Shtojca për Kulturë

Gërshetimet e niveleve të ndryshme në bashkëpunimin shkencor

shke

Pallati i Akademive, Bruksel

Unioni Akademik Ndërkombëtar synon të krijojë një bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet akademive të tij anëtare. Në këtë mënyrë, Unioni u ofron anëtarëve mundësinë për t’u takuar dhe për të bashkëpunuar në projekte afatmesme dhe afatgjata, si dhe për t’u bërë pjesë e lëvizjes së gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare të kërkimit shkencor. Prej 12 deri më 15 tetor në Akademinë e Shkencave dhe Letërsisë të qytetit Mainz, në Gjermani u mbajt Asambleja e Përgjithshme të UAI-së

Unioni Akademik Ndërkombëtar (UAI) u themelua në vitin 1919 me seli administrative në Bruksel të Belgjikës, në Pallatin e Akademive. Kjo shoqatë bashkon akademi kombëtare dhe ndërkombëtare nga më shumë se shtatëdhjetë vende të ndryshme të botës. UAI është aktive kryesisht në fushën e shkencave humane dhe shoqërore.

Ky Union i akademive ka kontribuar në nisjen, mbështetjen dhe financimin e pothuajse 100 projekteve ndërkombëtare në fushën e shkencave humane. Projektet kryesore kërkimore të nxitura ose të sponsorizuara nga UAI janë kërkime të gjera shkencore, fjalorë, leksik ose glosarë shkencorë, katalogë e atlase gjuhësore ose historike, si dhe botime kritike të veprave të plota ose të teksteve të rralla. Frëngjishtja dhe anglishtja janë gjuhët zyrtare të Unionit.

Raporti i konferencës së dytë të UAI-së, e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Parisit më 15–18 tetor 1919, kishte marrë parasysh një numër të madh propozimesh për kërkime dhe botime të paraqitura nga delegatët e pranishëm. Ndër projektet e para të miratuara përfshihen nisma të shquara si “Corpus vasorum antiquorum”, “Tekstet alkimike”, “Fjalori i latinishtes mesjetare”, “Tabula Imperii Romani” dhe “Corpus Philosophorum Medii Aevi”, nisma që kanë prodhuar vepra të admirueshme dhe kërkimet e të cilave vazhdojnë edhe sot.

Gjatë vitit 1976 u vendos — për arsye praktike — që projektet e sponsorizuara nga UAI të grupohen sipas gjashtë seksioneve tematike, të cilat quhen: Gjuhët dhe letërsitë evropiane, Bota greko-romake, Studimet orientale, Historia e civilizimeve, Historia e mendimit dhe Historia e artit.

Që nga viti 2004, vlerësimi i zhvillimit të çdo projekti në vazhdim kërkon, çdo dy vjet, një rishikim të shkurtër dhe çdo gjashtë vjet, një raport të plotë që i nënshtrohet vlerësimit nga ekspertë të pavarur. Megjithatë, “karakteri ndërkombëtar i kërkimeve” në UAI-së, ashtu siç e dëshironin themeluesit e saj, është provuar që nga fillimi si i pazëvendësueshëm, e po ashtu edhe liria e dhënë projekteve të sponsorizuara për t’u zhvilluar në afat të gjatë.

Me 13 tetor të këtij viti, paradite u hap sesioni i parë i UAI-s në qytetin Mainz të Gjermanisë. Midis 12 dhe 15 tetor mora pjesë, si përfaqësues i AShAK-ut, në Asamblenë e Përgjithshme të UAI-së, e cila u mbajt në Akademinë e Shkencave dhe Letërsisë të qytetit Mainz, në Gjermani.

Presidenti i deritashëm i UAI-së, profesori dr. Klaus Herbers u dëshiroi mirëseardhjen delegatëve nga vendet anëtare. Në vijim, prof. Dr. Roland Kehrein, zëvendëssekretari i përgjithshëm i Akademisë së Shkencave dhe Letërsisë në qytetin Mainz, i përshëndeti delegacionet e UAI-së dhe u dëshiroi punë të mbarë. Presidenti Herbers e paraqiti raportin e hollësishëm të aktiviteteve shkencore të UAI-së në dy vjetët e fundit. Ndërkaq, z. Jean-Luc De Paepe, zëvendëssekretar i përgjithshëm paraqiti raportin e aktiviteteve administrative dhe të bashkëpunimit me akademitë e vendeve anëtare të UAI-së. Pasdite u prezantuan analizat dhe vlerësimet e raporteve mbi projektet dyvjeçare dhe gjashtëvjeçare. Ndërkaq në vijim u votuan raportet shkencore të delegacioneve. Pas një pauze, u zhvilluan diskutime për statutet e reja të UAI-së.  Pasdite u prezantuan analizat dhe vlerësimet e raporteve mbi projektet dyvjeçare dhe gjashtëvjeçare. Ndërkaq në vijim u votuan raportet shkencore të delegacioneve.

