Themelimi i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 1975 (Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës) në dritën e disa dokumenteve arkivore të shtetit shqiptar, me rastin e 50-vjetorit të themelimit
Sapo e hap faqen zyrtare elektronike të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, njoftimi i parë që të shfaqet është ky: “Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës është institucioni më i lartë i shkencës dhe arteve, e themeluar më 20 dhjetor të vitit 1975 në Prishtinë, me ligj të veçantë të Kuvendit të Kosovës”. Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit institucioni i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës mbush 50 vjet. Të dhënat tregojnë se ky institucion erdhi si nevojë edhe e ndryshimeve kushtetuese që ndodhën në Kosovë në vitin 1974. Në vitin 1975, ky institucion ishte themeluar me emrin “Shoqata e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës”. Në këtë shkrim nuk do të bëjmë fjalë në lidhje me historikun e këtij institucioni, sepse nuk është qëllimi ynë në këtë rast, dhe nga të dhënat zyrtare ekzistojnë informacione në lidhje me të kaluarën e këtij institucioni.
Ajo që ne dëshirojmë të vëmë në pah në këtë përvjetor është prezantimi i themelimit të këtij institucioni në dritën e disa dokumenteve, të cilat i kemi hasur gjatë hulumtimeve tona, kryesisht në Arkivat e Shtetit Shqiptar. Nga të dhënat që në kemi në dispozicion nga dokumentacioni i hulumtuar, rezulton se njoftimi i parë në lidhje me hapjen e këtij institucioni është ai i fundvitit 1974, kur pedagogët e Tiranës, që kishin ardhur për të mbajtur ligjërata në Universitetin e Prishtinës, sipas marrëveshjeve që ekzistonin në mes të dy universiteteve asokohe, në institucionet përkatëse në Tiranë e dërgojnë edhe këtë informacion. “Këtë vit pritet të dalë vendimi mbi themelimin e një organizimi që do të kryente funksionimin e Akademisë së Shkencave. Mendohet që kryetar i ardhshëm i kësaj të jetë prof. Idriz Ajeti”. Tirana e asaj kohe këtë iniciativë e pret me rezerva, sepse e konsideronte si iniciativë të cytur nga jashtë, që mund ta marrë primatin e Tiranës, si qendër albanologjike. Siç edhe shihet, përpiluesi i informacionit e potencon se “Mendohet që kryetar i ardhshëm i kësaj të jetë prof. Idriz Ajeti”. Nga rrjedhat e mëvonshme të ngjarjeve në këtë institucion, del se kryetar i parë i këtij institucioni do të jetë Esad Mekuli. Nga të dhënat që kemi marrë nga dëshmitarët e kohës në Prishtinë, e potencojnë se emri i profesor Idriz Ajetit është përfolur mjaft si kryetar i mundshëm i këtij institucioni, por prof. Ajeti, siç dihet, do të jetë nënkryetar me rastin e themelimit, ndërsa në postin e kryetarit do të vijë pas Esad Mekulit.

Me fillimin e vitit 1975, edhe drejtuesit politikë në Kosovë e njoftojnë opinionin për themelimin e Shoqatës për Shkencë e Art të KSAK-së, siç e shkruanin ata në njoftim. Pajazit Nushi, më 1 shkurt të vitit 1975, e jep një intervistë për revistën “Zëri i rinisë” në Prishtinë, në cilësinë e nënkryetarit të Këshillit Ekzekutiv të KSA të Kosovës. Intervista në tërësi i kushtohet nismës për themelimin e këtij institucioni. Në pyetjen e gazetarit Ali Olloni se “formimi i institucionit më të lartë për shkencë dhe art tregon përgjithësisht mbërritjet e jashtëzakonshme në zhvillimin e të gjithë lëmenjve në trevën tonë. Cilat janë orientimet shkencore, artistike e kulturore të tij? Përgjigjja e Pajazit Nushit është kjo: “Aprovimi i ligjit për themelimin Shoqatës për Shkencë e Art të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe angazhimi për organizimin e punës shkencore e artistike në kuadër të saj shoqate objektivisht e manifeston nevojën e përgjegjësinë tonë për zhvillimin më intensiv ekonomik e social të Krahinës në bazë të intelektit krijues, të përbashkët e të përhershëm. Shoqata për Shkencë e Art e KSA të Kosovës, me karakterin e gjerësinë e veprimtarisë së saj, drejtpërsëdrejti e konstituon qenien tonë si subjekt krijues produktiv, të lirë e përherë aktiv, në gjurmimin e aktivizimin e kushteve produktive optimale. Mu për këtë arsye themelimi i Shoqatës për Shkencë e Art të KSA të Kosovës, duke i takuar momentit tejet të rëndësishëm për konceptimin e mëtejshëm të strategjisë e zhvillimit të gjithmbarshëm, me synimet e përgjithshme programore të saj, duhet të vlerësohet në bazë të kriterit themelor sipas të cilit veprimtaria e Shoqatës duhet ta sigurojë ekuilibrin e arritjeve të krijimtarisë së përhershme në shkencë e art, me synimin e përsosjes së përhershme të mendimit produktiv shkencor e krijimtarisë artistike” – thuhet në përgjigjen e Pajazit Nushit. Nga fillimi i vitit 1975, siç duket, si lajm ka qarkulluar mjaft në Prishtinë, prandaj edhe Tirana nga kjo kohë kishte edhe informacione më të bollshme në këtë drejtim.
