Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
In Memoriam

Rexhep Qosja – iluministi i mendimit dhe i letrave shqipe

Rexhep Qosja

Rexhep Qosja (25 qershor të vitit 1936 – 23 prill 2026)

“Vdes i qetë”, kishte shkruar ai në amanet. Por lajmi për vdekjen e tij ka qenë i bujshëm ani pse në letrën për nipin e tij “Si dua të jetë varrosja ime” kishte qenë i prerë: pa fjalime, pa lule, pa prani zyrtare”. Akademik Rexhep Qosja vdiq të enjten në moshën 89-vjeçare. La pas një thesar të çmueshëm si rilindës i kohës së sotme, iluminist i mendimit dhe i letrave shqipe. “Rexhep Qosja është ai që është në veprat e tij”, do të thoshte ai për veten

Dita Botërore e Librit të enjten s’e ka përshkruar Kosovën dhe krejt gjeografinë shqiptare veç me aktivitete kushtuar librit. Por edhe me lajmin se një prej penave më të rëndësishme të krijimtarisë letrare, të historisë e kritikës letrare dhe një prej personaliteteve më me peshë të dy shekujve në të cilët jetoi, iku në heshtje. Me besim të plotë në shkencë e me punë kolosale për emancipim kulturor, si iluminist e idealist i ditëve të vështira, akademik Rexhep Qosja i tillë deshi edhe t’i thotë lamtumirë kësaj bote: pa ceremoni fetare e shtetërore a publike. Ai vdiq të enjten dhe u varros në prani të familjes së ngushtë, me porosinë që lajmi të bëhej i ditur veç pasi t’i jepet lamtumira në një ceremoni krejt private. Ishte 89 vjeç.

Lajmi për vdekjen e tij shpejt kaploi të madh e të vogël dhe kush me ndonjë foto skaj tij e kush me ndonjë kujtim për të, u kujtua dhe u nderua në forma të ndryshme. Përfshirë nga ata që jo veç polemizuan, por edhe e kritikuan keqas në të gjallë. E vdekja e tij është parë si humbje e madhe për letërsinë në shumë dimensione e mendimin intelektual. Mbi të gjitha si humbje e njeriut që i dha frymë rilindjes shqiptare në kohë moderne.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

I lindur më 25 qershor të vitit 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, ai përfundoi Shkollën Normale në Prishtinë dhe më pas studioi për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Më pas specializoi në shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit.

Akademik Qosja ishte këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si dhe profesor në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Po ashtu ishte drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane, drama dhe publicistikë. Ai, ndër të tjera, është edhe laureat i çmimit “Pjetër Bogdani”, i dekoratës “Nderi i Kombit” dhe i çmimit “Letërsia Shqipe”.

Krijimtaria e Rexhep Qosjes zë fill qysh në vitet ’60. Siç kishte treguar vetë, qëllim si i ri kishte të studionte mjekësinë. Por meqenëse kishte përfunduar Normalen e Prishtinës, s’i lejohej. Dhe për fat të letërsisë, Qosja pos që e studioi, si pakkush tjetër e pasuroi me shumë vepra që prekin thjesht fiksionin, por edhe identitetin shqiptar e mendimin filozofik në raport me kulturën e këtyre anëve.

