Nata e parë e festivalit “FemArt” ka nisur me energji të gjalla dhe atmosferë elektrizuese nga “Shkodra elektronike”, që ka sjellë jo vetëm një koncert, por një ngjarje që tejkalon kufijtë e muzikës. “Çliroje mendjen” është motoja e edicionit të sivjetmë të festivalit, e ajo që ka shpalosur dyshja që me “Zjerm” përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision” ka qenë spektakël i zjarrtë si bashkëdyzim të së vjetrës me të renë, këngë të traditës shqiptare të veshura me ritme moderne elektronike
Në një kohë kur zërat shpesh mbeten të burgosur në mendësi të vjetra, festivali feminist “FemArt” ka ardhur si një ftesë për t’i thyer heshtjet dhe për ta çliruar mendjen. Me moton “Çliroje mendjen”, festivali feminist ndërkombëtar në edicionin e 13-të sjell përmes artit – në të gjitha format e tij – një thirrje për liri, barazi dhe imagjinatë të pakufishme. Në këtë hapësirë ku skena bëhet vend për rezistencë, reflektim dhe rritje kolektive, artistet dhe aktivistet nga vende të ndryshme kanë bashkuar forcat për ta riformësuar mënyrën si mendohet, ndihet dhe veprohet.
Nata e parë e festivalit “FemArt” ka nisur me energji të gjalla dhe atmosferë elektrizuese në “AMC Hall” në Obiliq, ku publiku është mbledhur për të përjetuar jo vetëm një koncert, por një ngjarje që tejkalon kufijtë e muzikës. Performanca e “Shkodrës elektronike” ka sjellë një bashkëdyzim të së vjetrës me të renë, këngë të traditës shqiptare të veshura me ritme moderne elektronike, duke shndërruar skenën në një udhëtim poetik përmes zërit, kujtesës dhe revoltës. Publiku ka reaguar me entuziazëm, duke i dhënë festivalit një nisje të fuqishme dhe të denjë për misionin që përçon.
“Liria nuk është vetëm një ideal – është një proces i dhimbshëm, por i bukur. Është ballafaqimi me veten. Është rikthimi tek ajo që jemi para se të na thoshin si duhet të jemi. Është akti i të krijuarit në mes të rrënojave, i të folurit kur të gjithë heshtin”, ka thënë themeluesja dhe drejtoresha ekzekutive Zana Hoxha, në fjalën hyrëse të hapjes së edicionit të 13-të të festivalit ndërkombëtar feminist “FemArt”.
E si për t’i dhënë zë të fuqishëm kësaj nisme, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, për të shënuar edhe Ditën e Çlirimit të kryeqytetit, të hënën mbrëma është mbajtur koncert nga përfaqësuesit e sivjetmë të Shqipërisë në “Eurovision”, “Shkodra Elektronike”.
Hapja e natës së parë është shndërruar në një spektakël të përndezur emocionesh, ku zëri arkaik i polifonisë shqiptare është bashkuar me ritmet bashkëkohore të muzikës elektronike, duke krijuar një përvojë të papërsëritshme për publikun. Festivali ka nisur me Korin Isopolifonik Shqiptar, për t’u ndjekur nga një hyrje “teatrale” e Beatriçe Gjergjit, anëtare e dyshes, e cila me duvak të zi dhe me zë të fortë poetik e ka hapur koncertin me vargjet “Po ti, po ti shkëlqen si gjak i zi”.
Mbrëmja ka vazhduar si një udhëtim muzikor mes këngëve të reja dhe motiveve tradicionale të përpunuara, ku tingujt e këngëve si “Turtulleshë”, “Po t’jemi bashkë ne të dy”, “Pasha sytë e ballit, m’u dogj zemra për djalin”, “Vaj si kenka ba dynjaja”, “Taksirat që m’ka xanë mu” e deri te himni ritmik “Jam malësor elektronik”, kanë sjellë një frymë të re mbi Shkodrën dhe trashëgiminë e saj muzikore. Në një ndërthurje të kujdesshme të zërit të grave, tingullit të gurit, stuhisë së ndjenjave dhe teknologjisë moderne, “Shkodra elektronike” ka ngjallur jo vetëm entuziazëm, por një vetëdije të thellë mbi fuqinë e trashëgimisë kur ajo çlirohet nga forma të reja.
Përveç këngëve të përpunuara shkodrane, dyshja ka performuar edhe këngën përfaqësuese të “Eurovisionit” “Zjerm”, si dhe këngë të albumit të ri, disa prej tyre të papublikuara dhe të kënduara për herë të parë për publikun në Kosovë. Ndër to janë këngët si “Askund”, “Stuhi”, “Ipkida” “Deri n’fund” dhe “E lirë”, e me kërkesën e zhurmshme të audiencës krejt në fund ata e kanë performuar edhe një herë këngën “Zjerm”.
Pas performancës elektrizuese të “Shkodrës elektronike” emocionet janë ndarë edhe me fjalë nga organizatorë, mysafirë dhe nga vetë artistët. Zana Hoxha, drejtoresha ekzekutive e “FemArt”, e ka përshkruar natën hapëse si një thyerje të paragjykimeve që shpesh i rrethojnë festivalet feministe, duke e cilësuar koncertin si shembull të fuqishëm të bashkëpunimit dhe diversitetit.