Më 14 tetor u zhvilluan disa ligjërata, kryesisht të akademikëve gjermanë e njëherësh një diskutim lidhur me qëndrimet e zhvilluara në projektet e tyre. Pas një pauze, u zhvilluan diskutime për statutet e reja të UAI-së. Në vijim u vunë në votim statutet e reja të UAI-së, sikurse edhe grantet shkencore për periudhën dyvjeçare 2026-2027. Pastaj u zhvillua një debat për listën e kandidatëve për Kryesinë e re të UAI-së: anëtarët, nënkryetari dhe kryetari.

Unioni synon të krijojë një bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet akademive të tij anëtare. Në këtë mënyrë, Unioni u ofron anëtarëve mundësinë për t’u takuar dhe për të bashkëpunuar në projekte afatmesme dhe afatgjata, si dhe për t’u bërë pjesë e lëvizjes së gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare të kërkimit shkencor.

Qëllimi i Unionit është të inkurajojë bashkëpunimin në përparimin e studimeve, përmes kërkimeve të përbashkëta dhe botimeve kolektive në fushat e shkencave humane dhe shoqërore që kultivohen nga akademitë dhe institucionet e përfaqësuara në kuadër të UAI-së: filologji, arkeologji, histori, shkenca morale, shkenca politike dhe shkenca shoqërore. Unioni punon për të promovuar përparimin e dijes, zhvillimin e shkëmbimeve shkencore dhe për të mbështetur nismat e të gjitha Akademive të tij. Për ta evituar mbylltësinë dhe varfërimin e vullnetit për të njohur.

 Dhuratën time për bibliotekën e Akademisë së Shkencave dhe Letërsisë të qytetit Mainz, ia dorëzova akademikut Klaus Herbers

Anëtarësimi i ASHAK-ut në UAI

ASHAK u anëtarësua në këtë Union me peshë ndërkombëtare, para pesë vjetësh, në Asamblenë e përgjithshme, e cila u mbajt në Tokio. Mora pjesë në këtë asamble, si i deleguar i AShAK-ut, në saje të mbështetjes së Akademisë franceze AIBL e në veçanti të Kryetarit të saj Akademikut Michel Zink, e themeluar nga mbreti Luigji XIV, më 1663. Me Kryetarin Michel Zink kam pasur komunikime të rregullta në Paris, si ambasador i Kosovës në Francë por edhe si ligjërues në Universitetin Paris 8 në Departamentin e filozofisë.

Anëtarësimi i ASHAK-ut në UAI, megjithatë nuk doli si punë e thjesht dhe formale. Para fillimit të asamblesë në Tokio, Kryetari i atëhershëm z. Anderson, më njoftoi se në seancën e votimit do të kemi probleme me Akademitë e Rusisë, Kinës e Serbisë; ai megjithatë saktësoi se duke e marrë parasysh mbështetjen e fortë që kemi nga Akademia Franceze (AIBL), është gati e sigurt se do të anëtarësohemi. Kështu edhe ndodhi.

Në vijim të punës së Asamblesë së përgjithshme në Mainz, u zhvilluan diskutime edhe për disa projekte: historia krahasuese e letërsive të gjuhëve evropiane, shkalla e realizimit të disa projekteve, si fjalori i  latinishtes mesjetare, fjalori i termave letrare ndërkombëtare, fjalori në gjuhen spanjolle të termave letrare ndërkombëtare e të tjera.

Pasdite u zhvilluan votimet e Kryesisë së re të UAI-së. Kryetarja e UAI-së, me shumicë të votave u zgjodh profesoresha nga Italia zonja Luisa Migliorati, arkeologia që merret me periudhën klasike të Romës antike.

Me profesoreshën Migliorati, në vitet e kaluara, kam pasur bashkëpunim të mirë shkencor. Veç tjerash, i kemi botuar dy artikuj të saj në revistën tonë “Studime shoqërore”. Më parë ia kam dërguar disa botime të AShAK-ut nga fusha e shkencave shoqërore dhe e arteve.

