Akademia e Shkencave e Shqipërisë ia ka mësyrë që t’u ngjajë disa institucioneve shkencore që kanë edhe Akademitë e të rinjve.
Për këtë qëllim është mbledhur komisioni i ngritur nga Akademia e Shkencave për konkursin e pranimit të anëtarëve të rinj të Akademisë së të Rinjve, në përputhje me kriteret bazë të Statutit dhe Kartës themelore të “ALLEA-s” – Federata Evropiane e Akademive.
Komisioni, me praninë e gjithë anëtarëve, nën drejtimin e akademikut Adrian Civici ka bërë vlerësimin e përputhshmërisë së të dhënave të kandidatëve të regjistruar sipas dokumenteve depozituar në dosjet e tyre.
Nga ajo që është raportuar në “ATSh” është vërejtur se thirrjes së Akademisë së Shkencave për pjesëmarrje në konkurs i janë përgjigjur 13 kandidatë. Kërkesat me karakter shkencor si mbrojtja e doktoratës, veprimtaria botuese e vlerësimi nga njësia e kërkimit shkencor janë plotësuar nga të gjithë. Shumica e kandidatëve kanë artikuj të indeksuar në platforma e baza ndërkombëtare të dhënash si “Research Gate”, “Google Scholar”, duke përfshirë platformën “Scopus”. Profili i tyre intelektual sipas komisionit është mbresëlënës.
Lidhur me kriterin e moshës që është i njësuar në të gjitha akademitë e ngjashme në Evropë, tre prej tyre e kanë kaluar moshën 40 vjeç.
EdheNë mbledhje u vlerësua veprimtaria e anëtarësisë së deritashme të Akademisë së të Rinjve, anëtare e “Global Young Academies”. Tre nga anëtarët e saj janë në moshën nën 40 vjeç dhe do të rikonfirmohen nga komisioni në përbërjen e Akademisë së rithemeluar.
Anëtarësia e mëparshme do të ftohet të vazhdojë bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave në kuadër të komisioneve të përhershme dhe të strukturave të tjera të saj.
ASHSH-ja do të kryejë ndaj tyre detyrën e kujdesit në karrierë me të njëjtat përgjegjësi si zyrat e “Alumnit” në universitete.
Së shpejti komisioni do të shpallë vendimin e tij dhe pas kësaj do të organizohet ceremonia e konstituimit të Akademisë së ringritur të të rinjve. Ajo do të ketë statusin e një komisioni të përhershëm, mbështetje morale dhe intelektuale nga ASHSH-ja, një tribunë botimesh shkencore, si dhe një buxhet të arsyeshëm për veprimtari shkencore dhe pjesëmarrje në evente të rëndësishme.
Edhe
Raport lidhur me propozimin për të marrë pjesë në hartimin e projektit “Fjalor i madh i gjuhës shqipe”
Një nga dy sesionet e Asamblesë së Përgjithshme të “ALLEA-s”, që do të mbahet në muajin maj 2024 në Berlin, do t’i kushtohet veprimtarisë së akademive të të rinjve.