Në biografinë e tij zënë vend botimet, si: “Episode letrare” (1967), “Dialogje me shkrimtarët” (1968), “Kritika letrare” (1969), “Antologjia e lirikës shqipe” (1970), “Kontinuitete” (1972), “Asdreni – jeta dhe vepra e tij” (1972), “Panteoni i rralluar” (1973), “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), “Shkrimtarët dhe periudha” (1975), “Anatomia e kulturës” (1976), “Mite të zhveshura” (1978), “Prej tipologjisë deri te periodizimi” (1979), “Morfologjia e një fushate” (1980), “Nocione të reja albanologjike” (1983), “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi I-II-III” (1984-1985), “Antologjia historike e letërsisë shqipe. Poezia dhe Proza” (1985), “Porosia e madhe” (1986), “Populli i ndaluar” (1990), “Fjalori demokratik” (1997), “Çështja shqiptare, Historia dhe politika” (1998) e “Ligjërime paravajtëse” (1998). Po ashtu aty renditen edhe “Strategjia e bashkimit kombëtar” (1998), (Paqja e përgjakshme, Konferenca ndërkombëtare për Kosovën (1999), “Tronditja e shekullit I, II” (2001), “Një dashuri dhe shtatë faje” (2001), “I ringjalluri i penduar, tregim satirik” (2002), “Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne – Shkrimtarë dhe periudha” (2006), “Ideologjia e shpërbërjes, trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare” (2006), “Realiteti i shpërfillur, Vështrim kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar” (2006), “Të vërtetat e vonuara: përgjigje e dytë në polemikat e Ismail Kadaresë dhe të bashkëmendimtarëve të tij” (2006), “Rilindja e dytë”, (2007), “Nata është dita jonë” (2007) dhe “Bijtë e askujt I, II” (2010). Po ashtu midis të tjerash ka botuar edhe vëllimet “Dëshmitar në kohë historike”.

Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi kompletin e veprave në 29 vëllime.

Rilindësi i kohëve moderne

Rexhep Qosja, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë si figurë poliedrike ka dhënë kontribut të madh në trajtimin e historisë së letërsisë shqipe dhe kthimin e frymës së rilindjes në qasjen e tij jo veç ndaj studimit të saj, por edhe në emancipimin e shoqërisë. Shpesh është quajtur edhe rilindësi i fundit. Studiuesi Arben Hoxha, njëherësh këshilltar shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, të enjten ka thënë se në raste të tilla zakonisht thuhet se është një humbje e madhe.

“Por unë do të thosha se humbje e madhe do të ishte sikur vetë Rexhep Qosja të bënte një jetë pa aktivitet intelektual e krijues. Aktiviteti i tij krijues, puna e tij kolosale, e ka përmbushur jetën, sepse jeta e tij, veprimtaria e tij ku gjatë gjithë jetës ka qenë në aktivitet që ka krijuar lidhje më të gjera, me jetën për nevojat e moralit të dijes dhe të shpirtit të kombit shqiptar”, ka thënë ai. Sipas tij, më këtë kontekst aktiviteti i tij jetësor intelektual i ka kaluar kufijtë e ekzistencës së tij biologjike.

“Prandaj jeta e tij është jetë gjeneroze për shkak të aktivitetit të tij krijues. Pra është jetë që gjeneron jetë. Në të kundërtën dhimbja do të ishte më e madhe në kuptimin fizik të fjalës”, ka thënë ai. Sipas Hoxhës, Rexhep Qosja do ta jetë ndër shqiptarë aq sa shoqëria dhe kombi shqiptar do të ketë nevojë për ruajtjen e vazhdimësisë dhe kohezionit moral, për ruajtjen e etikës së punës shkencore dhe për një vetëdije kritike kulturore.

“Në këtë kuptim mund të them se Rexhep Qosja s’mburrej për atë që bënte

dhe nuk krenohej. Nuk dëshironte të krenohej në kohë të mira pasi nuk dëshironte të rrëzohej në kohë të vështira”, ka thënë ai. Sipas Hoxhës, Qosja ka kultivuar arsye emancipuese e joinstrumentale.

“Gabimi në këtë koncept do të prodhojë gabime në perspektivën historike, vetvetja jonë nuk është pjesa, te Rexhep Qosja ka qenë tërësia e kombit shqiptar. Që në vitet ’60 ai letërsinë e shqipe e sheh mbi paradigmën integraliste”, ka thënë ai. Në perspektiven e Hoxhës, Qosja letërsinë shqipe e ka parë si një koncept unitarist për kulturën shqiptare.