Ngjashëm, në komunikimin me ish-kryetarin e UAI-së profesorin Herbers, e njoftova për botimet shkencore të AShAK-ut nga fushat e gjuhësisë, historisë dhe filozofisë. E njëherazi edhe për konferencat tona shkencore në të cilat kemi ftuar akademikë nga vende të ndryshme evropiane. Me këtë rast ia dorëzova z. Herbers një ekzemplar të librit tim të fundit “Rimendimi i filozofisë nga Nietzsche”, në të cilin është edhe një rezyme në gjuhën franceze, për bibliotekën e Akademie der Wissenschaften und der Literatur e qytetit Mainz, me të cilën ai bashkëpunon ngushtë. Profesorit Herbers i erdhi mirë për këtë dhuratë. Në këtë libër tim të porsabotuar, një fill i kuq, që ka drejtuar kërkimet e mia gjatë leximit të veprave të Nietzsches (Niçes), e më vonë gjatë përgatitjes së ligjëratave në Universitetin Parisi 8 (1991-2017), mbi tema të ndryshme të filozofisë dhe gjatë debateve që janë zhvilluar në konferenca kushtuar mendimit nietzchean. Këtu kam vënë në pah risinë dhe origjinalitetin e rimendimit dhe riformulimit të çështjeve filozofike nga Nietzsche. Këto kërkime mbi mëvetësinë e pikëpamjeve të Nietzsches i kam zhvilluar në saje të hulumtimit të koncepcioneve kryesisht të filozofëve francezë e gjermanë, kushtuar mendimit të tij. Kësodore, në fillim kam pasur parasysh disa interpretime pertinente të koncepcioneve të Nietzsches te Philippe Reynaud, filozof francez dhe Peter Puts, filozof gjerman, studiues të shquar të mendimit filozofik të Nietzsches.

Sqarova se raportin tim me mendimin e Nietzsches e kam ndërtuar, gjatë viteve, me leximin e veprave të tij në gjuhen franceze, të përkthyera kryesisht nga Henri Albert, Jean Lacoste dhe Jaques le Rider. Por njëherësh edhe veprat e filozofëve grekë e romakë i kam lexuar në gjuhën franceze. Ndonëse përkthimet e Platonit, Aristotelit, ose Epikurit, në gjuhën kroate kishin një nivel të lakmueshëm, sikurse edhe veprat e filozofëve gjermanë, qysh nga vitet e para të studimeve të mia në Universitetin e Zagrebit, ku studioja paralelisht filozofinë dhe letërsinë franceze, ato vepra i kam lexuar në gjuhën franceze. Kësodore, niveli i lartë i përkthimeve në gjuhën franceze të veprave filozofike të mendimtarëve gjermanë e italianë, më ndihmuan të hapem ndaj koncepcioneve të tyre. Në këtë drejtim gjeta mbështetje edhe te niveli i lartë i Shkollës filozofike të Zagrebit, e cila çmohej si qendër e rëndësishme ndërkombëtare e studimeve filozofike, jo vetëm nga universitetet e vendeve të Evropës Perëndimore por edhe nga ata të SHBA-së. Në Departamentin e Filozofisë në Universitetin e Zagrebit ligjëronte edhe një studiues i shquar i mendimit filozofik të Nietzsches, profesori Danko Grliq. Njëherazi, e njoftova profesorin Herbers se gjatë ligjërimeve të mia në Departamentin e Filozofisë në Universitetin Parisi 8, gjatë 26 vjetëve (1991-2017), mbi tema të ndryshme të filozofisë evropiane, pesë vjet ia kam kushtuar çështjeve të filozofisë së Nietzsches. Veç studentëve francezë, kishte studentë edhe nga vende të tjera evropiane, përfshirë edhe atyre nga universitetet gjermane.

 Akademia e Shkencave dhe Letërsisë në Mainz

Nietzsche dhe letërsia franceze

Në numrin tematik të revistës “Littérature et philosophie” (Paris,1992, f., f.85-101) profesori i shquar i letërsisë franceze Jacques le Rider (Université de Paris 8) botoi artikullin kushtuar Nietzsches. Në hyrje të këtij studimi, Jacques le Rider thekson se për përhapjen e ndikimit të filozofisë së Nietzsches në Francë meritë kryesore kishte vetë Nietzsche, përkatësisht veprat e tij, me disa ribotime në gjuhën franceze. Kurse Geneviève Bianquis, në librin e saj “Nietzsche në Francë, mendon se një para-nitzcheanizëm e kishte përgatitur udhën për përhapjen e ideve dhe koncepcioneve filozofike të tij në Francë. Mirëpo, Le Rider e konsideron si të pasaktë këtë tezë; ai mendon se vet Nietzsche “me njohurinë e tij të thellë të letërsisë dhe filozofisë franceze, ishte asimiluar vetë brenda kulturës franceze”, siç thekson edhe njeri nga botuesit e veprave të Nietzsches në gjuhën franceze, Mazzino Montinari.