Ndërsa informacioni tjetër në lidhje me këtë nismë në Prishtinë jepet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, e cila i referohet agjencisë së lajmeve “Tanjug” të Jugosllavisë së atëhershme, ku shkruan “Anëtarët e parë të Shoqërisë për Shkencën dhe Artin e Kosovës. Prishtinë, 7 tetor (Tanjug) – Komisioni bazë i shoqërisë për shkencën dhe artin e Kosovës zgjodhi në mbledhjen e sotme 11 anëtarët e parë të anëtarëve të rregullt dhe 2 anëtarë korrespondentë të kësaj shoqërie. Për këtë i njoftoi gazetarët akademiku Dushan Kanazir, kryetar i komisionit bazë. Anëtarët e rregullt të shoqërisë së shkencës dhe artit të Kosovës u zgjodhën: prof. dr. Ali Hadri dhe prof. dr. Bugomil Hrabak, të fushës së shkencave historike, prof. dr. Dervish Rozhaja i fushës së shkencave biologjike, dr. Esad Mekuli i fushës së letërsisë, prof. dr. Gazmend Zajmi nga fusha e shkencave politiko-ideologjike, prof. dr. Idriz Ajeti nga fusha e linguistikës, prof. dr. Jashar Rexhepagiq nga fusha e shkencave pedagogjike, prof. dr. Lubisha Rakiq nga fusha e shkencave biomedicinale, prof. dr. Rexhep Qosja dhe prof. dr. Vukashin Filipoviq nga fusha e shkencave mbi letërsinë dhe prof. dr. Suria Popoviq nga fusha e shkencave juridike. Si anëtarë korrespondentë të shoqërisë së shkencave dhe artit të Kosovës u zgjodhën prof. dr. Mynyr Dushi nga fusha e shkencave teknike dhe prof. dr. Mladen Karamani nga fusha e shkencave biologjike. Në mbledhjen e sotme të komisionit bazë të shoqërisë së shkencave dhe arteve të Kosovës, në të cilën u zgjodhën anëtarët e parë të kësaj shoqërie, ishin të pranishëm edhe Pajazit Nushi, nënkryetar i Veçës Ekzekutive të Skupshtinës së Kosovës dhe Fazli Sula, sekretar i Sekretariatit krahinor për arsimin, shkencën dhe kulturën. R.Sh/ATSh”.
Duhet të theksohet se kur flitet për themelimin e institucioneve kyç arsimore, shkencore, edukative në Kosovë, si: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës etj., pothuajse gjithkund na del emri i Fazli Sylës, ish-drejtues i Sekretariati Krahinor për Arsim, si kontribuues kyç në themelimin e këtyre institucioneve, por çuditërisht pak përmendet emri i tij në literaturë, apo aspak në shënimin e përvjetorëve të këtyre institucioneve.
Një muaj pasi ishte mbledhur Komisioni i Shoqatës në fjalë dhe kishte zgjedhur anëtarët e parë të këtij institucioni, në revistën “Zëri i rinisë”, më 29 nëntor të vitit 1975, do të shprehnin mendimet e tyre në lidhje me këtë nismë Esad Mekuli, Idriz Ajeti dhe Rexhep Qosja. Esad Mekuli kishte deklaruar për nevojën e zgjedhjes së kuadrit të aftë me qëllim të mbarëvajtjes sa më të mirë të punës në këtë institucion. Rexhep Qosja formimin e këtij institucioni e quan ngjarje të rëndësishme, ndërsa Idriz Ajeti, fitore të dorës së parë. Me një fjalë, elita intelektuale dhe politike në Prishtinë e pritën mirë formimin e këtij institucioni. Më datën 21 dhjetor 1975, e përditshmja “Rilindja” shkruante: “U bë konstituimi i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”. Sipas njoftimeve të shtypit, zgjedhja e kryesisë ishte bërë me vota të fshehta, me këtë përbërje: Esad Mekuli, kryetar; Idriz Ajeti, nënkryetar; Vuk Filipoviq, nënkryetar dhe Jashar Rexhepagiq, sekretar.