“Pra këtë koncept nuk e ka krijuar, është koncept rilindës. Por është objektifikuar në realitetin tonë në një kontekst të ri të përplasjeve ideologjike midis liberalizmit kolonialist jugosllav dhe të ideologjisë klasore në Shqipëri. Këtë linjë emancipuese, që është parim doktrinar i filozofisë së iluminizmit, e gërsheton me doktrinën epistemologjike të realizmit kritik. Këto dy shtylla boshte e bëjnë që ai të mbajë qëndrim kritik dhe të reagojë”, ka thënë Hoxha.

Qosja s’e ka pasur problem të reagojë e të polemizojë. Madje ashpër. Njihej për këtë. Polemikat e tij me personalitet e mendime të ndryshme janë të shumta. Nganjëherë janë parë edhe si kontroverse. Në publik një prej polemikave më të forta e më kuptimplota është ajo për identitetin shqiptar me shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Shkrimtarë përkrahës të njëri-tjetrit e miq të kahershëm më 2006 ata polemizuan fort. E me rastin e vdekjes së Kadaresë, Qosja sqaroi publikisht se e vlerësonte atë si askënd tjetër për pasurimin e letërsisë shqipe dhe se polemikat i ka bërë në kuadër të mospajtimeve normale në një shoqëri ku respektohet mendimi i lirë.

Figura qendrore e mendimit kritik letrar

Krijuesja letrare, studiuesja e letërsisë e drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, e cila Qosjen e ka pasur profesor të estetikës, ka thënë se ai është një prej figurave kryesore të mendimit kritik letrar në Kosovë.

“Ai është një prej emrave të mëdhenj të letërsisë shqipe në përgjithësi dhe në veçanti të letërsisë shqipe në Kosovë. Është një prej emrave të mëdhenj të mendimit kritik letrar në Kosovë, Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare. Humbja e tij është e madhe, pasi është humbje e një prej figurave më të veçanta, më komplekse e nganjëherë edhe kontroverse jo vetëm të shkrimtarit, por edhe të kritikut e mendimtarit mbi letërsinë”, ka thënë ajo. Sipas saj, shoqëria shqiptare është me fat për trashëgiminë që ka lënë Qosja. Ka veçuar romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, si një prej prurjeve më të rëndësishme në letërsinë moderne shqiptare. Ky roman bashkë me disa vepra të tjera të Qosjes janë botuar në disa gjuhë të huaja.

Studiuesi i letërsisë, shkrimtari e profesori universitar, Ag Apolloni, ka shkruar se Qosja si një intelektual që gjithë jetën e ka mbrojtur të vërtetën me fjalë e vepër, ka vendosur që vdekja e tij ta luftojë me heshtje hipokrizinë institucionale dhe mediatike.

“Profesori është larguar më 23 prill, kështu që ai për çdo vit do të kujtohet nga lexuesit e tij pikërisht në këtë Ditë të Librit, sepse (e kam thënë sa ishte gjallë dhe mund ta përsëris edhe tani) Rexhep Qosja nuk ishte vetëm shkrimtari më i madh i Kosovës, por edhe një nga shkrimtarët dhe studiuesit më të mëdhenj që ka njohur historia e letërsisë shqipe. Për mua, ai ishte edhe profesori më i mirë dhe më i dashur”, ka shkruar ai.

Historiani i letërsisë, Fadil Grajçevci, njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të Institutit Albanologjik, ka thënë se Qosja ngelet ndër figurat më të kompletuara të letërsisë shqipe. Grajçevci, që qe edhe mik e lexues i disa veprave të tij qysh në dorëshkrim, ka folur edhe për përcaktimin e Qosjes që varrimi të bëhet në një ceremoni private. Sipas Grajçevcit, këtë gjë Qosja e mendonte dhe e ka reflektuar në veprat e tij.

“Nga bisedat që kemi pasur kohëve të fundit, por edhe nga vepra e tij që lë shumë për të kuptuar, profesori nuk e ka dashur gjuhën zmadhuese, pa marrë parasysh për çfarë personaliteti. Shpeshherë e ka parë që vdekjet e personaliteteve janë keqpërdorur...”, ka thënë ai.

“Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur”

Nipi i akademik Qosjes, Valjet Rexhepi, i cili edhe është kujdesur për të për vite me radhë, ka publikuar amanetin e gjyshit të tij, të shkruar me makinë shkrimi.

“Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar. Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare. Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi. Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës. Vdes i qetë”, do të shkruante ai më 30 prill 2016. Aty akademik Qosja do të shkruante se meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ua ka kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar, as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, së sotmes e ardhmërisë së tyre nuk u ka mbetur borxh.

“Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar. Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat. Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun. Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë”, përfundon letra e nënshkruar nga Qosja.

Konsolidues i mendimit albanologjik

Dihet publikisht se marrëdhënia e akademik Rexhep Qosjes me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës s’qe e mirë në dy dekadat e fundit. Jo rrallë ka pasur polemika e fjalë të rënda midis dy palëve, Akademisë dhe Qosjes. Por AShAK të enjten ka shprehur ngushëllime publike së bashku me Akademinë e Shqipërisë. Dhe të premten do të mbahet mbledhje komemorative.

Në ngushëllimin publik të dyja institucionet e cilësojnë Qosjen një prej figurave më të shquara të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar

“Akademik Rexhep Qosja përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar, shkrimtar dhe intelektual me ndikim të gjerë në zhvillimet shkencore, letrare dhe shoqërore. Veprimtaria e tij shumëdimensionale u karakterizua nga një qasje kritike, e argumentuar dhe e mbështetur në parime të larta akademike, duke kontribuar në mënyrë të veçantë në konsolidimin e mendimit albanologjik dhe në afirmimin e identitetit kulturor e historik shqiptar”, shkruhet në letër. Sipas Akademive, trashëgimia që Qosja la pas, përbën një vlerë të çmuar shkencore dhe letrare, e cila do të mbetet burim frymëzimi për studiuesit dhe brezat që vijnë.

“Përmes angazhimit të tij intelektual dhe publik, ai luajti rol të rëndësishëm në mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe në ndërtimin e diskursit kritik në shoqërinë shqiptare. Të dy akademitë tona shprehin mirënjohje dhe vlerësim të lartë për këtë kontribut të pashlyeshëm në zhvillimin e shkencës, kulturës dhe mendimit bashkëkohor shqiptar, si dhe për rolin e tij në forcimin e institucioneve akademike dhe të bashkëpunimit ndërakademik në hapësirën shqiptare”, shkruhet në letër. Sipas këtyre institucioneve, kujtimi, vepra dhe kontributi i akademik Rexhep Qosjes do të mbeten të përhershme në fondin e kulturës dhe shkencës shqiptare dhe në ndërgjegjen kolektive të kombit tonë.

Një mbledhje komemorative po të premten do ta mbajë edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës. Familja ka njoftuar se s’do të presin askënd për ngushëllime e as s’do të marrin pjesë në organizime institucionale.

“Ikona e mendimit dhe shkrimit shqip nuk është më mes nesh”, mban titullin letra e IAP-së.

“Rexhep Qosja ishte një punonjës i papërsëritshëm i Institutit Albanologjik dhe ne, punonjësit e tashëm të tij, jemi krenarë që e patëm mes nesh. Ai ishte mësuesi ynë, bashkëpunëtori dhe miku që nderohej dhe respektohej në secilin hap të ecejakeve të tij shkencore dhe intelektuale. Do të na mungojnë këshillat e tij të vyeshme dhe udhëzimet akademike!”, shkruhet në këtë letër.

Studiuesi i paepur

Reagimet e udhëheqësve shtetërorë e institucionalë në Kosovë e Shqipëri kanë qenë të shumta. Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhi, të premten e ka shpallur ditë zie në nderim të figurës së akademik Qosjes. Ajo ka shkruar se Kosova e humbi akademikun Rexhep Qosja, ndërkaq bota shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të mëdha të mendimit kritik, të letërsisë dhe të studimit.