Rider dhe Montinari vënë në pah qëndrimet e shpeshta të Nietzsches në qytetin Nice gjatë gjashtë viteve radhazi (1883-1888). Nga dimri 1883-1884 Nietzsche hulumton në letërsinë franceze bashkëkohore, në veçanti, tekstet dhe teoritë mbi dekadencën. Ai kishte parasysh një projekt për historinë e nihilizmit evropian; temën e pesimizmit e në veçanti pesimizmin letrar; autorët francezë që i zbulon asokohe: Théophile Gautier, Gustave Flaubert, vëllezërit Goncourt, Maupassant, Mérimée, Sainte-Beuve, Taine et Renan dhe veprat e Baudelaireit. Nietzsche e ka çmuar edhe librin e Paul Bourget “Ese mbi psikologjinë bashkëkohore”, 1881.

Në vijim të bisedës e njoftova akademikun Herbers për rëndësinë dhe ndikimin e disa albanologëve gjermanë mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe, në Kosovë dhe Shqipëri. Kësodore, Wilfried Fiedler e mori këtë detyrë pasi kishte përfunduar studimet në fushën e gjuhëve sllave dhe të filologjisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Berlinit. Pikërisht në vitet ‘50 ai filloi të interesohej për gjuhën shqipe. Një tjetër nga talentet e tij do të ishte arsyeja pse shqipja do të bëhej pjesë e studimeve të tij në të ardhmen, duke u bërë kështu një nga albanologët gjermanë më të talentuar. Ai interesohej për muzikën dhe ishte gjithashtu mjeshtër i oboas. Fiedler filloi të mësonte shqipen pasi ishte ftuar të bashkëpunonte në studimin e këngëve çame. Ai mori pjesë bashkë me Erich Stockmann në ekspeditën e Shqipërisë. Në biografinë që ASHAK-u e dërgoi me rastin e njoftimit të vdekjes së tij, thuhet se që nga viti 1959, Fiedler ishte profesor i gjuhës, letërsisë dhe folklorit shqiptar në Berlin. Në atë kohë Republika Demokratike e Gjermanisë, si një vend komunist brenda Bashkimit Sovjetik, bashkëpunonte me Shqipërinë komuniste të asaj kohe.

I njoftova kolegët gjermanë se Fiedler qëndroi në Shqipëri për qëllime kërkimore që nga viti 1955. Në vitin 1961, ai mori doktoratën në fushën e ballkanologjisë në Universitetin Humboldt. Fiedler ishte bashkëpunëtor shkencor në Komisionin e Gjuhësisë (1963–1967) dhe në Institutin e Gjuhëve dhe Kulturës Romane të Akademisë Gjermane të Shkencave në Berlin (1967–1968).
Së bashku me Oda Buchholz, ai udhëhoqi grupin kërkimor për studimet ballkanike në kuadër të Institutit Qendror të Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave të Republikës Demokratike Gjermane në Berlin (1968–1988). Në vitin 1988 ai mbrojti tezën e habilitimit në fushën e albanologjisë në Universitetin Humboldt. Nga viti 1989 deri më 1998, ai ishte profesor i albanologjisë në Universitetin “Ludwig-Maximilian” të Münichut. Në vitin 1991, u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).

Vepra e tij e fundit, gjithashtu e botuar nga AShAK, në vitin 2018, është “Gramatika krahasuese e gjuhëve ballkanike”, pjesa I, “Sistemi foljor”, me 826 faqe në gjuhën gjermane – një nga kryeveprat e ballkanologjisë. Fiedler përktheu gjithashtu vepra të letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, ndër të cilat “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe romane të Ismail Kadaresë, si dhe poezi të Martin Camajt dhe Ali Podrimjes. Ai ishte profesor i jashtëm i gjuhës shqipe në Institutin e Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit “Friedrich Schiller” të Jenës.

Kolegët e Akademive gjermane i kam njoftuar edhe për veprimtarinë botuese të akademik Hivzi Islamit, në veçanti nga fusha e kërkimeve gjeopolitike. Njëherazi u kam folur edhe për botimet e akademik Rexhep Ismajlit, në veçanti nga fusha e linguistikës e njëherësh edhe për botimet e akademik Eqrem Bashës nga fusha e teatrit dhe dramaturgjisë. Në librin kushtuar mendimit filozofik të Nietzsches, kemi botuar edhe dhjetë poezi të tij, të përkthyera nga gjermanishtja në gjuhën shqipe nga akademik Rexhep Ismajli.