Në përvjetorin e parë të themelimit, drejtuesit e këtij institucioni ia dërgojnë një letër zyrtare Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore të Shqipërisë, siç quhej asokohe, në fund të vitit 1976, për urimin e Vitit të Ri. Letra dërgohet në emër të Kryesisë së Shoqatës së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe është e nënshkruar nga dr. Esad Mekuli, kryetar; prof. Idriz Ajeti, nënkryetar; prof. Vuk Filipoviq, nënkryetar dhe prof. Jashar Rexhepagiq, sekretar”. Letra është e shkruar në gjuhën shqipe, e rrahur me makinë shkrimi në dy faqe. Letrën po e botojmë në tërësinë e saj, sepse nga përmbajtja duket se është më shumë se një letër zyrtare urimi për Vitin e Ri. “Shoqata e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, nr. 196, dt. 31. XII. 1976 Prishtinë. Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë – Tiranë.

“Të dashur shokë, me rastin e Vitit të Ri – 1977, Ju shprehim në emër të Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përgëzimet tona më të sinqerta duke i uruar suksese të mëtejshme Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në punën e zhvillimit dhe të afirmimit të mendimit të saj shkencor. Me këtë hov Ju shprehim falënderimet tona për nderimin që përfaqësuesit e Akademisë Suaj na bënë duke marrë pjesë në Mbledhjen Solemne të Shoqatës sonë. Ndërmjet Shoqatës sonë dhe Akademisë Suaj shtrihen fusha të gjera bashkëpunimi të vazhdueshëm dhe të gjithanshëm, gjë që – shprehim bindjen, do të përftojë dobi pozitive për të dyja palët. Ka shumë tema dhe çështje shkencore që kërkojnë konsultime si dhe kërkime të përbashkëta shkencore, gjë që më parë s’kanë munguar. Kemi parasysh realizimet shkencore dhe shumë çështje të pazgjidhura në fushën e studimeve albanologjike dhe mundësitë e këmbimit të mendimeve dhe të bashkëpunimit në lëmin e shkencave të natyrës, të mjekësisë dhe të shkencave të tjera. E quajmë shumë të dobishëm edhe këmbimin e botimeve tona si dhe pjesëmarrjen në takimet shkencore. Shpreh bindjen si viti i ardhshëm 1977 do të jetë vit i bashkëtakimeve ndërmjet Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe të Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ju dërgojmë përshëndetjet tona më të ngrohta dhe urimet më të mira. Kryesia e Shoqatës së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Dr. Esad Mekuli, kryetar; Prof. Idriz Ajeti, nënkryetar; Prof. Vuk Filipoviq, nënkryetar dhe Prof. Jashar Rexhepagiq, sekretar”.
Është interesante të potencohet se në këtë letër shkruhet, siç thonë ata, “për nderimin që përfaqësuesit e Akademisë Suaj na bënë duke marrë pjesë në Mbledhjen Solemne të Shoqatës sonë”. Kjo tregon se Shqipëria kishte dërguar përfaqësuesit e tyre në këtë ngjarje.
Siç edhe dihet nga të dhënat zyrtare, Shoqata e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, përmes Ligjit mbi themelimin e Akademisë, që u aprovua nga Kuvendi i atëhershëm i Kosovës, i datës 18 prill 1978, u shndërrua me emrin zyrtar në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, emër të cilin e mban edhe sot e kësaj dite. Edhe me këtë rast Tirana ishte njoftuar për këtë nismë disa muaj më herët, në fund të vitit 1977, me këtë përmbajtje: “Mbas 3 muajve do të krijohet Akademia e Shkencave të Kosovës, e cila duhet të konsiderohet si një ngjarje e rëndësishme që i shërben afirmimit të mëtejshëm të popullsisë shqiptare”, shkruan në mes tjerash në këtë njoftim.
Nga burimet dhe studimet e deritanishme mbi marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë në vitet ‘70, shihet qartë se Tirana ishte e interesuar të ndiqte nga afër zhvillimet kulturore e shkencore të shqiptarëve në Jugosllavi. Themelimi i Shoqatës së Shkencave dhe Arteve të Kosovës më 1975 ishte pjesë e këtij interesi. Tirana u informua për nismën përmes pedagogëve të angazhuar në Prishtinë dhe përmes shtypit jugosllav, të cilit i referohej së shpeshti Agjencia Telegrafike Shqiptare. Por, ajo që vlen të theksohet është pjesëmarrja zyrtare e përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Mbledhjen Solemne të themelimit të Shoqatës së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Megjithatë, institucionet shqiptare të kohës e shikonin me rezervë themelimin e këtyre institucioneve në Prishtinë, duke e konsideruar si një formë reciprociteti të papëlqyer dhe duke pasur frikë nga një mundësi e primatit të Prishtinës në fushat albanologjike, të nxitur nga faktorë të jashtëm.