Arbëri

Agjencia e Kosovës për Akreditim rikthehet si anëtare me të drejta të plota në EQAR

eqar

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), pas vlerësimit pozitiv nga ekipi i pavarur i ekspertëve të Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë (ENQA).

Sipas njoftimit të AKA, në letrën zyrtare të cilën, të hënën presidenti i EQAR-it, Stéphane Lauwick i ka dërguar drejtorit të Përgjithshëm të AKA-së, thuhet: “I nderuar z. Naim Gashi, Komiteti i Regjistrit ka shqyrtuar aplikimin tuaj të datës 02.02.2024 për (riperfshirjen) në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Aplikimi juaj është aprovuar dhe përfshirja juaj do të jetë e vlefshme deri më 31.12.2029. Ju lutem pranoni urimet e mia për aplikimin tuaj të suksesshëm dhe përgëzimet e mia të përzemërta për punën tuaj në emër të të gjithë anëtarëve të Komitetit të Regjistrit”.

EQAR është institucioni më i lartë evropian që regjistron agjenci të cilat veprojnë në përputhje me standardet evropiane për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë (ESG).

“Anëtarësimi në EQAR përfaqëson një njohje ndërkombëtare të punës së palodhshme dhe të përkushtuar të AKA-së në përmbushjen e standardeve më të larta evropiane, duke rritur ndjeshëm kredibilitetin dhe besueshmërinë e sistemit të arsimit të lartë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se si rezultat, diplomat e studentëve kosovarë do të kenë vlefshmëri të garantuar dhe të njohur ndërkombëtarisht, si në kuptimin akademik ashtu dhe profesional në të gjithë Evropën dhe më gjerë, pasi që regjistrimi në EQAR është tregues se diploma vjen nga një program ose institucion që përmbush standardet rigoroze të cilësisë, duke siguruar studentët dhe punëdhënësit për vlerën e diplomës.

Nga ana tjetër, institucionet e arsimit të lartë në vend do të kenë qasje të plotë në programe të Bashkimit Evropian në fushën e arsimit, mundësinë për njohjen ndërkombëtare, partneritete, financim, tërheqje studentësh dhe zhvillim të vazhdueshëm.

Me anëtarësimin në EQAR, AKA bëhet institucion kredibil, jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtarë, pasi që në kuptimin e cilësisë është e barabartë me agjenci tjera për të vlerësuar institucione të arsimit të lartë nëpër Evropë dhe më gjerë.

“Pas pranimit të vendimit për anëtarësimin e AKA në EQAR Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, prof. Hasnije Ilazi, potencoi se Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që arrin anëtarësimin në këtë institucion ndërkombëtar. “Ky është një sukses nacional dhe një arritje kolosale për studentët dhe të diplomuarit kosovarë, pasi që diplomat e tyre tashmë bartin vulën e cilësisë evropiane. Kjo rrit imazhin dhe kredibilitetin e Kosovës si vend me arsim të lartë në përputhje me standardet e BE-së”, citohet Ilazi në komunikatë.

Drejtori i Përgjithshëm i AKA-së, Naim Gashi, theksoi se ky sukses është rezultat i një procesi të gjatë. “Në vitin 2020 hartuam planin për përmbushjen e 14 standardeve. Pas anëtarësimit si affiliate në ENQA në shtator 2022 dhe pas aplikimit zyrtar për EQAR në dhjetor 2023, më 1 korrik 2024, një ekip prej pesë ekspertësh ndërkombëtarë vizitoi Kosovën dhe dha një vlerësim pozitiv,” tha Gashi.

Kryetarja Ilazi dhe drejtori Gashi falënderojnë për përkrahje Bordin e AKA-së, stafin profesional, Ministren e Arsimit znj. Arbërie Nagavci, Qeverinë, Kuvendin, shoqërinë civile, donatorët dhe agjencitë partnere ndërkombëtare që mbështetën këtë proces, në mënyrë të veçantë agjencitë homologe nga Kroacia, Austria dhe Gjermania.

Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) në vitin 2018 kishte marrë vendim që ta përjashtojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).

Agjencia e Kosovës për Akreditim ishte bërë pjesë e ENQA-s në vitin 2014 si anëtare me të drejtë të plota për një periudhë 5-vjeçare. ENQA fillimisht ia kishte zbritur statusin Agjencisë nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim për shkak të ndërhyrjeve politike në këtë institucion.

Kjo pasi, në shtator të vitit 2017, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi me kërkesë të kryeministrit, Ramush Haradinaj e shkarkoi bordin e Agjencisë dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të këtij institucioni.

Për shkak të kësaj ndërhyrjeje, edhe Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) e përjashtoi Agjencinë me arsyetimin se e ka humbur autonominë.