“Tek ai bashkëjetonin studiuesi i letërsisë, kritiku, romancieri, eseisti, profesori dhe polemisti publik. Në studimet letrare, ai la pas trashëgimi të çmuar për letërsinë shqipe dhe për periudhat e saj vendimtare. Në prozë, me romanin ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’, solli një nga veprat që zgjeruan kufijtë e romanit shqiptar, duke e kthyer përvojën e frikës, pushtetit dhe shtypjes në letërsi me vlerë të qëndrueshme. Te ‘Të fshehtat e treguara’, Qosja dëshmoi se edhe në fund të rrugëtimit krijues mbeti i mprehtë ndaj kohës, shoqërisë dhe ndaj rënies së vlerave”, ka shkruar ajo. Sipas saj, akademik Qosja ishte hero i mendjes, ndaj si i tillë do të jetë udhërrëfyes për brezat.

“Ngushëllimi na vjen prej jetës së tillë”, e ka titulluar reagimin kryeministri Albin Kurti. Ai ka shkruar se dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj.

“Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e inspirimet e së ardhmes. Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave”, ka shkruar ai. Sipas Kurtit, natyrisht që askush nuk do të mund të thotë që ky apo ai shkrimtar a veprimtar ishte rilindësi ynë i fundit.

“Por sigurisht që të gjithë duhet ta themi që askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë, si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindësit tanë sa akademik Rexhep Qosja. Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar. Midis trashëgimisë së iluminizmit evropian dhe jetëshkrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse edhe midis romantizmit dhe postmodernes, qarkullonte mahnitshëm dhe frymëzonte pareshtur”, ka shkruar ai midis të tjerash. Ka shtuar se populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor, i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin e njëkohësisht aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij.

“Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti – i paepur”, ka shkruar Kurti.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shkruar se një akademik i rrallë iku nga Panteoni.

“Rexhep Qosja ishte një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe miqve. Pusho në paqe, Profesor!”, ka shkruar ai. Kurse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar: “Lamtumirë shqiptar i mirë”.

“Rexhep Qosja është ai që është në veprat e tij”

Akademik Qosja gjatë jetës së tij është marrë edhe me politikë. Në vitet ’90 ai doli nga kabineti prej studiuesi e shkrimtari duke iu dhënë hov thirrjeve për mëvetësi. Në veprat e tij këtë e ka bërë shumë më herët. Më pas në vitet ’80 mbahet mend për polemikat e ashpra me mendimtarët serbë që i jepnin zjarr ndjenjës kundër shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Qosja kishte afinitet e guxim të polemizonte e argumentonte edhe në takime të mbajtura në Serbi. Këtë s’e bënte në vitet ‘80 bash secili shqiptar. Më 1999 qe pjesë e delegacionit të shqiptarëve të Kosovës në Rambouillet dhe është midis katër nënshkruesve të Marrëveshjes së Rambouillet, e cila i hapi rrugë intervenimit ushtarak të botës demokratike kundër Serbisë duke sjellë lirinë e më pas edhe Pavarësinë e Kosovës.

Në dokumentarin “Rexhep Qosja – Rilindasi i fundit” të autores Rudina Xhunga, shkrimtari, studiuesi e intelektuali, Moikom Zeqo ka një vlerësim të veçantë për Qosjen.

“Mbrojtja e çështjes kombëtare shqiptare nga Rexhep Qosja në librat e tij, ka qenë një teori për të argumentuar se liria e Kosovës është një domosdoshmëri, një logjikë historike, nuk është thjesht një dëshirë”, thotë ai në dokumentarin e transmetuar në qershor të vitit 2014.

Rexhep Qosja njihej se thoshte atë që e mendonte. Dhe jo rrallë mospajtimet me të bënin që atij t’i jepeshin epitete të shumta. Por veprat e tij studimore prekin dhe zbardhin boshtin e letërsisë shqipe. E ato të krijimtarisë letrare forcojnë këtë bosht.

“Pavarësisht atyre që thuhen për mua dhe shkruhen për mua, unë mund të them me bindje të plotë se Rexhep Qosja është ai që është në veprat e tij”, do të thoshte ai në dokumentar. E veprat e tij janë prej trashëgimisë më kuptimplotë e me identitare që ka kultura shqiptare.