Praktikisht është muze, por shteti nuk e ka trajtuar si të tillë asnjëherë. Shtëpia e familjes Qerkezi ruan gjësendet e katër djemve dhe bashkëshortit të Ferdonije Qerkezit të rrëmbyer nga forcat serbe në mars të vitit 1999.
I shoqëruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Agim Çeku, më 27 prill të 2007-s, ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqia, zbuloi pllakën përkujtimore duke e shpallur shtëpinë muze.
Prej atëherë Ministria e Kulturës nuk është kujdesur më për këtë shtëpi. Shteti zyrtarisht e mbron atë si pjesë të trashëgimisë kulturore pasi gjendet në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme. Është shënuar si “Muze historik i vitit ‘99”. Me mirëmbajtje të eksponateve nuk është marrë as Komuna e Gjakovës pavarësisht deklaratave e memorandumeve të nënshkruara.
Kur në fillim të javës uji vërshoi katin përdhes duke dëmtuar eksponatet që ruhen tash e gati 21 vjet, Ferdonije Qerkezi kërkoi ndihmë.
“Tash duhet ngadalë ta pastrojmë. Institucionet më kanë vizituar, por për mirëmbajtje të shtëpisë nuk më kanë ofruar asgjë”, kishte thënë Qerkezi të hënën.
Pas këtij rasti nisen iniciativa private për ta ndihmuar me të holla për pastërti të shtëpisë.
Gazetarja Edita Doli bashkë me “Bashkimi Projekt” i kanë ofruar ndihmë Ferdonije Qerkezit.
“Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me nënën Ferdonije. Do t’i rrimë afër në çdo kërkesë të saj qoftë për kërkesa shëndetësore apo rinovimin e shtëpisë”, ka thënë ajo.
Por meqenëse mbrohet si monument, për secilën ndërhyrje duhet miratim nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Doli thotë se qëllimi është që t’i dalin në ndihmë Qerkezit dhe për secilin veprim do të dakordohen me institucionet.
“Brenda shtëpisë nuk do të preket asgjë. Do të krijohet një verandë ku do të gatuajë nëna Ferdonije, por gjithmonë në përputhje me atë që lejohet”, ka thënë ajo.
Ministria e Kulturës ka marrë një raport për vërshimin e katit përdhes të shtëpisë. Derisa nuk ka ndonjë afat se kur mund të ndërhyjë në mirëmbajtje, ankohen se procedurat e prokurimit janë problem më vete.
“Kemi kërkuar një raport më të detajuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë. Do të reagojmë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.
Sipas saj, edhe për ndërhyrjet më të thjeshta në këtë shtëpi duhet marrë pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
“Ne do të përsërisim kërkesën që në raste të tilla të mund të veprojmë nëpërmjet procedurës së negocimit, rastet e tilla janë emergjenca dhe duhet vepruar shpejt”, ka thënë ajo, duke iu referuar Ligjit të prokurimit publik që kërkon tenderim publik në mënyrë që të angazhohet një kompani për të kryer punë.
Nëpërmjet një komunikate edhe Komuna e Gjakovës ka paralajmëruar se do t’i dalë në ndihmë Ferdonije Qerkezit.