Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qosja nderohet si një ndër figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar

Seanca-Rexhep Qosja

Foto: Driton Paçarada

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një seancë të veçantë në nderim të akademikut Rexhep Qosja, i cili vdiq të enjten e kaluar në moshën 89-vjeçare.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh kryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qosja kujtohet si njëri nga njerëzit që e shndërroi kulturën shqiptare në hapësirë mendimi, polemike, vetëdije dhe përgjegjësie historike.

“Rexhep Qosja jetoi dhe krijoi në një kohë kur shqiptarëve u kërkohej vazhdimisht ta dëshmonin gjuhën, historinë, përkatësinë dhe të drejtën e tyre politike. Kësaj kohë ai iu përgjigj me vepra, më studime, polemika, qëndrime publike dhe me një disiplinë intelektuale që rrallë shihet në jetën tonë publike”, ka thënë Haxhiu, në seancën që ka nisur më një minutë heshtje në nderim të Qosjes.

Ajo ka thënë se Qosja e ndërtoi mendimin e tij mbi vlerat e Rilindjes kombëtare, mbi trashëgiminë iluministe evropiane, mbi humanizmin dhe mbi figurat që shqiptarëve u dhanë drejtim historik.

“Akademik Qosja e nxori studimin e letërsisë shqipe nga kufijtë e një disipline të ngushtë dhe e lidhi më pyetjen më të madhe të kohës së tij “Si mbahet gjallë vetëdija e një populli të ndarë, të shtypur dhe të detyruar të mbrojë edhe gjuhën, edhe historinë, edhe të drejtën e vet politike. Me punën e tij kërkimore, me interpretimet e thella dhe në leximin e ri të autorëve tanë më të rëndësishëm, Qosja e bëri letërsinë shqipe pjesë të debatit të madh për identitetin, për vazhdimësinë historike dhe për të drejtën politike të shqiptarëve”, ka theksuar Haxhiu, duke thënë se ai ishte zë i qartë kundër shtypjes së shqiptarëve.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, gjatë fjalës  së tij e ka cilësuar Qosjen si një ndër figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar.

“Neve shqiptarëve na vdiq Rexhep Qosja. Ishte një nga intelektualët, shkrimtarët, veprimtarët më të rëndësishëm të kombit tonë. Elani i tij ishte liria kombëtare, prandaj gjithë çka prodhoi e ka formën e luftës kundër shtypjes. E lufta është strategji. Me të drejtë u tha se ai është rilindësi i fundit. Ndër institucionet që ai la gjurmë të thella janë Universiteti i Prishtinës, Akademia e Shkencave dhe Arteve, si dhe Instituti Albanologjik. Trupi i Rexhep Qosjes na la... ai nuk është me ne fizikisht, por intelekti i tij që e formuloi porosinë e madhe gjithandej korpusit të tij krijues vazhdon mes nesh si trashëgimi. Do të jetojë përgjithmonë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se me vdekjen e Qosjes, Kosova nuk ka humbur një njeri të dijes, por një institucion të mendimit kritik. 

“Nuk humbëm vetëm një njeri të dijes, e humbëm një institucion të mendimit kritik dhe një ndërgjegje që nuk pranoi të heshte. Na mësoi se pushteti më i rrezikshëm nuk është ai që ndalon trupin, por ai që pushton mendjen”, është shprehur ai. 

Ndërsa, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shefja e Grupit Parlamentar, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Qosja e shihte letërsinë si pasqyrë të shoqërisë, historisë dhe identitetit. 

“Akademik Qosja ishte studiues dhe një mendimtar kritik që e shihte letërsinë si pasqyrë të shoqërisë, historisë dhe identitetit. Ishte një zë që shpesh sfidonte, polemizonte dhe kërkonte reflektim duke e bërë debatin intelektual më të thellë”, është shprehur ajo.