“Hapje spektakolare, domethënë e paimagjinuar, sepse festivalet feministë e kanë atë paragjykimin e vet dhe e kemi thyer sonte, natyrisht me një bend i cili ndan mesazhe shumë të ngjashme me ne. Jam jashtëzakonisht e lumtur që kemi pasur privilegjin ta kemi ‘Shkodrën elektronike’, por edhe ta shënojmë këtë ditë të çlirimit të Prishtinës bashkë me Komunën e Prishtinës dhe ‘FemArt’”, ka thënë drejtoresha Hoxha pas përfundimit të koncertit. Për të, është shumë e rëndësishme të bashkëpunohet në vend të ndasive, andaj ka treguar se është shumë falënderuese ndaj publikut që ka zgjedhur ta kalojë mbrëmjen e së hënës me tingujt e “Shkodrës elektronike”.
“Unë jam besimtare dhe ithtar e madhe e partneriteteve. Unë nuk besoj në ndasi, besoj në bashkim dhe bashkimi e diversiteti janë vlera të ‘FemArtit’, kështu që sonte kjo natë ishte me të vërtetë ai shembulli më i mirë i diversitetit dhe i bashkëpunimit dhe na ka nderuar ‘Shkodra elektronike’, por jashtëzakonisht shumë na ka nderuar publiku, ka qenë një publik, i cili ka zgjedhur që të hënën ta kalojë këtu, pra nuk është një publik që vjen për hatër, qysh ndodh në hapje të festivaleve”, ka shtuar ajo.

Ka treguar se ky edicion do të përmbajë më shumë koncerte sesa herët e kaluara. Në mesin e serisë së koncerteve ka qenë edhe ai i Ansamblit të Liburn Jupollit, i cili është mbajtur të martën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që ka ardhur si premierë evropiane, pas asaj në Kore të Jugut.
“Vjen këtu një shfaqje që quhet ‘Tales of Scapes’, pastaj kemi konferenca, diskutime, kemi një koncert në mbyllje të ‘FemArtit’ te ‘Hani i 2 Robertëve’, një koncert punk-rock me dy artiste të supertalentuara franceze”, ka thënë Zana Hoxha.
Ndërkohë vetë anëtarët e “Shkodrës elektronike” janë shprehur të përmalluar nga mikpritja dhe reagimi i publikut kosovar i cili, sipas tyre, e kupton dhe e këndon me dashuri çdo fjalë, duke bërë që natën ta përjetojnë si një dhuratë të paharrueshme.
“Publiku kosovar gjithmonë na ka surprizuar për të mirë, gjithmonë ka qenë më mirë sesa e imagjinonim më përpara, një dashni e një dhuratë që nuk do ta harrojmë”, kanë thënë për KOHËN anëtarët e dyshes muzikore, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca. Për ta sinkronizimi i publikut me këngët është “shumë fantastik”. “Shkodra elektronike” në dhjetor të vitit 2022 ishte në Prishtinë e në verën e vitit 2023 edhe në “Autostrada Biennale” në Prizren.
“Po, disa këngë nuk janë hala në listë, do t’i publikojmë kah fundi i vitit nja dy-tri, e sonte kemi bërë këngë shkodrane plus këngë të reja. Një gjë fantastike që ka ndodhur sonte është që djemtë dhe vajzat që kanë qenë aty me ne nuk e kanë kënduar vetëm ‘Zjerm’, por kanë kënduar edhe këngë që kanë dalë para disa javësh dhe kjo gjë ka qenë fantastike”, kanë shtuar ata. Për ta performanca në Prishtinë dallon prej performancave që i kanë pasur gjatë kohës së “Eurovisionit”, sepse këtu publiku është shqiptar.
“Normal që në Prishtinë e ka një vlerë krejt tjetër, sepse njerëzit që i kemi përpara e kuptojnë fjalë për fjalë dhe i këndojnë fjalët me tepër dashni”, ka thënë Beatriçe Gjergji.
Nga publiku Vatra Abrashi, bashkëthemeluese në “Autostrada Biennale”, që e bëri të njohur publikun e Kosovës me “Shkodrën elektronike”, ka rikujtuar bashkëpunimin e mëhershëm me dyshen dhe ka vlerësuar qëndrueshmërinë dhe origjinalitetin e duos, sidomos pas pjesëmarrjes në “Eurovision”.
“Ne kemi pasur fatin ta njihnim ‘Shkodrën elektronike’ shumë më herët dhe ta shihnim se sa konceptualë janë, sa të jashtëzakonshëm janë. I kemi pasur në hapje të edicionit të katërt të ‘Autostrada Biennale’. T’i shohim prapë në një format të tillë me këngë të reja dhe pas pjesëmarrjes në ‘Eurovision’ është po ashtu shumë unike, ata mbeten të njëjtë, gjithmonë shumë unikë, të jashtëzakonshëm me zërin dhe muzikën e tyre, kështu që ishte shumë kënaqësi dhe u kënaqa shumë, kërceva shumë, bëra shumë qejf dhe i uroj organizatorët e ‘FemArt’ për një festival të suksesshëm, si dhe ‘Shkodrës elektronike’ shumë suksese”, ka thënë për KOHËN Vatra Abrashi.
Festivali “FemArt” do të vazhdojë deri më 21 qershor dhe do të sjellë koncerte, premiera, punëtori e diskutime mbi konceptin se mendja e lirë është arma më e fortë e njerëzve.