Kulturë

Vërshime në shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, shteti e mbron me letra

Shteti zyrtarisht e mbron si pjesë të trashëgimisë kulturore, por praktikisht e bën këtë veç me letra. Shtëpia në Gjakovë, të cilën Ferdonije Qerkezi e ka shndërruar në muze, është vërshuar e një pjesë e eksponateve janë dëmtuar nga uji. “Institucionet më kanë vizituar, por për mirëmbajtje të shtëpisë nuk më kanë ofruar asgjë”, ka thënë të martën Qerkezi, derisa ka folur për dëmet

Kati përdhes i shtëpisë së Ferdonije Qerkezit në Gjakovë është rrëmujë. Uji ka zhvendosur mjetet e punës së bashkëshortit dhe të bijve të saj të ndjerë. Një pjesë e shtëpisë që praktikisht shërben si muze është vërshuar nga uji. Në mëngjesin e së martës niveli i ujit ka arritur gati në një metër. Ka zhvendosur edhe pajisje të rënda si frigoriferin duke dëmtuar eksponatet që ruhen tash e gati 21 vjet. Bëhet fjalë për ujëra të zeza që kanë shpërthyer pas reshjeve të fundit atmosferike.

Problem tjetër del të jetë edhe kundërmimi që ka përfshirë edhe dy katet e tjera të shtëpisë-muze, që gjendet në rrugën “Martirët Qerkezi”.

Ferdonije Qerkezi ruan gjërat e katër të bijve dhe bashkëshortit që u rrëmbyen nga forcat serbe në mars të vitit 1999.

Në katin përdhes ajo kishte renditur mjetet e punës së familjarëve. Në vitet ’90 ata kishin hapur një dyqan në Gjakovë ku merreshin me përpunimin e mishit. Shërbente edhe si një lloj hapësire e ushqimit të shpejtë. Pajisjet e përfshira nga uji kanë mbetur ende në gjendje të njëjtë. Në këtë hapësirë ka pasur edhe këpucë e gjësende të tjera të fëmijëve.

“Herëve të tjera ka hyrë uji deri në 15 centimetra. Por kësaj radhe deri në 85 centimetra, gjë që nuk ka ndodhur”, ka thënë Ferdonije Qerkezi, e cila shtëpinë e ka kthyer në muze.

Ajo ka kërkuar ndihmë që të riparojë dëmet e shkaktuara nga uji.

Image

“Tash duhet ngadalë ta pastrojmë. Institucionet më kanë vizituar, por për mirëmbajtje të shtëpisë nuk më kanë ofruar asgjë”, ka thënë Qerkezi. Ministrja e Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi, ka thënë se do ta shohë se çfarë mund të bëjnë.

“Do ta shohim mundësinë se si të veprojmë”, ka thënë ajo të martën.

Në hapësirën e përfshirë nga uji gjenden dhjeta makina për përpunimin e mishit, mjete të tjera të punës, si thikat e vegla të ndryshme. Qerkezi ka ruajtur gjithçka që u ka takuar të bijve dhe bashkëshortit të saj. Në katin përdhes ka po ashtu këpucë e veshmbathje të tjera.

I shoqëruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Agim Çeku, më 27 prill të 2007-s, ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, zbuloi pllakën përkujtimore ku shkruhet: “Nga kjo shtëpi prej forcave policore serbe vendore u morën dhe u zhdukën këta martirë të kombit më datë 27 mars 1999”, për të vazhduar me 11 emrat e atyre që u vranë. “Pllakën e ngriti MKRS-ja”, shkruan krejt në fund të mermerit të zi.

Prej atëherë Ministria e Kulturës nuk është kujdesur më për këtë shtëpi. Shteti zyrtarisht e mbron atë si pjesë të trashëgimisë kulturore pasi gjendet në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme. Është shënuar si “Muze historik i vitit ‘99”.

Kur gazeta kishte raportuar për këtë shtëpi në janar të vitit 2014, Nysrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Thirrjet e nënave”, kishte thënë se asnjëherë nuk është ndarë asnjë cent për mirëmbajtje.

“Ka pasur premtime, por jo realizime”, kishte thënë Nysrete Kumnova. Ishte premtuar që do të angazhoheshin ciceron e mirëmbajtëse. Qerkezi posedon të gjitha dokumentet.

“Në letër janë krejt të shkruara, por nuk janë realizuar në praktikë. Unë vetë e marr një punëtore që më ndihmon”, ka thënë ajo.

Gjatë viteve 2018 dhe 2019 Komuna ka ndërhyrë në shtëpi duke e rinovuar kulmin dhe ka bërë shtrirjen e ngrohjes qendrore.

Pos përdheses dy katet e tjera të shtëpisë janë të mbushura me fotografi e gjësende personale të anëtarëve të familjes që janë rrëmbyer nga forcat serbe.

Në natën e 27 marsit 1999, nga shtëpia e familjes Qerkezi ishin nxjerrë: Halim Qerkezi, 53 vjeç, djemtë e tij, Artani 25 vjeç, Armendi 24 vjeç, Ardiani 19 vjeç dhe Edmondi 14 vjeç. Së bashku me ta, me forcë nga shtëpia u nxorën edhe mysafirët Vegim Qerkezi 19 vjeç, Shpejtim Ymeraga 35 vjeç, Skënder Dylhasi 59 vjeç, Myrteza Dylhasi 26 vjeç, Fatos Jetishi 21 vjeç dhe Shpend Jetishi 20 vjeç. Pas marrjes nga policia serbe ata nuk u kthyen asnjëherë të gjallë, madje disave nuk u dihet as varri.

E Ferdonije Qerkezi, e cila atë natë humbi bashkëshortin dhe katër djemtë, për 20 vjet pret vizitorët dhe shpalos për ta rrëfimin e natës së kobshme. Kujtimet janë fotografitë e personave të vrarë dhe gjësendet e tyre në shtëpinë që edhe ajo e quan muze. Në katin e dytë jeton vetë Ferdonije Qerkezi. Hapësirën e dhomës së pritjes e ka të mbushur me fotografi të të bijve. Gjatë muajve të verës pret qindra vizitorë.

Image

“Ka edhe vizitorë që më pyesin se përse e kam bërë muze. Ju them që të tregojmë se çfarë kanë bërë serbët në Kosovë. Pasi serbët janë të pabesë”, ka thënë ajo. Në katin e tretë gjenden dhomat e djemve. Qerkezi pos fotografive ka shtrirë krejt pajën e nuseve e po ashtu edhe rrobat e të bijve të saj. I mirëmban me fanatizëm.

“Nuk kam hequr asgjë. Të gjitha i kam ruajtur. Duhet të dihet se çfarë kanë bërë serbët”, thotë ajo. Kujtimet i ka të shumta. Për secilin eksponat ka nga një shpjegim. Të vetmen gjë që nuk e di është se çfarë faji kanë bërë bashkëshorti dhe të bijtë e saj që të rrëmbehen nga policia serbe e të mos kthehen më të gjallë.