sidomos për shkak se kishte çfarë të thoshte. Jetën e kaloi midis librave, jo pak prej të cilëve e kanë për autorë vetë atë, në bibliotekën e secilit prej nesh”, ka shkruar Kurti për Qosjen.

Në fund ai ka thënë se Qosja u nda nga jeta, por vepra e tij mbetet gjallë.


Kraja për Qosjen: Zë i ndërgjegjes së zgjuar kombëtare

Zë të ndërgjegjes së zgjuar kombëtare e ka cilësuar Rexhep Qosjen, ish-kryeakademiku Mehmet Kraja. Në një letër kujtimi për të, Kraja ka thënë se me vdekjen e Qosjes merr fund epoka e idealistëve të mëdhenj.

“Rexhep Qosja ishte zëri i ndërgjegjes së zgjuar kombëtare: bashkë me të merr fund epoka e idealistëve të mëdhenj, të cilët për kombin folën me zë që kumbon larg dhe tejkalon kufizimet e kohës”, ka shkruar Kraja në Facebook.

Kraja ka thënë po ashtu se Qosja zë vend nderi në letërsinë shqipe.

“Ai zë vend nderi në historinë e mendimit shqiptar, pranë rilindësve; zë vend nderi në letërsinë shqipe, veçmas në fushën e historisë së letërsisë, ku vepra e tij tashmë është klasikë dhe referencë e patejkalueshme”, ka thënë Kraja.

Kraja ka shtuar se shpesh s’është pajtuar me Qosjen, por se gjithmonë ka konsideruar se ai flet të vërteta të mëdha për kombin, identitetin, letërsinë e historinë.

“Për shumë gjëra nuk jam pajtuar me Rexhep Qosjen, por gjithmonë e kam çmuar mendimin e tij, sepse ai edhe kur gabonte, nuk mund të ishte gjë tjetër pos patriot i zhgënjyer. Gjithmonë kam konsideruar se ai thoshte të vërteta të mëdha për kombin, për identitetin, për letërsinë dhe historinë tonë”, ka shtuar ai.

Në fund, Kraja ka thënë se në Akademinë e Shkencave dhe Arteve ka të tillë që duhet ta pastrojnë ndërgjegjen, “pse ia mbyllën derën e këtij institucioni Rexhep Qosjes”.

“Duhet të gjejnë kurajë dhe ta pastrojnë ndërgjegjen edhe ata që shpifën, e shkelën dhe u përpoqën ta njollosnin emrin e tij”, ka përfunduar Kraja shkrimin për Qosjen.


ASHAK-u e cilëson Qosjen si një prej figurave më të shquara të mendimit shkencor e letrar 

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) bashkë me atë të Shqipërisë shprehën ngushëllime për vdekjen e Rexhep Qosjes, duke e cilësuar si një prej figurave më të shquara të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar.

“Akademik Rexhep Qosja përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar, shkrimtar dhe intelektual me ndikim të gjerë në zhvillimet shkencore, letrare dhe shoqërore. Veprimtaria e tij shumëdimensionale u karakterizua nga një qasje kritike, e argumentuar dhe e mbështetur në parime të larta akademike, duke kontribuar në mënyrë të veçantë në konsolidimin e mendimit albanologjik dhe në afirmimin e identitetit kulturor e historik shqiptar.  Trashëgimia që la pas, përbën një vlerë të çmuar shkencore dhe letrare, e cila do të mbetet burim referimi dhe frymëzimi për studiuesit dhe brezat që vijnë. Përmes angazhimit të tij intelektual dhe publik, ai luajti rol të rëndësishëm në mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe në ndërtimin e diskursit kritik në shoqërinë shqiptare”, thuhet në reagimin e përbashkët të tyre.


Hamza: Vdekja e Qosjes, humbje për Kosovën e kombin shqiptar

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se vdekja e Qosjes është humbje për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar.

“Si akademik i shquar, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në mendimin shkencor dhe kulturor shqiptar, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar dhe të pazëvendësueshme për brezat që vijnë. Si mendimtar i angazhuar në çështjet politike, akademik Rexhep Qosja kontribuoi edhe në rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe në përpjekjet për liri e barazi të popullit tonë”, ka shkruar Hamza.


Rama e Begaj për vdekjen e Qosjes: Lamtumirë shqiptar i mirë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka shprehur ngushëllime familjes dhe të afërmve të akademikut Rexhep Qosja.

Qosja vdiq të enjten në moshën 89-vjeçare.

“Lamtumirë shqiptar i mirë. Ngushëllime vëllazërore familjes, të afërmve e miqve të Profesor Rexhep Qoses”, ka shkruar Rama.

E presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e cilësoi Qosjen si një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar.

“Një akademik i rrallë iku nga Panteoni… Rexhep Qosja ishte një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe miqve. Pusho në paqe, Profesor”, ka shkruar Begaj.