Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Rithemelohet Akademia e të Rinjve në Shqipëri

Akademia

Aulon Shabani (elektroteknikë), Erald Sino (financë), Joniada Barjaba (sociologji), Jonilda Llupa (kimi),  Klaudio Peqini (fizikë), Ledia Vasjari (biologji), Redion Luli (drejtësi) Resul Telaj (gjuhësi) dhe Romina Muka (informatikë) janë anëtarët e rinj

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka rithemeluar Akademinë e të Rinjve në përputhje me kriteret bazë të Statutit dhe Kartës themelore të “ALLEA-s” – Federata Evropiane e Akademive.

Thirrjes së Akademisë së Shkencave për pjesëmarrje në konkurs i janë përgjigjur 13 kandidatë. Kërkesat me karakter shkencor si mbrojtja e doktoratës, veprimtaria botuese e vlerësimi nga njësia e kërkimit shkencor janë plotësuar nga të gjithë. Shumica e kandidatëve kanë artikuj të indeksuar në platforma e baza ndërkombëtare të dhënash si “Research Gate”, “Google Scholar”, duke përfshirë platformën “Scopus”. Profili i tyre intelektual sipas komisionit është mbresëlënës.

Kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi, në fjalën e tij të hënën, e konsideroi Akademinë e të Rinjve si një freski që do të ndihmojë Akademinë e Shkencave në arritjen e objektivave të saj, tashmë në kushte të tjera.

Aulon Shabani (elektroteknikë), Erald Sino (financë), Joniada Barjaba (sociologji), Jonilda Llupa (kimi),  Klaudio Peqini (fizikë), Ledia Vasjari (biologji), Redion Luli (drejtësi) Resul Telaj (gjuhësi) dhe Romina Muka (informatikë) janë anëtarët e rinj.

Ringritja e Akademisë së të Rinjve e Shqipërisë është detyrim ndaj Ligjit për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë dhe ndaj Statutit të saj që të funksionojë sipas kornizës së re juridike.

Gjithashtu ALLEA ka miratuar një “Kartë të re themelore” si rregullatore njësuese e mënyrës së ngritjes dhe funksionimit të akademive të të rinjve e cila, me disa përshtatje, është miratuar nga Asambleja e ASHSH si statut i saj. Ndërkohë në respekt të kufirit të moshës deri në 40 vjeç, vetëm tre nga anëtarët themelues të Akademisë së të Rinjve mund të vazhdonin më tej anëtarësinë, duke mos pasur juridikisht mundësi për të marrë vendime.